Vetja, familja, shoqëria
Pas odisesë së kaluar (shtator 1984 ÷ qershor 1985), pra arrestimit dhe hetuesisë 4 mujore nën akuzën për arratisje, si dhe stazhit në psiqiatrinë e Elbasanit (6 muaj) me vendim gjyqi, shkoj të takoj një shok të shkollës 8-vjeçare, Arjanin, për të marrë ca shkrime që i kisha lënë një vit më parë, (një projektkushtetutë dhe ca skeçe humori). Në muhabet e sipër ai më thotë, nëse i kisha parashikuar internimin dhe vuajtjet e familjes, tek kisha menduar për arratisje!? Asaj kohe, internimi i pjestarve të familjes në ndonjë fshat të humbur dhe nënshtrimi i tyre ndaj punës bujqësore me kazëm e lopatë, kur dikush arratisej jashtë shtetit, ishte normativë e zakonshme. Dramat ishin të shumllojshme, po të kemi parasysh që në këto raste kishim edhe ndarje burrë-grua nën presionin shtetëror, shoqëror dhe farefisnor. Pra, sado budalla të ishte ai që donte të arratisej, ai e dinte se familja do të vuante konsekuencat nga veprimi i tij.
Shohim se këtu nuk bëhet më fjalë për njohje të vetvetes, por edhe për përgjegjshmërinë që njeriu ndjen e duhet të ndjejë karshi pjestarve të tjerë të familjes, pse jo edhe farefisit, si dhe shoqërisë që po lë, pra jo vetëm karshi vetes. A ishin të papërgjgjeshëm ata që donin të arratiseshin? Apo, përkundrazi, mendonin se veprimi i tyre do ta godiste në zemër atë pushtet diktature e kështu do vinte ndryshimi? A mendonin vetëm për veten e tyre ata që donin të arratiseshin? A e përmisonin jetën e familjarve që po linin, (bie fjala, përmjet dollarve që çonin nga jashtë), apo e përkeqsonin më shumë? A po ndikonin edhe tek shoqëria që po linin? Nëse po, e bënin atë më tolerante apo më konservatore?
Këto pyetje e shumë të tjera kalonin asaj kohe edhe në formë latente tek trurët e atyre që u shkonte mëndja për arratisje, pra si lloj ndjesie! Nuk shtroheshin diskutime të qarta e të hapura në këtë fenomen, e shumta lëshoheshin disa prej këtyre pyetjeve në formë paralajmërimesh nga familjarë e të afërm të tjerë tek të rinjtë që shfaqnin shenja mos-pëlqimi të jetës aty në Shq.. Në këto raste, ndërgjegjia e të riut vinte në kandar shpëtimin e tij, dëmin familjar, ndikimin tek shoqëria dhe tek shteti. Tek disa kjo vihej më latentisht në kandar, pra trubullt, tek disa të tjerë kjo vihej më qartë në kandar dhe konsekuencat ishin më të qarta. Shkurt, dëmi familjar dallohej me kilometra larg! Pastaj, përsa i përket raportit mes shpëtimit të vetes dhe goditjes tek pushteti, këtu ndaheshin në dy grupe ata që mendonin për arratisje; grupi i parë -kryesisht ata nga fshati- ishte më i madh dhe përmblidhte ata që mendonin më së shumti për veten, grupi i dytë -kryesisht ata nga qyteti- ishte më i vogël dhe përmblidhte ata që mendonin më shumë për goditjen e diktaturës. Ata të grupit të parë mendonin se, duke parë punën e tyre do të kishin mundësi të ndihmonin familjen e dëmtuar në Shq., ata të grupit të dytë mendonin se, duke goditur pushtetin, do ndihmonin direkt shoqërinë shq. dhe indirekt familjet e tyre të dëmtuara në Shq.. Në të vërtetë, diktaturën e asaj kohe arritën ta godisnin vetëm pak prej të arratisurve, që ishin njerëz të njohur në publik apo që folën nëpër televizionet e huaja. Pra, duhej të ishe jo aq racional në kokë -siç duhet të kem qenë edhe unë- tek mendoje se do ta godisje atë diktaturë nga jashtë. Por, po ta mendosh, se sasia e tentativave të arratisjeve ndikonte në zbutjen e diktaturës, (dhe ndikoi vërtet, sepse nuk bëhej më fjalë për individë të veçantë, por për shumë të rinj), duket se veprimi i arratisjes ishte një akt i domosdoshëm në dobi të shoqërisë dhe -rrjedhimisht- të familjes tënde! (Në 1984 u bënë rreth 250 tentativa arratisje, nuk e di nëse në rang vendi apo vetëm nga të rinjtë e Tiranës, gjë që partia e shtroi hapur në mbledhjet e Frontit nëpër lagjet e ndryshme të Tiranës.) Sot, gjithë këto tentativa arratisje shihen si përshpejtim i rënies së asaj diktature “socialiste”, por asaj kohe nuk shiheshin aq si sot!
U zgjatëm tek veprimi i arratisjeve të asaj kohe diktature, për të kuptuar jo aq relativitetin e veprimeve dhe sistemeve, por për tu thelluar në këto probleme të ndër-varura tek njëra-tjetra, njohjes së vetvetes dhe (pa)-përgjegjshmërisë ndaj familjes e shoqërisë. Tani problemi është, që diktaturat e nyjet diktatoriale ekzistojnë edhe sot në shumë shtete të botës, pra edhe tek këto perëndimore. Që i bie, se kundërvënia e qytetarve ndaj këtyre aspekteve negative dhe nyjeve diktatoriale mund të trajtohet si akt i dobishëm për shoqërinë, paçka se këtyre njerëzve u sjell dëme, deri dhe familjare! Ju kapeni prej zhelesh nga policia e aeroportit dhe dilni nga avioni, vetëm për shkak se shoqëritë e avionve shesin më shumë bileta ndenjëse, me argumentin se një deri dy pasagjerë nuk paraqiten shpesh herë në udhëtimin e tyre! Ju hani gjobë dhe shkoni në burg, tek ju akuzojnë si fallsifikator, sepse zyrtarja me buzët e lyera trashë me të kuq ju ka shkruar gabim emrin tuaj në dokumentin zyrtar! Ju mashtroheni nga një firmë telefoni si miliona të tjerë, por -ndërsa të tjerët ndihmohen nga avokatët- ju kaloni në kalvarin e dënimeve të tjera! Ju mbaroni shkëlqyeshëm fakultetin, por keni pak shance të gjeni punë, sepse emri juaj tingëllon oriental! Ju, (si puna e atij në Magdeburg, që kaloi sëfundi në fazë, duke shtypur njerëzit me veturën e tij), kritikoni autoritetet zyrtare për përkrahje të elementëve radikalë islamikë, dhe zyrtarët ju injorojnë dhe nënqeshin me ju! Juve ju nxjerrin qumshtin e nënës disa prej zyrtarve, duke ju kërkuar dokumenta pa fund për një shtesë page! Juve lini shtetësinë e vendit ku jeni dhe, për këtë shkak, ju lenë pa asnjë lloj dokumenti muaj të tërë, që ju të konsideroheni ilegal e të paguani më pas gjobë, o të shkoni në burg! Ju kundërshtoni shkeljet e ligjit nga zyrtarët dhe, si shpërblim merrni jo vetëm dënime shtetërore, por edhe talljen e një pjese të shoqërisë, inkluzive edhe të familjarve tuaj! 16.2.2026
Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.