Mjaft u ankuat!
Diku këtë kohë vere të 2025-ës, një qytetar -jo bash i thjeshtë fare, por me një farë habitati, një farë kamje a biznesi të caktuar- hodhi një filmim të shkurtër në fejsbuk, duke kritikuar ankimet dhe kritikat e përjetshme të shqiptarve, ankimet e kritikat e tyre ndaj qeverisë dhe shtetit, ankimet dhe kritikat e tyre ndaj gjithshkaje, në vend që të merrnin në dorë situatën e tyre, përfundonte ai! Mund të them, se kjo kritikë e tij është -disi- një lloj vazhdimi i asaj shprehje të thënë para shumë vjetëve nga Ilva Tare, ‘në jetë merr atë që negocion, jo atë që meriton’. Gjithashtu mund të them, se kjo kritikë është një paraprijse e asaj që shpreu disa javë më vonë Ermal Mamaqi, se çdo kush merr atë që meriton; dhe kjo shprehje kaloi nga njeriu -si individ- tek një popullatë e caktuar, konkretisht tek kjo shqiptare, e cila meritonte këta politikanë e këtë qeveri, këtë gjëndje, këtë territor, këtë standart, këtë ekonomi, këtë mizerje, etj.!
Qysh në fillim dallohet, se kjo kritikë vjen nga njerëz që e kanë kapur veten. Vetvetiu, vështirë ti thosh këto fjalë një i varfër, një pleraxhi, një lypës, etj., megjithse kemi edhe raste kur njerëz të këtyre statuquove e thonë pak a shumë diçka të tillë, gjë që në këtë rast merret si një vetkritikë e tyre. Por këto janë raste të ralla. Duke qëndruar tek kjo kritikë e shprehur nga këta njerëz të kapur (kamur), pyetja më e parë që bëhet është: çfarë bënë ata tjetër gjë në jetë nga këta ankues, që ndodhen në atë statuquo të kapur? Ata përgjigjen menjëherë: ne nuk merremi me ankime, por vështrojmë punën për të rregulluar gjëndjen tonë materiale.
Nëse do shohim më konkretisht punën e tyre, (e jo vetëm në Shq. e Ballkan, por edhe në vende me shoqërira më të emancipuara), do vëmë re se -përveç disa rrethanave rastësore e disa zotësive të tyre pragmatiste- kemi fenomenin e korruptimit të zyrtarve dhe favore të marra, kemi shfrytëzimin e disa të vobegtëve, (dikur deri n’palcë, sot deri n’kock), kemi në disa raste pastrime parash, kemi fenomenin e dëmtimit t’pasurive natyrore (përveç shfrytëzimit të tyre), kemi servilizmin e tyre ndaj pushtetarve të mëdhenj, kemi mos-interesimin e tyre për gjëndjen politike në vend dhe vënde të tjera, e sa e sa fenomene negative vërejmë në punën e tyre!
Duke qëndruar vetëm tek fenomeni i fundit, në dukje i parëndësishëm e i justifikueshëm, kemi Kinën si shembullin më të mirë, ku si kapitalist mund të bësh para të madhe pa parë shkeljet e të drejtave të sa e sa qytetarve dhe disa komuniteteve! Apo marrim një rast tjetër, Arabinë Saudite, e cila organizoi një konferencë ndërkombëtare biznesmenësh pak muaj pas masakrimit në copa-copa të gazetarit arab Khashogi, në konsullatën e tyre në Stamboll (tetor 2018); këtë konferencë e abandonuan disa biznesmenë gjermanë e europianë, të ftuar n’atë konferencë, sepse nuk mund të takonin duart me gjak të princit arab, Salmanit; mirpo një pjesë biznesmenësh të tjerë europianë dhe nga bota vajtën në atë konferencë, -këta lidhën kontrata dhe u pasuruan!
Tani mendoni, një biznesmen nga ata të vajtur në atë konferencë të dali e të kritikojë qytetarët ankues të vendit të tij, duke u thënë: jeni vetë fajtorë për gjëndjen tuaj! Ka tallje më të madhe për qytetarët e vendit të tij?! A mund të merret si shembull një batakçi i tillë?! Do thotë ndonjëri: pse e barazon mirqënien me mafiozllëkun? Vetë pranove biznesmenë që nuk pranuan të takonin duart me gjak të princit arab, pra pranove edhe biznesmenë të ndershëm! A nuk mund ta nisim diskutimin nga ky grumbull, nga kjo premisë, që edhe njerëz të ndershëm e rregullojnë veten e tyre?!. Një njeri i tillë ka të drejtë të lëshojë fjalët e mësipërme kundra ankuesve dhe kritikuesve të përjetshëm!
Padiskutim! Mosvajtja e disa biznesmenve europianë në konferencën e investitorve, të zhvilluar në Arabin Saudite (2018, a 2019), është ai qëndrim kritikues e dënues ndaj të keqes, që në këtë rast përfaqsohej nga princi kriminel arab. Pra, ndershmëria bie herët a vonë ndesh me krimin, me kundërvajtjen, me korrupsionin, me pisllëkun, me të keqen. Ndershmëria prezantohet tek pak njerëz, siç dhe tek biznesmenët që nuk vajtën në Arabi! Nga Gjermania nuk vajtën atje një pjesë e vogël e të ftuarve! Nga Italia edhe më pak -në përqindje- nga të ftuarit! Nga Rusia dhe nga Kina vajtën thuajse të gjithë biznesmenët e ftuar, (nuk e di nëse kish ndonjë prej këtyre vëndeve që nuk vajti, sepse u bazova vetëm në lajmet e TV për këtë eveniment). Nuk e di sa ishin ftuar nga Shq. dhe -nëse kish të ftuar- a ndenji ndonjë prej tyre pa vajtur! Por nuk besoj se shqiptarët janë më të mirë nga rusët dhe kinezët, ndaj nuk besoj se ka mbetur ndonjë pa vajtur, nëse kish të ftuar prej vendit tonë! Pra vimë si përfundim tek ai mësim i mësuar në shkollë dhe i stërprovuar përgjatë shekujve edhe nga përvoja, se europianët jugorë janë më të pa-drejtë nga europianët veriorë.
Duke qëndruar tek ky përfundim, vërejmë edhe një fenomen tjetër, që këta të kapur (kamur) në veriun europian e akuzojnë më pak opingën e vendeve të tyre për fajtore të vetvetes, nga sa e akuzojnë këta të kapur (kamur) në vendet jugore të Europës. Një rastësi kjo? Jo, këta veriorë, duke qenë më të drejtë, janë edhe më vetkritikues nga ata jugorë. Kështu ata nuk e lëshojnë menjëherë një akuzë ndaj të tjerve, nga sa e lëshojnë jugorët. Pra, edhe vetë ky fenomen i kritikës ndaj opingës në jugun europian, na tregon se kjo opingë (masa ankuese e qaramane) është në atë gjëndje të saj jo vetëm për shkak të vetvetes, por edhe të këtyre kollaroxhinjve të molepsur me padrejtësinë (krimin, mashtrimin, vjedhjen, etj.). Pra, çfarë shohim pas devizës së Ilva Tares? Çfarë dallojmë pas akuzave të atij të kapuri (kamuri) shqiptar në fejsbuk ndaj qaramanve? Çfarë kuptojmë pas akuzave të Ermal Mamaqit ndaj opingës shqiptare? Pyetja është për ty! Diskutimi vazhdon! 2.2.2026
Cdo kritikë është e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por si gjithnjë me referimin: nga Robert Thomanikaj.