CV-ja ime -vrasës!
Vjet nga pranvera, një i njohur në lagje më kërkoi ta ndihmoja për biznes në Gjermani. E sqarova mirë, se në këtë fushë nuk e ndihmoja dot, sepse për biznes dhe tregëti isha i paaftë, isha një dështak, pasi e kisha provuar e nuk ia kisha dalë mbanë. Më tej i ofrova ndihmën time në punën e tij të mjeksisë, biles pa pagesë, duke e sqaruar se e kisha të nevojshme punën fizike tre-katër ditë në javë dhe disa orë për çdo ditë, kur ndodhesha në Shq.; shtova dhe faktin se mund të bëja çdo punë dhe nuk kisha ndoht nga asnjë lloj pune.
Aty nga vjeshta, para se të largohesha për në Gjermani, miku më tha të bëja një lloj CV-je. Duket do kish pyetur atje tek puna e tij, në lidhje me ndihmën që unë ofroja, dhe mund t’ia kishin kërkuar -në formë rregulli. Nuk e di saktë. S.d.q., tani po e bëj një lloj CV-je.
Quhem Robert Thomanikaj dhe profesioni im është vrasës. Po-po, unë godas njerëz të ndryshëm për ti plagosur rëndë, që -kur të ringrihen- të mos kenë më mundësi ta dëmtojnë këtë botë. Shumë prej tyre nuk e marrin më veten, vdesin! (Besoj e kujtoni goditjen që i dhashë Osama bin Lades! Vdiq i shkreti! Ameriksit, me ta marrë vesh, inskenuan gjoja vrasjen e tij, që nuk e pa as edhe një!) Nganjëherë unë vras edhe grupime të mëdha njerëzish, … nuk po zgjatem me të gjitha rastet, se këto vrasje i keni në shkrimet e mia. Ndaj këtu, në këtë shkrim të shkurtër fejsbuku, do rreshtoj vetëm dy vrasje të ngjashme të miat, e para e kryer aty para nja 40 vjetëve në Shq. dhe e dështuar, e dyta këtu në Gjermani, duket se ka sukses, pasi ata që kam qëlluar po lëngojnë prej javësh e muajsh, -kjo dallohet tek hakmarrja që po duan të kryejnë ndaj meje!
Aty nga viti 1987 i shkrova Presidiumit të Kuv. Pop. për heqjen e shtetësisë shqiptare. Këtë kërkesë nuk e bëra aq për ti plagosur zyrtarët atje lart, siç kujtoja se do të ndodhte, por e bëra për të hequr përgjegjsinë time ligjore në rast të një tentative arratisje, apo kërkese për tu larguar nga vendi. Pas disa ditësh më erdhi një letër nga shokët e Presidiumit, që më ftonin me mjaft dashamirsi në zyrat e tyre, për ta diskutuar kërkesën time. Natyrisht që unë nuk vajta, sepse i njihja dobësitë e mia, njihja edhe lojën e tyre, pra e dija se ata do të fillonin me llogje kavaje, po pse Robert don ta heqësh shtetësinë shqiptare, partia ashtu e partia kështu, dhe unë i sugjestionuar do ikja me buzëqeshje idioti, duke u dhënë edhe dorën. S.d.q. kuptova nga letra e tyre, se kërkesa ime nuk kish bërë ndonjë plagosje të rëndë tek ‘ta, duket kjo e kishte shpjegimin tek fakti, që kjo kërkesë ishte bërë nga një qytetar jo i rregullt nga mëndja, një i sëmur psiqik, (duket ata i merrnin të dhënat nga zyrat përkatëse), përveç kësaj edhe tek fakti tjetër, ai se heqja e shtetësisë nuk parakuptonte heqjen e nacionalitetit, pra parakuptonte vetëm një largim nga mburoja shtetërore “socialiste”.
