Shqipja me ‘i qind krena
Dje, të djelën, për të shtyrë ditën, lexova nja dy libra të hollë, njëri fliste për Leninin dhe tjetri ishte për fëmijë, i Leon Tolstoit. Ndoshta edhe nga ato që gjeta në fejsbuk këtë fund jave mbi gjuhën shqipe, si gjuha e parë në botë, mu hap oreks… horizonti, desha të them, dhe zbulova të reja në këtë drejtim. Kuptova se, jo vetëm Aleksandri i Madh fliste shqip me gjeneralët e tij të afërt, siç na sqaron Elena (Kocaqi), por edhe Lenini me shokët e tij të afërt proletarë flisnin shqip, ata që e ruajtën nga regjimi raci… carist. Lenin është epiteti që ai morri kur u largua për në Zvicër, që do të thoshte: le nënën, sepse ai la nënoken e tij për të shpëtuar proletariatin botëror. (Me këtë rast sqaroj se, edhe Stalini ishte një gjysëm shqiptar, pra shqiptaro-gjeorgjian dhe e morri atë titull jo prej ‘çelikut’ në gjuhët turkmene, të cilat kështu që kështu rrjedhin prej shqipes, por e morri nga shokët e tij shqiptarë: s’ta len (mangut), ngaqë Josifi nuk ta lente gjë mangut, po ti kundërviheshe, por shkoje -në rastin më fatlum- drejt e në gulag (aty ku lageshe nga uji i kënetave).
Duket që shqipja është folur edhe në stepat e Tunguskës, vendi ku ra më 1908 ai asteroidi i madh, apo -siç u zbulua më vonë- kish qenë anije kozmike e jashtë-tokësorve, të cilët mund të kenë dashur të takojnë të parët e tyre, ata që u shkëputën prej atij planeti diku në galaktikën tonë, e që ishin anunaki-sumero-nibiru-pellazgo-ilir-alban, …por për këtë temë mund t’ju flasë më saktë Fredi (Cako), i cili është ekspert i fushës. Gjuha shqipe duket ka jetuar deri në kohën e Leninit në atë zonë veriore, se jo më kot u quajtën atje kooperativat: kolkoze, që donte të thoshte: kal ka zë, ngaqë deri në këtë kohë fshatrat vuanin nga shtypja e latifondistëve dhe dukeshin si të vdekura, mirpo me përmbysjen e shtypësve të pasur dhe bashkimin e kuajve, (që përdornin fshatarët për lirimin e tokave), nisën edhe kuajt ta ndienin gjallërinë dhe kjo gjallëri e tyre u dha edhe emrin këtij proçesi: kol ka zë (kolkoze). (Flitet nën zë, se edhe pelat s’përmbaheshin.)
E gjithë kjo u arrit me punën e sovjetëve (këshillave të dala nga gjiri i popullit). Sovjet vjen nga shqipja: s’o vjet, pra nuk është si vjet, këta janë të rinj. Ndërsa fermave u thuhej sovkoz, ngaqë tashmë këto nuk ishin si kolkozet (kooperativat), ku disa fshatarë gjenin shesh e bënin ende përshesh; tani këto drejtoheshin nga nënpunës shtetërorë, ndaj u thuhej sovkoz: s’u vu kosi këtu, pra nuk ishin gjë e fermentuar dhe e pambledhur mirë si kosi, si kooperativat, por ndërmarrje shtetërore me disiplinë.
