Heinrich Schliemann
Mbrëmë të shtunën (7.2.’26), tv-arte dha nje emision mbi “zbuluesin” e Trojës, Henri Shliman-in. Nuk ka njeri nga brezi im mos të ketë dëgjuar a lexuar mbi arkeologun e apasionuar amator gjerman, i cili punoi në rini të tij në gjithfarë punërash të rëndomta dhe, me paratë e mbledhura, iu dha ëndrrës së tij fëminore, zbulimit të botës epike homerike. Unë e kam patur si një idol arkeologun amator gjerman, sepse shihja tek ai arritjet e pasionit të njeriut, edhe kur ky njeri nuk kish studjuar për degën së cilës i vihej. Mirpo, duke u lidhur përherë e më shumë me arkeologjinë (teorike) dhe historinë, vëreja përherë e më shumë xhanbazitetin e Henrit në gërmimet e tij në Peloponez dhe Hisarllik të Turqisë së sotme. Përherë e më tepër më zbehej figura e tij, tek mësoja e dalloja gërmimet e kryera nën metoda anti-shkencore të ekipit të tij, të kryera nën shtytjen e sëmundjes së lavdisë! Metodat e tija kërkuese ishin kritikuar nga bota shkencore e arkeologjisë qysh në kohë të tij, por këto kritika humbnin si kripa në ujë përpara aureolës që bota e atëhershme mediatike i vishte atij. Ju veç mos qofshi gjerman, të provoni gjykime objektive; se si gjerman mbuloheni me kurora dafine sikur edhe -më falni për shprehjen- një mut të madh të bëni!
Duke parë ditë më parë trajlerin (reklamën e shkurtër) mbi emisionin e të shtunës, m’u duk se bota gjermane po e pranonte sëfundmi hapur e me zë të lartë xhanbazitetin e Henrit në arkeologji dhe histori! Mirpo u zhgënjeva, ishin po të njëjtat kritika të buta e të njomëza mbi metodat e zbatuara nga Henri në arkeologji! Lëre po, edhe mos-përputhja e përshkrimeve të rapsodve homerikë me kodrën në Hisarllëk kalonte me pak fjali! Në fakt, kjo mospërputhje e dalluar qysh në fund të sh. XIX me zbulimet e Henrit çoi në hipotetizimin e Trojës në vende të tjera; kështu na ka dalë Troja sa në vendet baltike aq dhe në Krime, sa në Kretë aq dhe në jug të Azisë së Vogël, sa në Rumani aq dhe në Bullgari, sa në Meksikë aq dhe në Japoni, deri më tani janë “zbuluar” nja 30 Troja (Ilinois)! (Nuk po ndalem edhe në fushën Lezhë-Shodër dhe dy kalatë përkatëse, të cilat përputhen me përshkrimin homerik, sepse nuk është kjo tema e këtij shkrimi.)
Pra, (megjithse Perëndimit dhe Gjermanisë nuk i mungojnë historianët seriozë), emisioni në fjalë përmendi me zë të ulët metodën kërkimore anti-shkencore të Shlimanit, po me zë të ulët përmendi edhe mospërputhjet e përshkrimit homerik me zbulimet në kodrën Hisarllëk, dhe -siç e do zakoni gjerman- nuk arriti të dënonte punën makabre e xhambaze të Shlimanit! Të mos llogarisim pastaj edhe vjedhjet e xhevaireve të gjetura si dhe korruptimin e nënpunsve osmanë nga xhanbazi Shliman, të cilat kështu që kështu nuk u përmendën!
Megjithse gjermanët mbajnë rekord në Europë për studime historike, edhe të pa-anshme biles, mendoj se ata mbajnë rekord për manipulimet historike dhe metafizicitetin e tyre në histori. Kjo e dyta e ka rrjedhën qysh në fillime të shek. XIX, kur kombi gjerman po formohej dhe -për shkak se ata vinin në këtë aradhë nacionale pas disa kombeve të tjerë- tek ‘ta u shfaqën komplekse inferioriteti më të mëdha, të cilat çuan në një nacionalizëm të sëmurë, më të mbyllur e konservator, më fanatik e më kundërshtues ndaj përbashksive europiane. Kështu ata nuk arritën të shohin përkatësitë fetare tek popujt e lashtë dhe ata antikë, por vetëm popuj nacionalë; kështu kimbrët (qimbrët?) në veri dhe teutonët (te-u ton-i, diellor-tokësor) në jug përbënin për ‘ta popuj nacionalë dhe jo fetarë! Nën këtë frymë dhe me subvensionimet e tyre në arsimin e disa vendeve të Europës (fillimisht në Greqi) nisën të konsideroheshin të gjithë fiset dhe popujt e lashtësisë dhe antikitetit si popuj nacionalë, një gabim trashanik ky i vazhduar sot nga rreth 99% e historianve në Europë. Kështu, sot shihen eolët, pellazgët, jonianët, trojanët, teukrit, dardanët, likët, mirmidonët, akejt, danajtë, efiriotët, lakedemonët, etolët, thesprotët, thesaljanët, korkyrasit, korinthasit, thrakët, peonët, panonët, mizët, helenët, parthët, persët, skithët, etj.-etj. si fise e popuj nacionalë, në një kohë që dimë se skithët ishin popuj me gjuhra të ndryshme, por të ndryshëm edhe nga europianët, helenët nuk kishin të njëjtën gjuhë gjatë ekzistencës së tyre mbi 1000 vjeçare, dardanët na dalin në tre vënde të ndryshëm e në dy kontinente, persët identifikoheshin me Diellin e tyre, e sa e sa karakteristika jo-nacionale të tyre ndër këta popuj e fise!
Mendoj se, sa më parë historiografia gjermane duhet të revizionojë veten e saj, duke nisur nga xhambazët Shliman dhe gjithfarë dallkaukësh të tjerë fanatikë biblikë, që bredhin në Lindjen e Afërt e të Mesme si arkeologë dhe “gjejnë” prova biblike të Goliatit dhe Davidit! Mbi të gjitha, historiografia botërore duhet të largohet nga ky ndikim i historiografisë anglo-saksone, e cila sheh kudo e kurdo vetëm popuj nacionalë, duke i shtrirë këta deri në lashtësi, (mijra vjet para antikitetit)! Për më tepër që kjo historiografi dhe këta historianë e dinë fort mirë, se atyre kohrave shoqëritë identifikoheshin më parë me kultin e tyre; paçka se nuk e dinë saktë, se me cilin kult! Në këtë dije të fundit -le t’ma marrin edhe për skicofreni thënien pasuese- punimet e mia historike e semantiko-etimollogjike i ndihmojnë bollshëm. Këto studime janë vërtet amatore, siç edhe studimet e Shlimanit, janë vërtet po aq pasionante sa studimet e Shlimanit, por ato ndryshojnë nga ato të gjermanit, sepse kanë për orientim vetëm yllin polar të së vërtetës dhe jo yllin e xhevaireve të florinjta e lavdi-kërkuese të tij! Disfavori i vetëm i studimeve të mia ndaj atyre të Shlimanit është fakti, se këto ranë në një popull që të injoron e të degradon, sikur edhe vezën e kuqe të bësh, ndërsa studimet e Shlimanit ranë në një popull dhe shtet që të ngre lart, sikur dhe kak të bësh! Të dyja qëndrimet janë të dëmshme! 8.2.2026
Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.