Nadir Mura
Kam vënë rè këto 10-20 vjetët e fundit, se ata që po i japin tonin intelektualizmit shqiptar, përfshi këtu (pseudo-) shkencën, janë gjithfarë njerëzish nga rrethet, pjesa më e madhe e tyre e zbritur në kryeqytet! Po ashtu kam vënë rè këto 10-20 vjetët e fundit, se adhuruesit dhe mbështetësit e tyre më të shumtë janë po ashtu nga rrethet e vendit, si nga grupi i tok-xansve ashtu dhe ata të rregullt, brenda e jashtë vendit! Natyrisht, duke qenë se 2/3 e popullsisë tonë kanë emigruar jashtë këto tre dekada e gjysëm “demokracie”, vetvetiu që një pjesë e madhe e gjithë këtyre ndriçuesve dhe adhuruesve do jenë nga emigracioni, si të tillë, shumica e tyre kanë shpalosur flamujt mesjetarë të padijes në internet. Përse jo nga kryeqyteti kjo armatë, do pyesja!?!
Në ekranin e kompjuterit i sheh një pjesë prej tyre me nga një deri dy artikuj në ditë, me nga një deri dy filmime çdo ditë tek youtubi. Përpara kësaj mase të madhe materialesh prej tyre, të ngrihet pyetja: çfarë i shtyn këta njerëz të hedhin kaq shumë shkrime dhe filmime në internet? A kanë vërtet aq shumë zbulime të reja, aq shumë teori dhe hipoteza të padëgjuara më parë? Apo thjesht duan të bëjnë sa më shumë ndjekës, adhurues, lavdërues? Po për shëndetin e lexuesve dhe shikuesve, a mendojnë këta? A mendojnë për varësinë e ndjekësve të tyre ndaj ekranit të kompjuterit, që nuk është aq i shëndetshëm? A i revizionojnë herë-herë teoritë dhe hipotezat e tyre këta, për të parë nëse i qëndrojnë të vërtetave shkencore? Të gjitha këto pyetje marrin -deri më sot- përgjigje negative (JO), çfarë -besoj- tregon mjaft!
Gjeta sëfundi kohën të ndalem tek një prej këtij grupi, një djalë simpatik nga Vlora e me zë sugjestionues, e njohin shumica e shqiptarve, ish-“prestigjiatori” nga Vlora, Nadir Mura. E futa në thonjza profesionin e artistit, pasi qysh kur ndoqa atë numrin e tij të hedhjes nga 15 katëshi në Tiranë, kuptova (dhe jo vetëm unë), se Nadiri ishte larg të qënit prestigjiator. Në atë mbrëmje (më duket ishin fund-vitet ’90, apo fillimi i 2000-ave) unë prisja me kamerën time ta filmoja, (më duket kisha dy kamera), biles zura edhe një pozicion të mirë tek një dritare e hotel Vjosës (a Drinit, siç quhej ai hoteli i kohës së Zogut në krah të Pall. Kult.), dhe pata fat që pronari i hotelit -më duket se ishte kroat- më la të filmoja nga dritarja e një dhome, fat edhe që kamerën nuk ma vodhën, sepse e lija ndezur duke filmuar dhe vetë dilja të kërkoja edhe një vend tjetër më të mirë për të filmuar nga pozicion tjetër; mirpo gjithshka shkoi për lesh, (megjithë atë pompozitet televizionesh, dritash, turme njerzish dhe një helikopteri që vinte gjatë gjithë kohës vërdallë, nuk e di nëse për të filmuar apo për të sugjestionuar njerzit), se nuk u pa as Nadiri të hidhej e as kurrgjë atë mbrëmje, por vetëm u përfol për hedhjen e një kukulle, të cilën nuk e pa as edhe një nga turmaxhinjtë e shumtë aty poshtë!
