7 premte 13

             E premte 13  

Sot është e ashtuquajtura e premte e zezë, 13 e muajit, ditë të cilën një shumicë njerëzish e shohin me frikë dhe misticizëm! Media dhe mjaft emisione të ndryshme flasin jo pak për këtë lloj 13-te, besoj më shumë se sa flisnim ne fëmijët e asaj kohe, tek tregonim kuriozitete nga kjo ditë-datë, tek tregonim për katin e munguar në disa hotele të Amerikës, atë të 13, tek tregonim për 13 shpatarët e pamposhtur, etj. 13-ta, dhe të gjitha këto përralla i besonim, si fëmijë që ishim. Kur u rritëm, kuptuam se të tilla shenja superticioze u shkojnë mirë për shtat shtetarve dhe biznesmenëve, inkluzive aty edhe bankierve, sepse kur këta bole-mëdhenj duan të prishin ndonjë gjë për të patur mundësi investimi kapitalesh, përdorin kollaj këto shenja, siç përdorën të premten e zezë 13 në krizën e vitit 1929, në bursat e Njujorkut, pas së cilës nisi rënia ekonomike kudo e gjithandej nëpër botë.

Aty në vitet ’90, ndoshta i sugjestionuar ca nga televizioni dhe revistat këtu në Gjermani, pata edhe unë herë-herë momente besimi superticioz, tek nisa tu hedh nga një sy horoskopëve të revistave. Hë, si do më shkoj java e ardhme? Po muaji, ku sapo kemi hyrë? Do rregullohem m shoqen? Apo kaq e pat? Po ndonjë stërkomç, do më dalë?.. Mirpo, shih këtë javë e shih këtë muaj, dalloja se të gjitha shenjave u jepej më së shumti fat pozitiv, me ndonjë këshillë përkujdesje në x-drejtim a y-drejtim! Përveç kësaj, ndjeva se, leximi rregullisht i horoskopit të bënte pasiv dhe të varur në fatin qiellor! Ndaj hoqa dorë nga horoskopi dhe shenja të tilla! Fatin e tij njeriu, në mos 100%, të paktën 70% e zgjedh vetë! Kështu, tani nuk i vërej më këto 13-ta të së premtes, sa nuk e mbaj mënd se si kaloi edhe 13-ta e premte e shkurtit, por di vetëm se të premteve unë pi nga pak raki, siç do bëj edhe sot, pak më vonë.

Ajo që më nxiti të shkruaj diçka për të premten 13, ishte në fakt një vidio e shkurtër disa-minutshe, e shikuar para disa ditësh në youtube, ku tregohej një mbrëmje (party) në një qytet të Rusisë, (më duket në Moskë), dhe përgjatë muzikës dhe kërcimit të njerëzve fiken dritat papandehur, (gjoja) një difekt, dhe kamera kap disa sy njerzish që shkëlqejnë në errësirë. Bërrrr!.. Diçka e frikshme, thoshte vidio-bërsi, ç’janë këta njerëz, alienë, apo njerëz me fuqi të mbinatyrshme!? (Mua mu duken si bufa kënete!) Dhe vazhdonte duke treguar, se si në Rusinë e sotme po flitet për disa të pasur të shtresave të larta, të cilët nuk janë njerëz të zakonshëm, por jashtë-tokësorë ose të mbinatyrshëm…

E pashë vidion dy-tre herë dhe dallova se gjithshka ishte një inskenim i dobët! Disa sekonda para se të fiken dritat (qëllimisht dhe jo nga difekti), ata dy-tre njerëz të cilve do u shkëlqejnë sytë në errësirë, janë duke vrojtuar nga kamera, pra sikur ta dinë që atë moment do të fiken dritat! Të tjerët nuk e kanë vëmëndjen nga kamera (duket e filmuar me smartfon). Si ka mundësi, që vetëm ata dy-tre njerëz, të cilve do u shkëlqejnë pas pak sytë në errësirë, janë ato momente të fokusuar tek kamera filmuese?! Si nuk qëlloi, që ndonjëri prej tyre të mos e kishte vëmëndjen tek kamera filmuese ato sekonda? Apo të qëllonte, që ndonjë nga ata njerëzit e tjerë, pa shkëlqim sysh, të vërente nga kamera filmuese!?

Kjo para-pregatitje filmimi sy-shkëlqyes e tradhëton qëllimin për të cilin është bërë ai filmim. Nëse do të ndodhte, që ata dy-tre palë sy-shkëlqyes nuk do ta kishin vëmëndjen nga kamera filmuese, apo të paktën njëri prej tyre nuk do ish i përqëndruar tek kamera (smartfoni), edhe mund të dyshonim që këtu ka vërtet diçka jo normale, diçka … ndoshta jashtë-tokësore. Mirpo jo, ata -duket- po e prisnin fikjen e dritave të sallës dhe sytë e tyre jo më kot ishin drejtuar nga kamera! Dhe me shumë mundësi, sytë e tyre shkëlqyes, (pra shkëlqimi i syve të tyre), do jetë parë edhe nga tanxuesit e tjerë, sepse kështu -më duket se- thosh vidio-bërsi. Pra, mund të kemi ndonjë lloj lente reflektuese të vendosur më parë tek sytë e këtyre “alienve” dallkaukë, të cilët -nëse vërtet i përkasin shtresës së pasur të Moskës- do jenë dallkaukë në katror, ngaqë dihet tashmë se kush e ka mundësinë të pasurohet në Rusinë e Putinit! Ndaj do thoja i qetë, largojuni këtyre lloj vidiosh interneti dhe misticizmave të rreme, që ato përhapin, se një shumicë e tyre bëhen sot vetëm për të marrë klikime. Dhe këto klikime -më duket se- sjellin lekë për vidio-bërsit!? Pra, kemi të bëjmë me një lloj industrie! Lekë, euro, dollarë, rubla, dinar, yenë, lira, etj.! Zoti i ri! Mirpo shkenca nuk orientohet nga paraja! Kjo e dyta udhëheq pseudo-shkencën! Sot në modë! Por ne dimë, se vrojtimi dhe kërkimi i të fshehtave të Natyrës nuk ka mbaruar dhe as ka për të mbaruar ndonjëherë! Kjo është e bukura me njeriun, që ai kërkon e kërkon të zbulojë gjithnjë të fshehta të natyrës! E kjo për hir të së vërtetës, jo parave dhe dukjes! 13.3.2026

Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.

Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.

Kjo faqe mund të mos jetë për shumë vite në internet, ndaj -nëse ju pëlqen ndonjë shkrim e doni ta rilexoni- kopjoheni dhe hidheni në kompjuterin tuaj. Shkrime të viteve më parë i gjeni tek faqja: fjale cimbuese (del pak me vështirsi në internet).