5b sherbetor zyre

            Shërbëtor si zyrtar 

Një ditë pas shkrimit parakalues (24.2.2025), atij ku fola shkurt për kërkesën e heqjes së shtetësisë -dikur asaj shqiptare, sot asaj gjermane- më erdhi një email (25.2.2025) nga zyra përkatëse dhe zyrtarja (e tretë a e katërt që ndrrohet në dokumentat e mia prej 1 dhjetorit të shkuar), e cila niste me atë shprehje të përsëritur kushedi sa herë në letrat zyrtare: ‘na vjen keq për vonesën…’! Dhe kërkesa të reja pasonin, siç pasojnë sa herë duan të të lodhin, të të mërzisin, të të bëjnë leckë! Që ti të luash nga mënd e kokës e të bësh ndonjë marrëzi, për të përfunduar tek shpia pa qera (burgu apo psiqiatria).

Në këtë lojë të pisët zyrtare, ata nuk kanë frikë nga ty, sepse e dinë që ty nuk të ndihmon kush, kështu i ke të gjitha dyert e mbyllura! Nëse ti ngulmon ta kërkosh të drejtën tënde, pra gjindet diku një zyrë avokatërie që të ndihmon, atëhere ata tërhiqen pjesërisht dhe shpresojnë që ti të humbësh shumë kohë në proçese të pafundme, ku ata -edhe si të humbur- nuk pësojnë kurrgjë, por thjesht kërkojnë hipokrizisht falje, për të vazhduar me të tjerë të njëjtën lojë! Nëse, megjithatë ngjarja shkon deri në media, siç në rastin e para 1-2 javëve me vendimin që dha Gjykata e Lartë e Gjermanisë në favor të një pakistanezeje me shami në kokë për problemin e diskreminimit të atyre me emra jo-gjermanë për tu pranuar në punëra të ndryshme, në këtë rast ngjarja prezantohet si fenomen që prek vetëm ata me ndjenja të djathta nacionale e jo të gjithë sistemin shtetëror dhe demokracinë gjermane! Ndaj dhe unë përpiqem të mos humbas shumë kohë me lojrat e këtij sistemi, që i luajnë disa zyrtarë, ndaj më ngelet vetëm ky lloj tregimi për ata pak që i arrin historia ime.