Ndonëse Nadiri zhgënjeu atë mbrëmje mijra njerëz, ai mbeti ende simpatik tek tele-shikuesit dhe kuriozët shqiptarë, sepse vazhdoi me disa seri emisionesh interesante në lidhje me historinë dhe fenomene të natyrës; në mos gaboj, emisioni i tij quhej ‘Enigma’. Se ç’u bë me atë emision më pas, nuk e di, ndoshta aq e pati jetën, vetëm disa seri, ndërkohë që këto vitet e fundit Nadiri del me vidiot e tija të shkurtëra në youtub, duke rrahur tema të tilla si kontaktet me alienët, alienët mund të gjinden ndërkohë në tokë, misteri i zhdukjes së dinosaurve, çfarë do ndodhë në vitin 2027, planeti i 12 ‘Nibiru’, njerëz të lindur me krahë, kush ishin të ashtuquajturit Elohim, pika Nemo ku jetojnë kafshët gjigande, mistere shqiptare, telefonata e mistershme, reptilianët, shqiptari që kreu marrdhënie me …, makineria që shndërron çdo metal në flori, tregime nga e ardhmja, shenjat e kiametit, etj-etj.. Kiameti i vërtetë i tyre është se këto tema bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, sepse diku ai flet për ëngjëjt dhe Zotin, apo për demonët dhe Djallin, diku tjetër flet për alienët, diku flet për një mbrojtje të tokës nga meteoritët prej një perdeje të padukshme, e diku tjetër flet për shpërthime objektesh mbi tokë të ardhura nga Kozmosi, diku flet për astrologjinë dhe fuqitë e marra nga Universi prej njeriut, e diku flet për yje të palëvizshëm, diku flet për ilaç japonez që zgjat jetën 250 vjet, e diku flet për fatin e njeriut të përcaktuar më parë, diku flet për formimin e materies nga Fuqi të mbinatyrshme, e diku flet për shpikje të materive të caktuara nga njeriu, si në rastin e floririt nga një shkencëtar italian! Shumë nga temat -e jo vetëm tek ky përralltar- bien ndesh me njëra-tjetrën!
O Flori, o Nadir, si çdo njeri në botë ke të drejtë të kapësh e të trajtosh cilëndo temë të dëshirosh, je i lirë edhe ti shpërfytyrosh dhe deformosh sendet e gjërat, po deshe pretendo edhe që ke takuar një alien, apo vetë Zotin, (pse jo Perëndinë, xhanëm)! Por duhet të dish o shkencëtar-tregëtar, se nuk mund ti shesësh për firmato mallrat e tua demode, sepse ka ende njerëz që nuk janë kaq të papërgjegjshëm sa grupi juaj sesancionist, sepse ka ende njerëz që shqetësohen kur shohin se si përrallat e grupit tuaj i bëjnë njerëzit më flegmatigë, më pasivë, më të paditur, sepse ka ende njerëz në këtë botë që dallojnë në tregimet tuaja atë servilosje dhe shërbim që ju u bëni statuquove më regresive pushtetore! Një nga këta njerëz jam ende unë, që -fatkeqësisht- nuk kam aq shumë kohë sa të merrem me të gjithë ju e me të gjitha materialet tuaja, që -fatmirsisht për ty dhe grupin tuaj- jam gjithë jetën i luftuar dhe -jo pak- i neutralizuar nga pushtetet regresive mesjetare, si nga ai i Shq. “socialiste” të dikurshme, por shumë më shumë nga “demokracitë” perëndimore dhe gjithfarë rrymash të sotme! Më ndiq, i dashur! 20.1.2026 (pason pjesa e dytë)
– II –
Siç thashë, nuk i del koha njeriut të shkretë të merret me të gjithë autorët dhe shkrimet (+ vidiot) e tyre. Por, tek më doli vidio e radhës së Nadirit në youtube, thashë: nuk ka mundësi, nuk është e mundur të lëshohet kjo padituri dhe injorancë kaq pa-përgjegjshmërisht, a e ka kryer Nadiri shkollën në Shq. apo jo!? Ndaj vendosa të ndalem pak tek kjo vidio; ajo quhet: Nëse toka rrotullohet, përse yjet nuk lëvizin?
