Florence Foster Jenkins
Emri i mësipërm është emri i nje sopranoje të fillim-shekullit të kaluar në Amerikë, (keni boll material në Vikipedia dhe youtube për ‘të), njëkohësisht është edhe emri i filmit që pashë pardje tek arte-tv. Ishte hera e parë që më ra në vesh e në sy ky emër, ashtu dhe tonet e saj të stonuara, -pikërisht kjo ishte drama e këtij filmi mjaft tërheqës, për të cilin do t’ju flas pak, ashtu siç fare pak do t’ju flas edhe për vetë këtë këngëtare ariesh e operetash, emrin dhe historinë e së cilës e mësova vetëm dy ditë më parë.
Shkaku pse u ndala tek ky film dhe tek kjo ‘diva e toneve të gabuar’, (kështu thirrej ajo në kohë të saj), është fakti që prej disa ditësh po kollondriset e kallaiset në trurin tim tema e ‘ankimeve’ të përjetshme njerëzore, temë të cilët e trajtoi në një vidio të shkurtër fejsbuku një qytetar shqiptar. Por, ndërsa kjo temë do të zerë disa shkrime -le të themi- filozofike, mendoj se amerikanja Florence do na hyjë në punë gjatë atij filozofimi, ndaj dhe le ta shohim shkurt filmin e jetës së saj.
Siç dimë, nën idetë e revolucionit francez, është shek. i 19 ai që i hapi perspektiva të mëdha shkollimi e studimi gjinisë femërore. Më parë ajo ishte e përfshirë në vetëm disa pak grupe artistësh cirku e teatri, më së shumti në Angli, e shumë pak në sterenë tonë kontinentale. Kështu, në këto ëndrra të çelura femërore përgjatë shek. 19 kemi dhe atë të amerikanes Florence, për tu bërë një këngëtare dhe soprano e talentuar. Zëri i lartë nuk i mungonte, por i mungoi shkollimi, pse i ati -ndonëse i pasur- nuk e lejoi të studjonte për kanto. Sidoqoftë, vetë me vullnet arriti të mësonte diçka, të “kopjonte” këngëtaret dhe sopranot e dëgjuara, kështu, duke patur edhe mbështetjen e burrit të saj, arriti të japë koncertin e saj të parë mes një grupi të rezervuar dëgjuesish. Ata pak që njihnin muzikën e dalluan dizonancën mes notave muzikore dhe zërit të saj, veshi i tyre u plagos -pak apo shumë- nga stonimet e zërit të saj. Dy-tre dëgjues/e edhe qeshën, të tjerët duartrokitën fort. Në fund të fundit ishte e njohura e tyre…
Kështu nisi karriera e saj si këngtare ariesh e krijimesh të reja, posaçërisht për ‘të, e mbështetur nga i shoqi i kamur, (edhe ajo vetë kish trashëguar boll nga i ati i vdekur), duke kaluar edhe në salla më të mëdha koncertesh. Në të parën prej tyre, mes ushtarakve të L1B, ajo nis të përqeshej qysh në fillim të koncertit, (atëhere njerëzit nuk ishin kaq të sjellshëm sa sot), mirpo një e njohur e saj, një nga ato çapkënet, u ngrit dhe i fishkulloi tallësit me fjalët e saja. Qetësia u vendos sërish, biles nisën ato për të cilat artisti shkrihet i tëri, duartrokitjet. Koncerti rinisi dhe vazhdoi sipas programit, duke përfunduar mes ovacioneve të mëdha.
Vazhdimi -po- kuptohet, një burrë dhe rreth shoqëror që e stimulojnë, por pak edhe e simulojnë, duke ia fshehur asaj lajmet deprimuese të disa gazetave dhe nxitur për vazhdimin kurajoz, duke i treguar vetëm shkrimet panegjeriste për ‘të të gazetave të tjera, ku leku ka bërë punën e vet! Ky vetbesim dhe kurajo e saj ishte shkaku i mbështetjes së publikut. Pikërisht tek stonimi i zërit të saj përgjatë koncerteve, ky publik dalloi kurajon, vullnetin, guximin e saj. Një këngëtare perfekte duartrokitet prej tyre vetëm për kënaqsinë që ata ndjejnë nga zëri i saj. Ndërsa një këngëtare jo perfekte duartrokitet edhe për vazhdimin kurajoz në skenën opereske. E paepur, thonë! Vërtet ajo s’e ka arritur nivelin e divave -të mëvonshme- si Maria Kallas, Monserat Kaballe, Çeçilia Bartoli, Ana Netrebko, etj, biles as të atyre më pak të njohura. Megjithatë ajo ka zë, ka ritëm, por stonon herë-herë, nuk arrin t’u shkojë notave përpikmërisht, pra bie në sy që ajo ka ende për të mësuar! E paçka këtyre mangësive, ajo jep koncerte! Për këtë paetshmëri ajo ndiqet nga një publik i gjërë, radio jep herë-herë arie të kënduara prej saj, disqet me zërin e saj shiten me shumicë! Këto shitje vijnë -patjetër- edhe nga kurioziteti, sepse për ‘të flitet që nuk këndon mirë, ndaj një pjesë e publikut don ta verifikojë vetë, a janë gojët e liga dhe cmirzinjtë që e sulmojnë, apo vërtet s’është aq e madhe sa e bëjnë!..
Dikur ajo gjen një gazetë që e kritikonte, (a thosh të vërtetën, pjesërish a plotësisht), e shikon, nis ta lexojë artikullin, bie pa ndjenja në tokë… Minutat e fundit të filmit janë pa rëndësi, mendoj. Sepse filmi vazhdon në mëndjen e shikuesit! Ai film real i jetës që na rrethon! I të shkuarës dhe të ardhmes!.. Çdokush përplaset në jetën e tij me situata të këtilla. Qysh fëmijë e deri në pleqëri. A e ka bërë mirë një lojë, një aksion, një punë, një veprim, një shkrim, një studim, një zbulim (të pretenduar), një hipotezë a tezë të caktuar, etj.?! Kur njeriu merr lavdërime, këto pranohen menjëherë nga ai, -kështu është natyra e tij. Kur njeriu merr kritika, këto pranohen me vështirsi nga ai, ose fare, -është në natyrën e njeriut ky sensibilitet kundërshtues. Mirpo, herët ose vonë, ndjesia e tij (kënaqsia o hidhërimi) përplaset me llogjikën, e cila -nuk e dimë qysh e si- ka lidhje me nënvetëdijen (≈ ndërgjegjen). Ai nis e kërkon të gjejë, sa mirë apo keq e ka bërë lojën, punën, krijimin, zbulimin, teorinë, etj.. Ai nis e dyshon mbi lavdërimet e marra, ai nis e mendon mbi kritikat e marra. Sa më thellë futet ai në analizat e bëra, aq më larg është ai në një përfundim të caktuar. Çudi, por ai dallon se absolutizmi nuk ekziston. Përherë e më tepër dallon ai relativitetin e fenomeneve, përfundimeve të nxjerra, gjithshkaje! Ndonse e vërteta duket se qëndron tek relativizmi, ai nuk e gjen justifikimin e vetvetes në relativizëm, por në përmisimin e punës, zbulimit, teorisë së tij. Qëndrojmë tek kjo temë! Korrik 2025
Cdo kritikë është e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.