Përfundime
Mund të flasësh pa fund për temën e njohjes së vetvetes, temë e cila është e lidhur si mishi me thoin me temën e përgjegjshmërisë së njeriut në shoqëri, por edhe kaq sa thamë -me këto shtatë shkrime të shkurtëra- mendoj se mjafton për lexuesin e fejsbukut. Nuk solla gjëra të reja, por përsërita shkurt ato që janë “harruar”. Gjithkush mund ta zgjasë melodinë e tyre, duke ruajtur si strumbullar ato pika që trajtuam.
E lamë tek tallja dhe dënimet e familjarve ndaj njerëzve të tyre, këtyre njerëzve që -instiktivisht a me llogjikë guximtare- u kundërvihen fenomeneve negative, veprave dhe akteve antiligjore, çdo lloj krimi të bërë nga struktura qeveritare, biznesore a qytetarësh të tjerë. Ç’të duhet ty ore debil të interesohesh për këtë punë, rri ore se do na marrësh në qafë, ngele ti tu kundërvihesh atyre, po a e di more se ata janë të rrezikshëm e të zhdukin, ç’përfiton ti nga kjo gjë, si more dole ti më i zgjuar se të tjerët, kujdes se do ta hash mbas qafe, po ne të shkretët pse duhet ta hamë nga llapa jote, kush ta morri mëndjen, nuk ke aspak të drejtë, nuk na interesojnë faktet dhe argumentat e tua, nuk ngeli ligji ta mbrosh ti, -e sa e sa të këtilla dëgjon nga familjarët e tij një nga këta “të çmëndur”! Dhe, këto janë goditjet dhe dënimet më të mëdha -mendoj unë- për këta “të çmendur”, që ‘fusin hundët në punët e të tjerve’. Mirpo -dhe këtë e di çdo kush, por e pret nga të tjerët- pa këta “të çmendur” njeriu do kish ngelur në epokën primitive të shpellave!
Këtë e shohim -bie fjala- në botën arabe. Atje kritika ndaj fesë mbytet qysh në embrion! Tentativat e femrës për t’u çliruar nga pushteti patriarkal dënohen me mënyrat më të ashpra! Mendimet e hapura ndaj pushtetit mbretëror-fetar luftohen me gjithfarë formash! Dhe kjo vjen sepse njerëzit “e çmendur” kritikues janë ende pak atje. Ata pak kundërshtues e kritikues, pushteti fetar-mbretëror, si dhe shoqëria konservatore, ua mbyll kollaj zërin! Vetëm telekomunikacioni po arrin edhe në këtë botë tej-konservatore të ndihmojë sado pak në evolimin mendor e ideor të arab-folësve!
Natyrisht nuk kemi pse e shohim vetëm në këtë formë kundërshtuese–“skicofrenike” përgjegjshmërinë ndaj familjes dhe shoqërisë, aq më pak tek njohja e vetvetes, si dhe tek goditjet që i japim të keqes, diktaturës, etj.. Kemi edhe qëndrime pasive që e godasin të keqen po aq fort sa dhe qëndrimet aktive! Nëse ju nuk buzëqeshni kur buzëqesh shefi arrogant, nëse ju nuk tregoni hidhërim kur shefi injorant është i pikëlluar, nëse ju nuk i kryeni të gjitha porositë e shefave, nëse ju nuk tregoni entuziazëm kur të tjerët entuziazmohen nga një vepër diktatoriale e anti-ligjore, nëse ju rrini i tërhequr kur fanatikët vrapojnë me urat e zjarrit në dorë, nëse ju nuk duartrokisni kur hiearkiku dërdëllit papushim gjëra pa vlerë, nëse ju nuk i bashkoheni gjithfarë rrymave nacionaliste e denigruese të popujve fqinj, nëse nuk lini komentet tuaja tek teoritë dhe hipotezat antishkencore, ju e keni bërë -të paktën 50%- detyrën tuaj! Biles, jo rrallë ju jeni në një qëndrim më të drejtë e të dobishëm nga një kritikues i përditshëm e i paepur, sepse -jo rallë- këta kritikues të paepur e bëjnë këtë kritikë për të siguruar një vend të mirë pune! Pra ata blihen, (ndryshe: bëjnë paqe me djallin), ndërsa ju jo!
Kështu, me këto qëndrime përfituese të njeriut kritikues, teoricien, “patriot”, “shkencëtar”, “të drejtë”, etj., ne iu afruam fundit të temës tonë. Po si ajo pema që nis nga rrënjët dhe hapet lart, për tu mbyllur sërish në majën e saj, kështu edhe këto shtatë shkrime u shpalosën për lexuesin e fejsbukut. Kështu erdhëm -gati- aty ku e nisëm, tek artistët, këngëtarët, shkrimtarët, historianët, shkencëtarët, etj., (të gjithë këta: me thonja e pa thonjza), mbrritëm sërish tek ky grup njerëzish, ku koha na jep të kuptojmë sa ata janë vërtet artistë, këngëtarë, shkrimtarë, historianë, shkencëtarë, etj.. Duket se po jetojmë kohëra paksa të mbrapshta në këtë drejtim, sepse -mendimi im ky- po shohim që politika është mbushur me biznesmenë dhe njerëz tepër materialistë, që biznesi është mbushur me mafiozë, përdhunues dhe njerëz që nuk mendojnë për ambientin, që dega e historisë po nis të mbushet me demagogë nacionalistë, që lëmi shkencor po nis të mbushet me teorira fanta-shkencë e gjithfarë pseudosh, që po na largojnë nga ligjet e natyrës dhe po na afrojnë drejt feve të reja klasore! Tu kundërvihesh të gjithë këtyre, shto aty edhe fanatikët fetarë, shto edhe intelektualët megallomëdhenj, shto laskarët e bizneseve gjithfarëlloj, shto edhe injorancën e përgjithshme të shoqërisë, do të thotë të bësh vetëm kundërshtarë e armiq, do të thotë ti hapësh varrin vetes! E megjithatë, rrugë tjetër nuk ka, mendoj! Ndaj unë -pa pretenduar se e njoh 100% veten- kam qëndruar në këtë kamp, gjithë jetën, herë i heshtur e më së shumti me zë. Në të kundërt, heshtja dhe puqja me gjithë këto negativitete të shoqërisë dhe superstrukturës së saj, sjell një fund më të afërt e më të keq për mua e për të gjithë ne, për fëmijët tanë gjithashtu! Vetëm mos-puqja me këto subjekte dhe fenomene negative, sado të mëdha e të rrezikshme të jenë ato, sado i vetmuar të gjindesh ti në këtë mos-puqje, sado i shkelur e i pa-shpërblyer, sjell nderimin tënd, sjell sigurinë e familjes tënde, sjell evolimin e shoqërisë dhe punës së sejcilit! Paçka se ky nderim, siguri dhe evolim nuk bien në sy! Pikërisht, kjo mos-rënie në sy e tyre tregon se ato janë në rrugën e duhur! 17.2.2026 (FUND i temës ‘njohja e vetvetes’.)
Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por si gjithnjë me referimin: nga Robert Thomanikaj.