Nuk është hera e parë që, pasi shkruaj diçka në kompjuter për një problem të nisur prej muajsh a vitesh, ata që janë të lidhur me këtë problem, apo shkaktarë të këtij problemi, vihen në lëvizje me ndonjë letër apo e-mail në drejtimin tim! Dreqi e marrtë, them, sapo bëra shkrimin në shqip mbi ‘ta, ata u vunë në lëvizje! A thua ta kenë marrë vesh shkrimin tim? Akoma s’e kam nxjerrë shkrimin në faqen time: fjalë cimbuese! Kush i informoi? Apo është rastësi? Rastësi mund të jetë një-dy herë, por jo gjithnjë! Pra, e kupton dhe bufi, problemi nuk është vetëm me këta zyrtarë të humbur zyrash, por në problemet që më nxjerrin mua janë të përfshirë një serë urithësh të tjerë, ata që rrinë pas kompjuterave dhe ndjekin çdo fjalë tënde të shkruar! Pra zyrtarët e rëndomtë, që merren me ty herë pas here, as nuk e dinë ndoshta se ti ke një faqe, ku diskretiton veprimet e tyre! Ata kanë marrë për ty vetëm signjalizimin e duhur dhe kaq! ‘Është një llapaqen i keq, është një tip grindavezxhi, flet keq për ne që e mbajmë me bukë, a pa-pa kush ju paska rënë në hise, uuff me çfarë tipi keni për tu marrë, është një copë budallai që vjen nga vende diktatoriale dhe don të na mësojë neve demokracinë, i shtrijmë dorën dhe na e kthen me shqelma’! Afërsisht të këtilla thuhen për ty në Gjermani dhe Perëndim, (nuk flas për ata që përzien me organizata dhe forume jo-demokratike, por) kur ti ke grricur diku ndonjë tabu, kur ti ke nxjerrë sheshit (apo aluduar mbi) ndonjë sekret gjeo-politik dhe shtetëror, kur kritikat e tua bëhen hapur! Feja, kisha, Ajnshtajni, çifutët, marrdhënie shtetërore të ndryshme ndërkombëtare, etj. janë sektorë ende të paçliruar nga tabuizmi në Gjermani! Falë idiotve, si puna ime dhe ca të tjerve, edhe këto sektorë po çtabuizohen, por kjo gjë kërkon dekada, nëmos shekuj. Kjo kërkon faktin, që ti sakrifikohesh në këto përpjekje e të tjerët përfitojnë nga “idiotizmi” yt! Por tjetër rrugë nuk ka, mendoj! Kështu përfitojmë ne sot nga sakrifica që kanë bërë disa individë përgjatë shekujve të kaluar! Biles ata e kanë patur shumë më të vështirë nga ne sot! Mendoni trysninë në të cilën kanë jetuar N.Koperniku, Xh.Bruno, G.Galilei, e të tjerë më pas! Mendoni vështirsitë që kishin ata “idiotë” që reformuan apo përzunë monarkitë përgjatë shekujve XVIII-XIX! Mendoni vështirsitë që kishin ata “idiotë” përgjatë Luftës së Ftohtë, që iu kundërvunë sistemeve të tyre; më të shumtët në Lindje, por edhe në Perëndim kishte të tillë që ngritën zërin ndaj padrejtsive dhe shkeljeve të ligjit. Për “demokracitë” perëndimore, un dhe kontigjenti ynë i të dënuarve politikë ishte dje ‘e mira kundra të keqes’, ndërsa sot unë -po i njëjti njeri, që dënon çdo nyje diktatoriale shtetërore kudo ku jeton, si dje në Shq., ashtu dhe sot n’perëndim- jam stamposur ‘i keqi dhe problematiku’! Natyrisht jo hapur, se deri aty nuk guxojnë vermjet zyrtare ta çojnë problemin, sepse pastaj do të vihen kollaj hapur në kandar veprimet e mia dhe -në krahun tjetër- veprimet e disa zyrave dhe enteve të tjera pranë-shtetërore. Kjo gjë qelb ajrin! Ndaj gjithshka duhet të kalojë sa më në heshtje, me sa më pak bujë!

Natyrisht, do të kish qenë më mirë për prokurorinë gjermane të hetonte mbi veprimet e atyre zyrtarve dhe entiteteve të tjera, që nuk më janë ndarë këto 20 vitet e fundit! (Dy-tre herë kam denoncuar këto veprime anti-ligjore në prokurori, -asnjë hetim!) Natyrisht, do të kish qenë më mirë edhe për median ti kish ndjekur pak më nga afër veprimet e zyrave dhe enteve të tjera ndaj meje! (Dy-tre herë i kam shkruar edhe medias për këto veprime kriminale ndaj meje, mirpo asnjë reagim, ose përgjigje të vagullt!) Më shumë nuk kam ç’të bëj! Detyrën time e bëra! Besimi në drejtësinë gjermane më ka humbur i tëri! Tash nuk më shqetëson as mos-dhënia e leje-qëndrimit, megjithë 36 vjet qëndrimi këtu! E drejtë e tyre… vetdiskretitimi! Në fund të fundit e kam nisur rrugën e largimit! Ja, dhe dy-tre vjet fëmijët do ia kenë dalë të ecin tërësisht me këmbët e tyre! E ç’do kërkojë më pas njeriu në një vend, ku sjell gëzim, humor e dashuri, dhe -shërbëtorët e kapitalit të madh- i japin si shpërblim ndëshkime, urrejtje e mallkim! 28.2.2026

Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.

Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga robert thomanikaj.

Kjo faqe me pagesë mund të mbyllet ndonjëherë, nga arsye financiare apo të tjera, ndaj, nëse ju pëlqen ndonjë shkrim dhe doni ta rilexoni, kopjoheni dhe hidheni në kompjuterin tuaj qysh tani.