Qysh në titull shohim një gënjeshtër, ndryshe: padituri, të cilën nuk e thotë as edhe një fëmijë i fillores, nuk e thotë as edhe një çilimi i kopshtit, sepse edhe ai fëmijë e shikon qiellin dhe dallon se si yjet ‘lëvizin’! (E futa në gjysëm-thonjza ‘lëvizjen’, sepse në fakt yjet -në këndvëshrimin e syrit të njeriut në tokë- ‘lëvizin’ për shkak se toka rrotullohet. Por, po të rrish për shumë vjet duke vrojtuar yjet, apo qoftë edhe një vit të vetëm me një teleskop të thjeshtë, do të dallosh se yjet lëvizin, do të dallosh se ato nuk gjinden në atë pozicion të një viti më parë. A ka mundësi që Nadiri të mos e dij këtë fakt?! Edhe në një vidio tjetër, tek ai flet për krijimin e materialit të floririt nga një pajisje njerëzore, ai tregon se: ose nuk e ka kryer 8-vjeçaren e të mesmen në Shq., ose ka qenë harrakat e ka vrarë zogj me llastiqe gjithë ditën, ose paguhet nga forca të caktuara destruktive të vendit tonë për të tilla idiotllëqe! Sepse, çdo nxënës shkolle i kohës tonë, qoftë edhe me pesa, e dinte se një pjesë elementësh (të tabelës së Mendeljevit) mund të krijohen edhe në formë artificiale (laboratori), nëse krijojmë temperaturën dhe trysninë e duhur të disa elementëve të tjerë. Kështu është arritur të krijohet edhe floriri, diamanti, etj. në kushte laboratorike, dhe problem është kosto e tyre; natyrisht, edhe problemi teknollogjik është permanent, sepse duhen temperatura të caktuara dhe maqineri presioni të fuqishme që të bëhet ndarja dhe bashkimi i bërthamave të atomeve të elementëve të caktuar, për t’na dhënë një element ose material të ri. Nuk i di këto gjëra kaq të thjeshta Nadiri?!?
Qysh në fillim të vidios, pasi Nadiri sqaron se shpejtësia e rotimit të tokës (në ekuador) është 1600 km/orë, ai pyet: si është e mundur që yjet nuk lëvizin? Me këtë pyetje Nadiri nuk mund tu drejtohet as gomerve, sepse edhe gomerët e dallojnë se si arusha e madhe ‘lëviz’ nga një pjesë e qiellit në tjetrën përgjatë natës, se si shumë kostelacione dhe yje ‘lëvizin’ bollshëm pikërisht për shkak të këtij rotimi të tokës. Kur ishim fëmijë dhe kalonim natën jashtë, ne e dallonim këtë ‘lëvizje’ yjesh dhe kostelacione yjesh, sepse i njihnim shumë prej tyre. Gjithashtu na shpjegohej mjaft qartë në shkollë nga mësuesit dhe librat kjo ‘lëvizje’ e tyre përgjatë natës! Po ashtu mua më është dashur shpesh të shihja qiellin dhe yjet natën kur isha i ri, sepse më duhej të orientohesha kur të arratisesha! Edhe tek analiza ime e ‘Odisesë’ kemi disa sqarime për këto lëvizje kostelacione yjesh, pasi vetë rapsodët homerikë na i përmendin, biles duke na sqaruar edhe lëvizjet e tyre. Nadiri nuk i ka hapur as librat e shkollës, nuk e ka dëgjuar as mësuesin, nuk i ka vrojtuar ndonjëherë yjet e qiellit!!! Të jetë e vërtetë, apo ai kërkon të bëj ndjekës budallenj në kanalin e tij në youtube!?!
Më tej ai, pasi sqaron se toka lëviz rreth diellit me shpejtësinë 108 mijë km/orë, ai thotë: çudi, si yjet rrinë gjithmonë atje dhe nuk lëvizin!? Duket Nadiri nuk e ka idenë e largësisë së këtyre yjeve prej Tokës dhe sistemit tonë diellor! Për ta kuptuar këtë, ne e çojmë një mbrëmje -imagjinatërisht- Nadirin në skelë të Vlorës dhe i tregojmë një dritë të vënë në kurrizin e një gomari në Karaburun, i cili lëviz ngadalë duke ngrënë driza. Pra gomari është ylli në qiell. Aty në skelë ne e ulim Nadirin në një pistë të vogël rrotulluese të një lokali dhe i japim të pijë ujë të ftohtë, se me raki ai dehet dhe flet broçkulla më të mëdha. Ne e rrotullojmë ngadalë këtë pistë ku gjindet Nadiri me sytë nga drita (gomari) në Karaburun dhe e pyesim: a po lëviz drita?. Ai, duke mos e dalluar dot lëvizjen e dritës për shkak të largësisë së madhe, do të thotë: jo, drita nuk lëviz. Atë kohë ne i hapim një monitor aty pranë tij dhe ai shikon dritën e vënë në kurrizin e gomarit, që po lëviz ngadalë gjatë gjithë kohës duke ngrënë driza nëpër monopat. Kështu ai mëson tani në pleqëri, atë gjë që duhej ta kish mësuar qysh kur ishte fëmijë, që për shkak të largësisë neve na duken sikur yjet nuk lëvizin!
