1l ndryshimet e gjeneratave

           Ndryshimet e gjeneratave

Pamë në dy shkrimet e mësipërme dy statuquo të ngjashme, atë të një individe -Florencës në Amerikë në fillim të sh.20- që nuk e di(nte) saktë se sa në rregull është (ishte) me arritjet e saj; pamë edhe statuquonë e shoqërive në përgjithsi, tek e cila -duke hequr një paralele të mesme mes tyre- dallojmë që shoqëritë veriore europiane janë më të emancipuara e të ndershme nga shoqëritë jugore europiane, pra tek këto të dytat kemi më shumë korrupsion dhe pandershmëri, që d.t.th. se njohja e vetvetes në këto shoqëri jugore është më e pakët, këto shoqëri nuk e dinë saktë se sa në rregull janë. Edhe historikisht po ti shohim, qysh nga ndikimi verior dor në Peloponez dhe Athinë, që i dha një zhvillim atyre shoqërive, apo në Romë arriti kulmin e ligjeve laike (jo fetare), më pas është Europa ajo që bie në errësirë prej turmave jug-lindore fetare, dhe duhej një Kushtetutë moderne në Amerikë (1778) dhe një revolucion francez (14 korrik 1789), që idetë përparimtare të përhapeshin sërish. Pra, ashtu siç zhvillimi teknollogjik në kohët e lashta deri ato antike erdhi nga lindja, zhvillimi mendor-ideor nga antikiteti i hershëm deri më sot erdhi nga veriu. (Nuk po hapemi tek ndikimi i kulteve, pasi tema del mjaft e gjatë pastaj.)

Ndërkohë që këto gjëra janë mësuar në shkollë dhe dihen prej të shumëve, (që i përsërisim nuk bëjmë keq), po kështu edhe ndryshimet e gjeneratave nga njëra tjetra njihen, (me mijra poezi dhe tregime letrarë -pa llogaritur shkrimet dhe librat- ekzistojnë për këtë problem). Ndërkohë që në një shkrim të mëparshëm vumë në dukje mangësitë e brezit të sotëm të ri në arsim e dije, po kështu -në të kundërtën e këtij fenomeni- na duhet të pohojmë, se brezi i ri sot është më i zhvilluar dhe më i vetëdijshëm nga brezi ynë në drejtim të aspekteve sociale. Përveç se kemi një kriminalitet më të vogël në brezin e ri të sotëm, nga ai në kohën time për të njëjtën moshë, (natyrisht, standarti i rritur i jetës sot ndikon në këtë gjë), kemi edhe një vetëdije më të ngritur etiko-biologjike në aspektet e bashkjetesës çiftore. Para pak ditësh, televizori gjerman dha një lajm, ishte përfundimi i një studimi social nga një grup studimor, që thosh se, para disa vjetëve, në vitin 2019, ishin 34 % e 16 vjeçarve që kishin kryer marrdhënie seksuale për herë të parë, ndërsa në vitin 2025 ishin 23% e kësaj moshe; gjithashtu, ndërsa në vitin 2019 ishin shumica 17 vjeç në kryerjen për herë të parë të marrdhënies seksuale, në vitin 2025 ishin shumica e tyre 19 vjeç. Pra, megjithse liritë e njeriut në këtë drejtim dhe informacioni po në këtë sferë nuk kanë patur ndonjë ndryshim nga viti 2019 deri në vitin 2025, ne kemi një frenim (ndryshe: pjekje etike-morale-ndjesore-ndërgjegjie-informacioni) nga të rinjtë. Sepse nuk mund ta mohojmë, që aktivitetin seksual nuk kemi si ta barazojmë me aktivitetin e gjimnastikës, apo të leximit, apo të ngrënies dhe pirjes! Aty është shumë më tepër se një nevojë fiziologjike! Është një ndërgjegjsim që, përveç se me ndjenjat, lidhet edhe me përgjegjsinë ndaj të ardhmes së këtij të riu dhe shoqërisë ku ai jeton.

Si ka ardhur ky ndërgjegjsim? Duket, për shkak të tele-komunikacionit kemi një përfshirje më direkte e më të madhe të botës rrethuese nga mëndja dhe ndërgjegjia e këtyre të rinjve. Kështu veprojnë po të njëjtat ligje si në Natyrë. Sa më të mëdhenj trupat dhe bashkveprimi i tyre, aq më pak eksese kemi ndërmjet tyre. Kjo botë e sotme nuk vepron më si dikur, ku individi -sado diktaturë shtetërore të ekzistonte- ai ndjehesh në shumë drejtime të tjera më i lirë se sot, si më i vogël që ish, apo që veprimet e tij rrezatonin përreth një hapsire të vogël dhe kuadri të pakët njerëzish. Sot, një fjalë a një veprim rrezatojnë përmes mediave -sidomos internetit- në një hapsirë të madhe e në një kuadër tepër të madh njerëzish. (Nuk llogaritëm edhe sistemin e kamerave të gjithkudo-ndodhura, që po ashtu e zgjerojnë kuadrin përfshirës të botës në mëndjen dhe vetëdijen e njeriut.)

Kështu, duke u njohur me këtë dukuri dhe ligjësi natyror-shoqërore, ne pyesim: ç’na sjell e ardhmja në aspektin e njohjes së vetvetes nga njeriu, në njohjen e shoqërisë ku ai jeton? (Nuk po hapim sërish temën e lirive individuale të njeriut, që në këtë botë kaq globale po humbin nga dekada në dekadë, sepse dalim nga tema.) Si do të sillet me vetveten Florenc Jenkins-i (imagjinar) në fillim të shek. 22? Si do të sillen të kapurit (kamurit) shqiptarë me opingën ankuese të shoqërisë në fillim të shek. 22? Rezultati -hipotetik- na detyron të pohojmë, që Florencia -imagjinare- e ardhme do të jetë më e përmbajtur në koncertet e saja, ajo nuk do të fluturojë menjëherë tek Skala e Milanos, por do të japë koncerte në salla më të vogla e në publike më të vegjël. Edhe afendikojtë shqiptarë të fillim shek. 22 nuk do ti lëshojnë aq lirshëm akuzat e tyre ndaj opingës, si vetfajtore për gjëndjen e saj prej opinge, por do të jenë më objektivë me realitetin, pse jo: më vetkritikë! Të paktën ky është përfundimi (hipotetik) teorik. Pasi në realitet janë shumë faktorë të tjerë që ndikojnë PRO në një vend dhe KUNDRA në vendin tjetër, për të njëjtin fenomen e ligjësi. Por këto detaje do t’ia lë shkrimit pasardhës. 3.2.2026

Cdo kritikë është e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.

Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.