Këtu në Gjermani kam bërë nja tre herë kërkesën për heqjen e shtetësisë, herën e parë aty nga vitet 2003-04, tek plaka ime e vetmuar në Shq. s’mund të merrte as edhe një vizë të thjeshtë një mujore, ose tre mujore. Herën e dytë aty nga viti 2008, pasi maqineria shtetërore kish nja dy vjet që nisi tek unë goditjet katjushore; kësaj radhe më erdhi përgjigjia, se për këtë gjë duhej më parë paraqitja e pashaportës shqiptare. Herën e tretë -pasi morra pashaportën shqiptare në vjeshtë 2023- e bëra kërkesën në fund të vitit 2024, për ta hequr shtetësinë gjermane në korrik 2025, kur mbaronte afati i letërnjoftimit gjerman. Kjo kërkesë e zbutur e imja kish të bënte me faktin, se tashmë lëkura ime ishte regjur nga 18-19 vjet goditje katjushore prej zyrave shtetërore dhe gjithfarë subjektesh të tjera kriminele.
Proçesi i heqjes së shtetësisë zgjati pak më gjatë nga sa mendova fillimisht, ngaqë m’u kërkua edhe një dokument tjetër, (në Gjermani është stil pune i zyrave të të kërkojnë dokumenta të ndryshme e të reja, pasi ti i ke plotësuar kërkesat e tyre të mëparme; kjo bëhet që ata -zyrtarët- të mos mbajnë përgjegjsi ligjore për kohën e caktuar në përmbushjen e kërkesave të qytetarve). S.d.q., më 1 dhjetor 2025 morra çertifikatën e heqjes së shtetësisë gjermane dhe u drejtova tek godina përkashi, 20 metra më tej, për të marrë leje-qëndrimin në Gjermani, tashmë si i huaj.
Nga 1 dhjetori e deri më sot po mbushen tre muaj me e-maile dhe letra të ndryshme, dhe unë akoma nuk e kam marrë qëndrimin në Gjermani! Jam i sigurtë se do të kalojnë edhe nja tre muaj të tjerë dhe unë akoma nuk do ta kem marrë këtë leje-qëndrim! Kjo tregon se goditja ime ka qenë kësaj radhe mjaft e rëndë! Zyrtarët (gjermanë e të huaj) do jenë goditur kaq rëndë nga veprimi im, sa ata -mendojnë- të më nxjerrin të zitë e ullirit edhe në këtë rast! Natyrisht, unë e dija që do të shkaktoja një reaksion të caktuar tek shumë zyrtarë, (paçka se nuk janë po të njëjtët, që ma kanë nxirrë mua jetën vite të shkuara), e di se mund të shkaktoj trubulli dhe mos-pëlqim edhe tek gjermanë të thjeshtë dhe miq të ndryshëm, sepse ndjenja kombëtare këtu dhe qëndrimi ndaj shtetit janë tërësisht tjetër nga ajo në Shq., ku në një rast të ngjashëm do të gëzoheshin shumica e njerëzve, sepse do ta shihnin veprimin e heqjes së shtetësisë nga dikush si një protestë ndaj shtetit e jo ndaj banorve të vendit. E në fakt kështu dëshiroja të shihej veprimi im edhe këtu, për më tepër që jam ndër ata njerëz, që ia kanë kaluar me gjermanët dhe të huajt më mirë se kushdo tjetër.
Nejse, kjo ishte historia e vrasjes së fundit. E trishtueshme! E di, do kem konsekuenca, më së shumti nga ana materiale e financiare, mund të humb edhe jetën në ndonjë birucë gjermane. E di, se shumë nuk do t’më kuptojnë! Por s’mund të veproja ndryshe! Ndryshe do më dukej sikur kisha bërë pakt me djallin! 24.2.2026
Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin përkatës: nga Robert Thomanikaj.
Njoftoj gjithashtu, se kjo faqe mund të mos jetë për shumë vite, ndaj nëse ju pëlqen ta rilexoni ndonjë shkrim, kopjoheni dhe hidheni në kompjuterin tuaj.