Më tej në vidio, pasi ai na sqaron se i gjithë sistemi ynë diellor lëviz me rreth 800 mijë km/orë rreth qëndrës së galaktikës tonë Rruga e Qumshtit (Kashta e Kumrit), ai pyet: si është e mundur që planeti tokë të mos hasi në fërkim, mos ta ndjejë këtë lëvizje?!. Po ç’të ndjejë mo Nadir, kur Hapsira nuk ka pluhur dhe as kumin e plazhit të ri!? Toka ka një atmosferë të caktuar, pa llogaritur edhe fushën gravitacionale dhe elektromagnjetike! Sistemi ynë diellor ka një zonë rreth tij të mbushur me gaz të padukshëm, (e quajta ‘gaz’, sepse nuk di ç’emër tjetër ti vë atij mediumi), kështu neve në tokë jemi të mbrojtur nga rrezatimet e jashtme dy herë, një herë nga mediumi në zonën skajore të sistemit tonë diellor dhe një herë të dytë -kryesorja kjo mbrojtje- nga fusha elektromagnjetike, elektrostatike, etj. e Tokës dhe nga atmosfera e saj, -kjo atmosferë është si ai xhupi i trashë në dimër kundra të ftohtit! Atmosfera na mbron jo pak nga rrezatimet e shumta prej Kozmosit (diellit dhe yjeve), si ato gama, etj., se ndonjë erë si ajo që ndjejmë kur nxjerrim kokën nga dritarja e trenit, nuk ka si të na vijë nga Kozmosi! Pa llogaritur pastaj, që ne lindim dhe jetojmë në këtë statuquo të caktuar astrofizike. Nuk i ka mësuar qysh në 8-vjeçare këto Nadiri? Apo nëpër shkollat e rretheve kishin të tjerë libra nga ato që kishim ne në Tiranë?!? 20.01.2026
III
Më tej Nadiri, pasi flet për shpejtësinë e galaktikës tonë prej rreth 1 mil. e 200 mijë km/orë, thotë: si është e mundur që ne mos ta perceptojmë këtë? (Duket e ka llafin, që ne nuk e dallojmë këtë, nuk e ndjejmë.) Natyrisht që ne nuk arrisim me sy të lirë ta dallojmë dhe ndjejmë këtë, sepse distancat mes trupave qiellorë janë kaq shumë të mëdha, sa vështirë ta imagjinojmë, nëse nuk i trajtojmë në shkollë këto tema! Vetëm galaktikën më të afërt të marrim, ‘Andromedan’, e cila është më e madhe se galaktika jonë, ne dallojmë me instrumenta (teleskopë gjigandë) që ajo afrohet drejt nesh, (ndryshe: ne afrohemi drejt saj), dhe me matjet dhe llogaritë e bëra (tonat të sotme ende primitive e metafizike) parashikohet që këto dy galaktika të afërme të ‘përplasen’ aty rreth 500 milion vjet më vonë, (disa mendojnë për shumë më vonë), kur toka jonë nuk do ketë më jetë.!. Mendo tani sa larg janë galaktikat e tjera!..
Sa për illustrim, do ti rekomandoja Nadirit dhe kujdo tjetri të shihte ndonjë maket të sistemit tonë diellor. Ne e kemi një të tillë në qytetin tonë. Dielli është rreth 1 metër me diametër, toka -nja dy-tre qind metra larg- është sa një lajthi, hëna sa një farë limoni, pastaj -nja 70 metra më tej- vjen Marsi. Pastaj do bësh nja 500 metra me këmbë të takosh Jupiterin! Imagjino vetë pastaj resten tjetër të planetëve!..
