1m … une

    Ku gjindem unë në këtë njohje të vetvetes? 

Siç thotë një tregim i Azis Nesinit, është kollaj të japësh këshilla tek të tjerët, ndaj problemi është: si shkon njeriu me veten e tij, sa e njeh ai vetveten!? Në rastet më të shumta të qënies dy-këmbësore, nuk gjen njeri ta shaj vetveten, çdokush e nxjerr veten e tij të larë e të pastër, ndaj më vjen edhe pak për të qeshur tek po nis të shkruaj këto radhë, sepse nuk e di nëse duhet ti shtoj artificialisht ndonjë të keqe vetes, për ti qëndruar besnik maksimës sokratiane: njih vetveten! Ja bravo, do thonë në këtë rast, një njeri që i njeh gabimet e tij! Sidomos tek populli ynë, që s’le rast pa e kërkuar tek tjetri këtë maksimë!.. Pse shkruan, më pyeti para nja tre vjetësh një roje tek një shkollë, ku çova ca libra të mijt për bibliotekën. Nisa ti them ato që dinte çdokush, se njeriu shkruan kur ka gjëra të reja për të thënë, shkruan për ta bërë këtë botë më të mirë, shkruan që t’u japë kënaqsi lexuesve. Mirpo roja u muar me disa të tjerë, kështu nuk e zbraza dijen shkollore. Vjet (2024) një mësuese e një shkolle të mesme mu drejtua, tek unë doja ti lija për bibliotekën e shkollës disa libra të mitë: -po ti çfarë përfitimi ke, që i jep falas librat e tu, sepse jemi në kapitalizëm dhe nuk të fal njeri sot gjë, pa patur një përfitim! Unë iu përgjigja: -unë përfitoj indirekt nga një shoqëri më e mirë, se librat i bëjnë njerëzit më të mirë, më të pjekur, më të ditur, dhe fëmijët e mij mund të jetojnë më të qetë në një shoqëri të ditur, nëse do jetojnë në Shqipëri!.. Paçka se përgjigjia ime nga një vesh i hyri e nga tjetri mund ti ketë dalë zyshës, këto raste të japin të kuptosh, se në Shq. studimi dhe libri bëhen jo rallë për përfitime të ndryshme, apo edhe kështu kuptohet se bëhen, për emër e lekë, pas të cilave vijnë edhe përfitime të tjera!

Mos ndoshta edhe unë bëj punë studimore dhe krijuese letrare për këto lloj përfitimesh!? Mos ndoshta në thellësi të shpirtit tim prej krijuesi rri i fshehur ndonjë demon manjiak-seksual, ndonjë arrivist brrylaxhi, ndonjë makut parash!? S’duhet të na vijë turp t’ia drejtojmë vetes këto pyetje. Përgjigjet na vijnë vetvetiu ndër vite. Mund ti nisim studimet, krijimtarinë dhe angazhimet sociale e politike si një idealist, por pas disa vitesh mund të kemi përfunduar në një delenxhi, në një servil, në një arrogant, në një arrivist, në një kurvar, në një kameleon e amfib pa shtyllë kurrizore. Jeta nuk ikën pa na i treguar kush jemi e ku gjindemi. E mira është ti futemi vetë vetes më parë, se të na e tregojë jeta kush jemi, para se t’na i tregojnë të tjerët kush jemi e ku jemi! Ti futemi vetes të njohim vetë dobësitë tona! Sepse të njohësh dobësitë, d.t.th. ti reduktosh ato!

Në ato 45 vite diktaturë, X-i dhe Y-i nuk vodhën e nuk grabitën! Partia i dekoroi për sjellje të mirë e shëmbullore! Me të hyrë “demokracia”, X-i dhe Y-i iu hodhën rezervave të shtetit dhe muarën sa s’mbanin dot më; biles edhe prishën mallin e shtetit dhe popullit! Në ato vite “socializmi”, shoku S ishte një komunist i mirë! Por edhe në këto vite kapitalizmi, shoku S është një anti-komunist i zoti! Në këto rreth 23 vite martesë, autori Robert Th. i ka qëndruar besnik gruas së tij. Por, si dhe pse? Sepse ka dashur apo se s’ia ka hedhur asnjëra qurret, apo se është ngulur aq shumë tek krijimet dhe zbulimet e tija, sa s’ka patur kohë për të kullotur sytë i shkreti?! Shihet pra, se njohja e vetvetes është shumë më e thellë se sa duket në sipërfaqe!

Kush garanton, se edhe një idealist mund të bjerë në rrjetën e interesit privat, korrupsionit dhe tradhëtarit bashkshortor pas zgjedhjes së tij në postin e deputetit, ministrit, kryeministrit, presidentit?! Sopranoja Florence, që pamë tek shkrimi i parë, u përplas me njohjen e vetvetes pasi lexoi një artikull kritikues gazete mbi zërin e saj. Dhe sa e sa studjues me gjithfarë titujsh kemi sot, që një a disa miqësi e kanë favorizuar?! Por që nuk u bie rasti kurrë të përplasen me një kritikë të denjë konstruktive!..

Në rastin tim, fati më ka privilegjuar në këtë drejtim, pra më ka përplasur shpesh me kundërshtarë e të pakënaqur ndaj krijimeve dhe punëve të mija shkencore. Aq shumë më ka nxjerrë stërkëmbça të rrezikshëm thyers-qafe, sa -dua s’dua- jam detyruar tu rikthehem sa herë këtyre krijimeve e punimeve shkencore, për të gjetur të metat. Dhe disa i kam korrigjuar. Biles, më është dashur të jem edhe mjaft i rregullt me jetën time, (dreqi e marrtë!), sepse duke kërkuar gjithnjë drejtësi, këtë isha i detyruar t’ia kërkoja vetes më parë!

Pra, që t’mos ta zgjasim tërkuzë, jeta u jep disa njerëzve shumë herë shancin të refekletojnë tek vetja, ti kthehen e futen vetes me plug të thellë çeliku, për të parë ndërgjegjen e tyre! Shumë të tjerve ky shanc u jepet më pak. Sa më shumë njeriu mëson, lexon e shef filma, aq më i ndërgjegjshëm e i vetëdijshëm bëhet. Librat, filmat, teatri, etj. na kanë edukuar pa e patur vëmëndjen në këtë edukim. Ndaj dhe qytetarët në Shq. ishin shumë më të vetëdijshëm e më njohës të vetvetes nga fshatarët e djeshëm, sepse ishin disa herë më të lidhur me artin dhe arsimin. Ndaj dhe asnjë nga ne banorët e pallateve në Allias nuk iu vërsul tokës së serave në prishje e sipër aty në krah, siç iu vërsulën dita-ditës fshatarët e zbritur nga rrethet veriore. Arsimimi dhe krijimet artistike kishin bërë punën e tyre tek ne, fatet e sa e sa personazheve kishin formuar ndërgjegjen tonë. Më kujtohet tani një film gjerman i 30 vjetëve më parë, ku një kryetar revolucionar komunist i një partie të vogël ultra të majtë, të viteve ’90, merr një trashëgimi prej disa qindramijra marka. Shokët e partisë mendojnë se ai, si komunist që është, do i derdhë ato parà në kasën e përbashkët të partisë së tyre. Mirpo atij i lindin instiktet e pronës private, kështu ia mbath me të katra me gjithë markat, shokët i vihen poashtu me vrap nga mbrapa!.. Një skenë për të qeshur … në film, por -mendoni se- situata të tilla ka edhe në jetë; dhe në jetë kërrkush ia uron vetes!.. 14.2.2026

Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.

Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.