Auron Tare, Shqipëria dhe Singapori
Ashtu siç në momente fishkeziaresh kafshët e shkreta kalojnë në panik dhe lëvizin sa andej këndej të friksuara, ashtu siç në momente krizash të nxehta të globit, njerëzit i nguliten lajmeve të televizorit mos dëgjojnë ndonjë përmisim të situatës, ashtu siç në ndodhira jo normale në një shoqëri apo të natyrës, mileti nis e lëviz i shqetësuar dhe nis ankesat drejt qeverisë, po kështu në këtë gjëndje paksa të nxehur politike shqiptare që po gravon drejt protestave -nga shkaku se, ky kryeministër që premtoi të bëj shtet para 13-14 vjetësh, tani penetron mes një bataku mafiozësh dhe të korruptuarish- vetvetiu që do të dalin gjithfarë intelektualësh të lidhur me shtetin dhe qeveritarët për të dhënë mendime se si vendi ynë mund të dalë nga kriza. Një nga këta është Auron Tare, një intelektual simpatik, një mbrojtës i kulturës së vendit, por edhe një njeri që bën lidhjet e këtyre drejtuesve (të korruptar) shqiptarë me bosa të huaj. Auroni doli pardje me një tezë të shpëtimit të Shq., (më duket është tezë e fund-vitit të sapo-lënë), që thotë -pak a shumë- se modeli i Singaporit do të ishte një model i përsosur dhe i përshtatshëm për Shqipërinë.
Kur e dëgjova më shkau padashur një gricmim buzëqeshje dhe, po aq padashur, m’u kujtua ai opinion (paksa megalloman) i opingës ndaj kravatexhinjve, që qulli tek qulli do mbesë! Në fakt, në këtë tezë të Auronit ka diçka më tepër nga kaq. Nuk është thjesht ai këndvështrim i cekët prej afendikoi, që hasim shpesh ndër njerëz të këtyre klasave dhe kastave ‘të larta’, por një lloj justifikimi i statuquos së kësaj Shqipërie të këtyre klasave e kastave. Kësaj Shq., e cila -në këndvështrimin tim- drejtohet prej shumë e shumë dekadave, (por sidomos në këto 3-4 dekadat e fundit), nga njerëz që nuk jetojnë me realitetin, nga njerëz me apati drejtimi, nga njerëz të cilët vijnë në pushtet pa vizione të zhvillimit të vendit! Dhe këtë e tregon qoftë edhe një fakt i vetëm, që ata i kanë dëgjuar dhe zbatuar -po si fëmijët e vegjël- të gjitha çfarë u kanë sugjeruar ‘miqtë’ e huaj perëndimorë në këto 3-4 dekada.
Kthehemi tek teza e Auronit! Paçka se Auroni nuk i përket drejtuesve kryesorë të vendit, paçka se unë e vlerësoj në disa gjëra atë, paçka se ai mund të niset nga qëllimi i mirë në tezat e tija për modelet zhvillimore të vendit, do thosha se Singapori është modeli i fundit o parafundit, të cilin Shq. mund ta kopjojë! Dhe kjo për faktin se Singapori është një multi-shtet me disa kombësi me gjuhë e kultura të ndryshme, të cilin e mban vetëm një ligj i fortë të bashkuar. Fakti që atje po formohet dalë e nga dalë një popullsi me emrin ‘singapurianë’, (një proçes ky që do dekada e shekuj të konsolidohet), është fakti që ky ishull po shndërrohet tërësisht nga këto kombe të brendëshme të tij. Pra, nëse dje kishte vetëm shkurre dhe varka, tani të gjithë këta banorë të atyshëm e kanë shndërruar bashkërisht këtë ishull. Përveç kësaj, ligji i rreptë i këtij shteti i trajton njëlloj të gjitha këto kombësi të ndryshme, ndaj ato po kthehen në ish-kombësi. Dhe e fundit, për shkak se ky vend ka banka dhe financa të ndryshme të botës, ka një nga portët gati më të mëdhenj në botë, ka gjithfarë firmash të huaja, ky vend është i detyruar të përdorë anglishten si gjuhë komunikuese në aktivitetet e punës ditore. Pra, realiteti shqiptar në të tre këto aspekte është tërësisht i ndryshëm. Ndaj dhe nuk mund të kopjohet!
Teza e Auronit ia zhvlerëson atij ato merita që ka, sepse duket sikur ai i përket tërësisht kësaj kaste drejtuesish shqiptarë, puna e të cilve -pak apo shumë- e ka detyruar popullsinë e këtij vendi të emigrojë jashtë; dhe tani këta drejtues kanë nevojë për shërbëtorë! Një model singapurian ua siguron deri diku këtë nevojë! Edhe pa modelin singapurian, Shq. duket sot si hani i Bobos! Me atë model Shq. do të duket si shtëpi publike! Ligji i fortë, (qoftë edhe dënimet me vdekje), që ka ofruar zgjidhje tek popullsitë aziatike të Singapurit, vështirë të ofrojnë zgjidhje tek popullsia e sotme në Shq.! Kjo është njëlloj sikur nga njëra anë të joshësh një ujk tek copa e mishit, e nga ana tjetër ti rrish gati me kopaçe kokës! Shq. ka modelet e veta tradicionale, të mira e të këqija, këto të dytat duhen luftuar me një ligj dhe shtet më të fortë! Këtu puqet çdo njeri i ndershëm me Auronin! Por këtë nuk mund ta bëjnë njerëz të përlyer me këta pushtetarë!
Duke e mbyllur, do thoja se tezat dhe biseda e Auronit në studion televizive pardje më kujtuan ato kohra fëminore e të rinisë, kur ne diskutonim mbi shtetet e botës dhe, për çudi (nuk e di nga na vinin gjith’ ato informacione, sepse jo të gjitha i kishin librat e shkollës), përmendnim edhe rastin e gjobave në Singapor, nëse hidhje çimçakizin në trojtuar, apo rastin e ndalimit të qytetarve suedezë, nëse hidhje një letër për tokë, e sa e sa histori të tilla! A pa-pa, thoshim, këto janë shtete tamam, ke të bësh me njerëz sakllam, jo si ky mileti jonë kam-kum! Ore, ia priste tjetri, aman ore, vetëm ti nxjerrin edhe njëherë në shitje çimçakizat, se të gjithin do ta kapërdij e s’kam për ta hedhur në tokë! 16.1.2026
Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.
Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- nen referimin: nga robert thomanikaj.