Më tej Nadiri pyet: si është e mundur që në planetin ‘Tokë’ nuk bien asteroidët dhe meteorët, … kur ndërkohë në të gjithë planetët dhe në Hënë vazhdojnë e bien? Si është e mundur që planeti ‘Tokë’ të mos goditet? Në fakt ka mësuar çdo nxënës filloreje, se etapa (koha) kur këto meteorë e asteroidë binin edhe në tokë me shumicë i përket periudhave fillestare të formimit të sistemit tonë diellor. Tashmë jemi në një etapë (periudhë) të stabilizuar, ku trupat ndodhen në orbitat e tyre përkatëse. Megjithatë, edhe tani kemi rënie trupash qiellorë në tokë, siç edhe në planetët e tjerë, dhe shumica e këtyre trupave janë asteroidë të shkëputur nga grumbulli i tyre i madh mes Marsit dhe Jupiterit, një grumbull ky i cili rrotullohet po si planetët rreth diellit tonë. Ata asteroidë që shkëputen nga orbita e tyre rrotulluese tërhiqen më së shumti nga Jupiteri, si dhe rallë nga Marsi. Ndaj Toka ka pak shance të vizitohet shpesh nga këta asteroidë. Kaq gjë mësohej qysh në fillore dhe unë besoj se nuk ka njeri në këtë botë që nuk i di këto gjëra kaq të thjeshta!
Më tej Nadiri na thotë: Planeti Tokë ka klimë konstante me katër stinë. Biles dielli ngroh në verë e ftoh në dimër gjithë planetin. Nëse dielli është i nxehtë, përse nuk ngroh motin ose planetin në të gjitha momentet, dimër, verë, pranverë, etj? Pse jo gjatë gjithë vitit, por në disa momente!? E di që dikush do të thotë, se në momentin e verës dielli ngjitet më lart dhe, kur është pingul, në zenitin, atëhere dielli është më i ngrohtë…
Jo Nadir katranjosi, nuk është kjo! Dhe çudi … jo-jo, tmerr, thuaj, të mos dish se katër stinët krijohen nga këndi prej afër 23 gradë që ka boshti (imagjinar) veri-jug i Tokës karshi boshtit (imagjinar) veri-jug të orbitës së tij rreth diellit! Kaq gjë e mësonte çdokush në fillore, në shkollën tonë “socialiste”. Për shkak të kësaj pjerrësie që ka ky bosht karshi diellit dhe gjithë orbitës së vet, i bie që në verë të jetë një pjesë e hemisferës së tokës më e rrahur nga rrezet e diellit, ndërkohë që në këtë kohë hemisfera tjetër e planetit tonë nuk rrihet direkt nga rrezet e diellit, por paksa diagonal. Është gjëja më e thjeshtë për tu shpjeguar dhe kuptuar, sidomos kur e ilustron me dy fruta të rrombullakët, njëri prej të cilve (molla-Tokë) i rri tjetrit (portokalles Diell) me një kënd rreth 23 gradë skiç; duke e sjellë vërdallë mollën rreth portokalles (360 gradë) dallojmë se si njëherë e sheh qartë portokallen sipërfaqja e sipërme e mollës dhe, kur kemi bërë rreth 180 gradë, dallojmë se si pjesa e poshtëme e mollës e sheh qartë portokallen. Një shembull të tillë ua bëjnë shumë baballarë fëmijve të tyre, kur duan t’u shpjegojnë katër stinët. Nëse ka ndonjë baba që nuk ua ka bërë këtë shembull fëmijve të tij, për këto raste unë kam të njëjtën këshillë që jap gjithmonë në këto raste, ky baba të zhvishet gjysëm-laskuriq (si shitët) dhe të përshkojë bulevardin e Tiranës nga Universiteti deri tek sheshi ‘Skënderbej’ duke e rrahur veten (po si shitët) me një kamzhik.