Shumë nga fjalët e sotme ruse i ka shpjeguar qartë Agroni (Dalipaj), se si ato rrjedhin prej shqipes, (tani më kujtohet psh ‘gospodin’ (zotni): gjo s’po din, ngaqë ishte një i panjohur). Mund të shtojmë të tjera në këtë aradhë shpjegimesh, si lepitka (shapka), fjalë që rrjedh direkt nga shqipja: lëpin, ngaqë shapkat lëpijnë dyshemenë ku prekin, sepse ato tërhiqen prej njeriut kur ecën; (fillimisht ato bëheshin prej druri, se në Rusi kishte pyje me shumicë; edhe unë i kam arritur këto lloj shpakash prej druri, në kohën e xhaxhit ne i quanim nallane; këto i vishnin shpesh gratë, duke i tërhequr si mos më keq e gjithë zhurmë; ndodhte -psh- që ndonjëri thoshte: e mirë dreqi ajo komshija sipër nesh, por i tërheq ato nallanet, sa zgjon edhe ariun nga gjumi i dimrit!). Ndryshe nga lepitkat ndodh me këpucët, të cilat nuk tërhiqen, ndaj dhe ato quhen: bodinok, që d.t.th.: bo dhè njëk, që e kupton çdo shqip-folës, e bën dheun njëk (njësh, e ngjesh).
Edhe perestrojka (≈ rifillim, rikonstrukturim) dhe gllasnosti (transparencë, i hapur) i Gorbaçovit vijnë nga shqipja: peri(n) shtroj, pra fillimin e ri, dhe: gjë loz nashi (gjë luaj tashti). Apo vinovnik (fajtor): vjen në vig, pra ai që dallonte mbi të tjerët, sepse ai që bën gabime dallon nga të tjerët. Rrugës dhe udhës në rusisht i thonë: doroga, pra: do roga, nga gegërishtja: do rrugë për të marrë. Shtëpisë (dom) e dimë tashmë të gjithë që vjen nga shqipja: dhomë. Edhe gavarit (flas) vjen nga shqipja: gërhit, sepse kur shqip-folësit dëgjonin tone nga njerëzit e ardhur prej Uraleve, u dukej sikur ata gërhisnin, dhe kështu ngeli gavarit= flas.
Siç shohim, shqipja është folur gjithandej. Diku e dikur ajo është transformuar aq shumë, sa njerëzit nuk e kuptojnë që flasin një shqipe të deformuar. Pa llogaritur pastaj edhe faktin e luftës që asaj i është bërë, pa llogaritur edhe faktin e lindjes artificialisht të shumë fjalëve nëpër gjuhë të tjera, për t’iu larguar shqipes, siç ndodhi me pellazgjiken e para-Pisistratit (shek. VII p.e.s.), i cili e ndryshoi hellenishten e vjetër (kupto: pellazgjiken) me hellenishte të re, për arsye -siç na shpjegon profesori i dëgjuar botëror, A.Nikolla- tregëtie dhe lufte, që ajo t’mos kuptohej nga masat dhe armiku. Siç e dim, stratioti Pisistrat u vendos nga pushtetarët e Athinës të drejtonte qytetin me rrethinat. Siç e dimë nga mësimet shkollore, stratiotët ishin udhëheqës ushtarakë në shërbim të mbretërve dhe tiranve të ndryshëm, vendas e të huajt. Kjo fjalë shqipe, e njohur edhe nga grekët e sotëm, ka kuptimin: shtron të jotët. Edhe Pisistrati e morri këtë emrin pezhorativ nga pellazgo-helleno-arvanitët e antikitetit, pisi strat, pisi-shtrat, sepse ai u ndryshoi atyre gjuhën.
Që ta mbyllim, do thonim se nuk ka më nevojë të kërkojmë e të shpjegojmë të gjitha fjalët e gjuhëve të tjera përmes shqipes, sepse tashmë dihet që ato vijnë nga shqipja arkaike dhe e lashtë, e nisur qysh në kohra para Hënës, e vazhduar në ato primitive dhe që do të mbetet deri në shuarjen e Universit, siç ka shpjeguar profesor Berti (A. Nikolla), sepse ajo është çelsi që ka përdorur Zoti në krijimin e çdo atomi! 16.3.2026
Cdo mendim ësht‘ i mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret e të nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.
Nëse ju pëlqen ndonjë shkrim e doni ta rilexoni, kopjoheni e hidheni në kompjuterin tuaj, se nuk dihet se sa mund të rrijë në internet kjo faqe.