Po aty Nadiri vazhdon: por kam një pyetje tjetër, … nëse ne ngjitemi me avion ose në një mal, pse atje është më ftohtë, ndonëse ne jemi më afër diellit? Tmerrsisht e pabesueshme që një pyetje të këtillë prej fëmije tre vjeçar ta bëj një i rritur! E kam të vështirë ta besoj, që e kam parë me sytë e mij dhe dëgjuar po me veshët e mij këtë pyetje nga një i rritur! Më duket nganjëherë se jam në ëndërr, kur përplasem me të këtilla skena! Biles dyshova njëherë, mos Nadirit i kanë bërë ndonjë film me IA, siç u bëjnë sot disa figurave të njohura! Mirpo jo, nuk është film me IA, por është filmim i vetë Nadirit, sepse thuajse të gjithë filmat e Nadirit janë të po këtij niveli katastrofal! Atëhere përse ai e bastardon vetveten me këto lloj pyetjesh?!? A thua vërtet e bën veten kaq lolo dhe të paditur vetëm e vetëm për të arritur një numër të caktuar ndjeksish në internet?!? Mirë ai ka këtë synim, se ndoshta fiton edhe lekë me një numër të caktuar ndjeksish, (nuk e di si funksionojnë këto aktivitete), por kaq shumë budallenj të ketë kjo botë, që në këto pyetje tre-vjeçarësh të gjejnë diçka interesante?!? O Zot, edhe një nxënës fillore do ti shpjegonte Nadir lekistit se, sa më afër tokës, aq më e dendur është atmosfera, sa më lart aq më e rallë atmosfera, -kjo ndikon që ngrohtësia të ruhet më shumë e më mirë pranë tokës dhe jo lart në male. Përveç kësaj, toka ka ngrohtësinë e vet nga magma brenda saj, (toka është si një diell i ftohur); pra ngrohtësia do të ndjehet më shumë poshtë se sa lart në male! Nëse Nadiri është nga Vlora, do të shihte se deti në maj apo fillim qershori është ende i ftohtë, ndonse dielli ngroh boll. Ndërsa në fund-shtatori e fillim tetori deti është ende i ngrohtë, ndonëse dielli nuk ngroh aq shumë! Përse o Nadir vlonjati? E ke pyetur veten kur ishe fëmijë? 22.01.2026
IV
Nadiri vazhdon: ‘Tregohet se jeta në planetin tokë është falë një mburoje që quhet ‘langrazh’, ose ‘retë e mistershme të Kordilevskit’. Në vitet ’80 një shkencëtar polak vuri re një formë reje mes Tokës dhe Hënës, që s’duket me sy por me instrumenta. Dhe çdo asteroid që vjen nga larg duhet të kalojë aty; dhe ajo është një formë rrjetë energjie që shpërbën çdo objekt të ardhur nga larg. Në vitin 2013, në Rusi u filmua shpërbërja e një meteori. Nuk e kuptoi kërkush si u shpërbë! Ndokush mund të thotë se ai u shpërbë, sepse ra në kontakt me atmosferën e tokës. Pyetja është: si ka mundësi që në atmosferën e planetëve të tjerë, që bien çdo ditë, atje bien komplet kështu siç janë , ndërsa në tokë shpërbëhen?‘
Mbi tokën dhe jetën nuk tregohet asnjë përrallë nga këto të tuat, Nadir prrallxhiu! Mbi tokën dhe jetën mësohet në shkollë! Mësohet se si natyra funksionon kaq thjeshtë e kaq bukur, sa misteri gjindet vetëm në kokat tuaja prej priftërinjsh feje të re! Retë e mistershme të tuat nuk janë mburoja e tokës nga asteroidët, o i pashkollë, ato janë shumë larg atmosferës së tokës dhe janë mjaft të holla (rralla) për ta shpërbërë një asteroid. Meteori i filmuar para disa vitesh në Rusi nisi të shpërbëhej (coptohej) përgjatë kontaktit me atmosferën e tokës, pra larg reve të mistershme dhe pranë tokës. Dhe gjithkush e kuptoi si u shpërbë! Dhe, edhe në planetët e tjerë ndodh shpërbërja (coptimi) i asteroidëve dhe meteorve, kjo varet nga atmosfera që ka. Nëse do të binte në Venus apo Jupiter, ato coptohen, sepse atje ka atmosferë, (paçka se jo me elementët që ka kjo në tokë). Në mars mund të ndodhë që të mos coptohet, sepse atmosfera e tij është mjaft e hollë. Jo më herët se 5 vjet më parë e pamë të gjithë ne banorët e globit, se si një asteroid gjigand hyri në atmosferën e Jupiterit dhe nisi të coptohej në disa pjesë, derisa nuk u pa më. A nuk e ke parë edhe ti Nadir në televizor këtë dukuri të transmetuar nga të gjitha kanalet televizive të botës?!? Ti sikur e ndjek shkencën!..
Nadiri vazhdon po aty: Retë e mistershme të Kordilevskit janë një nga misteret më të mëdha të njerëzimit … Ato përcaktojnë përse duhet të jetojë njeriu në këtë planet. Sepse duhej të ishte zhdukur me kohë, sepse ndërkohë që në planetët e tjerë ka aksidente të tilla përditë, toka ruhet nga një mburojë që askush nuk di të japi një shpjegim, … Ky është mister për gjithë shkencën, se si njeriu nuk zhduket nga këto faktorë.
Ja, brezi ynë dhe dy-tre breza më pas, jemi përjetues të lindjes së kësaj feje të re. Ndërkohë që priftërinjve dhe hoxhallarve u ka dalë boja me përrallat e tyre biblike dhe kuranike, tashmë ne do të kemi priftërinjtë e rinj. Fatkeqësi për Nadirin që nuk paguhet nga shteti dhe që pasardhës të tij do ta kenë këtë privilegj! Natyrisht, si ka të drejtën të krijojë një fe të re, por duhet të llogarisë se do të përballet me kundërshti nëse gënjen!
Nadiri i afrohet fundit të filmimit: Na është thënë se njeriu ka rreth 200 mijë vite, … ne mund të kemi 1 milion vite, … dikush thotë 10 milion vite, mirpo ka një teori tjetër, ku pretendohet që njeriu ekzistonte shumë më parë, qysh në kohë të dinozaurve. Dhe, nëse dinozaurët u zhdukën nga ato meteorët nga hapsira, atëhere si është e mundur që vetëm atëhere ndodhi dhe pastaj nuk ndodhi më? Si është e mundur që vazhdon akoma të mbrohet toka nga diçka dhe bën që jeta të lulëzojë e të vazhdojë akoma?
Dikush thotë se ne njerëzit i vramë dinozaurët! Dikush thotë se ne jemi bij perëndish! Dikush thotë se ne kemi qenë e jemi të përjetshëm! Dikush thotë që ne na bëri Zoti me dheun e tokës! Dikush thotë që ne vijmë nga planeti Nibiru! Dikush thotë se alienët kryen marrdhënie seksuale me njeriun primitiv dhe doli raca njerëzore! Dikush thotë se ne nuk ekzistojmë, por jemi halograme të një bote tjetër! Dikush thotë se ne jemi thjesht çimka! Dhe plaku im thoshte -me shaka- se njeriu është një maqinë muti! Dikush thotë atë e dikush thotë këtë! Shkenca nuk ecën me dikush e kërkush, Nadir! Shkenca ecën me prova dhe argumenta. Provat vërtetojnë një tezë, argumentat mund ta kthejnë një hipotezë në tezë, por edhe nuk mund ta kthejnë dot. Njerëzit e paditur ecin me çfarë thotë dikush këtu e dikush atje!
U zhdukën dinozaurët nga meteorët apo tek ta ndikoi evolucioni, duke i bërë më të vegjël dhe kthyer në specie të tjera të përafërta, kjo mund të diskutohet Nadir! Por të ngresh misticizma do të thotë të mos ecësh në rrugën shkencore! Shkaqet e fenomeneve të natyrës, Nadir, nuk kërkohen tek mistiçizmi i sajuar, por tek vetë natyra dhe ligjet e saj! Dhe jeta nuk ekziston vetëm në Tokë. Universi është aq i madh e i paimagjinueshëm në energjinë e tij, sa do të ishte çmenduri të besosh se jeta ekziston vetëm në Tokë!
Ka dekada që aparaturat tona të tokës kapin signjale të ndryshme nga Hapsira kozmike. Vitet e fundit janë parë edhe objekte të çuditshme. Kam frikë, se nuk do të jetë e largët dita kur kontaktet tokësore me qënie të tjera nga Kozmosi do të ndodhin! Nëse për fatin tonë të keq a të mirë, nuk e di! Por di se këto qëniet tona tokësore, si Nadiri, që vitet e fundit janë bërë -vetëm tek shqipfolësit- me qindra, dhe në botë disa milionë, këta mistiçistë do të hidhen përpjetë duke bërtitur: a nuk ju thamë ne se një ditë do të takonim alienët!? Pika që s’u bie, se na vjen për të vjellë tek ua dëgjojmë budadallëqet! A nuk e kuptojnë këtë këta sensancionistë!?! Apo i ka verbëruar mania për tu dukur e për të patur sa më shumë ndjeksa në internet?!? 23.01.2026 FUND (20 +22 +23 Jan. 2026)
Cdo kritikë është e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin përkatës: nga robert thomanikaj.