Unë, Shilleri, etj.
Rrudhja e ekonomisë gjermane vazhdon prej dekadash me ritmin e saj tradicional të ngadaltë, (diçka jo për tu gëzuar kjo), kështu tek puna e gruas ka patur prej janarit (2026) një riorganizim zyrash e një pakësim pune edhe në sektorin e pastrimit, ku punon edhe ime shoqe, çfarë ka sjellë që asaj dhe një kolegeje tjetër tu ulen sejcilës nga çerek a gjysëm ore pastrimi në ditë, që do të thotë: ca euro më pak në rrogën e muajit. Ajo turfullon e shqetësuar, jo për atë që i janë ulur orët e punës në javë, por se mendon që i janë ulur shumë më tepër nga sa i është hequr në punën e pastrimit, (kjo e fundit -në fakt- duket se i është shtuar pak, pasi zyrat që ajo pastron janë mbushur me më shumë njerëz nga më parë). Dhe unë, që pak e vras mëndjen për pesë lekë më shumë a pesë më pak, nisa të interesohem për faktin, se ajo thotë që gjatë gjithë kohës ka pasur tre orë në ditë, ndërsa ato të zyrave i kanë dhënë përgjigje, se ajo është paguar për dy orë e gjysëm.
Në këtë interesim të përbashkët këtu në shpi, hapje letrash të viteve të shkuara, (me qetësi e kemi lënë nesër të djelën ti shikojmë), shiko aty e shiko atje, pyet e merr përgjigje, duket u shkaktuar pakëz zhurmë në apartamentin tonë të vogël prej 58 m², aq sa zdapi ynë -i ndodhur këto ditë këtu me pregatitje provimesh- na u hakërrua me atë arrogancën e zakonshme të moshës rinore: -gjithë kjo zhurmë për çingërima! Kjo ‘çingërimë’ e tij më kujtoi një tregim të Shilerit, të cilin ne e kemi trajtuar edhe në shkollën tonë “socialiste”. Ndaj i ndërhyra dhe e pyeta, nëse e njihte tregimin e Shilerit me bujkrobërit dhe centin, autorit aq të dëgjuar të vendit të tij!? (Çuni dhe goca ime janë të lindur këtu në Gjermani dhe gjuhën e përditshme e kanë thuajse vetëm në gjermanisht.) Me turfullimë e tallje, çuni m’u përgjigj se nuk e njihte e nuk donte ta njihte!
Në këtë tregim shillerian flitet për një tip latifondisti në mesjetën e vonë gjermane, i cili u vidhte fshatarve (bujkrobërve gjysëm të lirë) të tij nga një cent në rrogën mujore. Fshatarët e dinin këtë, por kërkush nuk bënte zë, sepse shuma e vjedhur ishte aq e vogël, sa nuk ia vlente barra qiranë, siç i thonë. Ishte, si të thuash, ti vjedhësh sot një punëtori në Shqipëri dhjetë lekë të reja (100 lekë të vjetra) nga rroga mujore. Atij i vjen zor të protestojë për këtë. Mirpo në tregim na del një fshatar që nis e bën llogaritë, dhe i del se shuma e vjedhur nga pasaniku i fshatit është jo e vogël. Për sejcilin fshatar shuma është -në dukje- e papërfillshme, por për grabitësin “e ligjëruar” shuma është goxha. Aty fshatarve u hipën inati dhe nisin të protestojnë ndaj vjedhjes që u bëhet. Pak a shumë ky është tregimi, me sa më kujtohet nga koha e shkollës.
Të tilla padrejtësi janë të zakonshme në Gjermani, të paktën ndaj meje kanë qenë një rutinë e përhershme; siç e quaj unë: e kam ngrënë bananen e vogël gjatë gjithë kohës, apo ndryshe them edhe këtë tjetrën: i lej të gjithë të më shurrojnë në qafë, por nuk lej njeri të më bëjë kakën! E kam këtu fjalën më së shumti për anën materiale e financiare të problemit, jo në ato që kanë të bëjnë me liritë dhe dinjitetin tim, për të cilat nuk lejoj të më preken. Pra, edhe problemi i tashëm në kohën e punës dhe -rrjedhimisht- në rrogën e gruas, më duket mua gjë e vogël; (ndoshta mund të jem edhe gabim). Ajo që mua më shqetëson, është diçka tjetër. Është fakti, se njerëz që dinë aq pak për Gjermaninë dhe kulturën e saj janë me shumicë në Gjermani, jo vetëm çuni e goca ime, jo vetëm nga radha e të huajve dhe bijve të tyre, por edhe nga radha e gjermanve.
Kur erdha në Gjermani (me kontigjentin e ambasadave), korrik 1990, rasti dhe fati e solli të lidhesha me një vendase, e cila qëlloi të kish mbaruar për gramatikë dhe filozofi. Në bisedat tona të përditshme, ajo hapte sytë na katërmbëdhjetë, tek dëgjonte “leksionet” e mia filozofike mbi metafizikën kantiane dhe dialektikën hegeliane, paçka se nuk e kisha mësuar ende mirë gjermanishten. Të tilla situata u përsëritën me qindra në vitet e ardhme, pra njerëzit me të cilët flisja, habiteshin se si unë e njihja historinë dhe kulturën e vendit të tyre shumë më mirë se sa ata vetë. Ku i ke mësuar të gjitha këto, ishte pyetja e zakonshme. Në shkollë, ku tjetër, u përgjigjesha. Dhe vërtet, shkolla na e mësoi historinë e të gjitha vendeve europiane, kulturën e tyre, filozofinë, fizikën, kiminë, etj.. Dhe, ndërsa fillimisht ishin gjermanët që habiteshin me dijet që na kish dhënë shkolla neve, më pas isha unë që habitesha, se si ata kishin mësuar aq pak për vendin e tyre, për historinë e tyre, për figurat e ndritura të vendit të tyre.
Duke qenë se ne në Tiranën e dikurshme të hitparadës njihnim edhe këngëtarët e ndryshëm europianë, duke qenë se unë dëgjoj çdo ditë të jetës muzikë, këtij arsenali dijesh iu shtuan edhe gjithfarë këngëtarësh e muzikantësh gjermanë, të cilët sot nuk i njeh më brezi i ri gjerman! Ta themi kështu me pak shaka: unë jam ndër gjermanët e rrallë në këtë vend, pra ndër atë përqindje shumë të vogël njerëzish të lidhur me historinë, kulturën, shkencën, etj. të vendit të tyre! E ta themi pa shaka: po unë jam më i kopanisuri nga mjaft subjekte shtetërore e tjera pranë tyre! Ky lloj trajtimi më bëri ta lej sëfundi shtetësinë gjermane, veprim ky që do mi shtoj problemet, probleme këto që po ma shkurtojnë jetën! Eh, ta njihte Shileri historinë time, do shkruante një tregim të ri, ku do tregonte se si turmat e palidhura me historinë dhe kulturën e vendit të tij, biles injoruese të kësaj kulture, ia kalojnë përmrekulli në këtë vend, ndërsa njerëz të lidhur mendërisht e shpirtërisht me vendin e tij, me kulturën, dijet, historinë, muzikën, filozofinë, me figurat e ndritura të vendit të tij, ky njeri gjen të zezën e fatit aty! Kjo quhet ironi e fatit! Jo fatit qiellor, por fatit të përcaktuar nga njerëz të vegjël të këtij shteti të madh mu në zemër të Europës! Për të qeshur e për të qarë!.. (Mirë të më bëhet!) 14.3.2026
Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit!
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- nën referimin: nga Robert Thomanikaj.
Kjo faqe nuk dihet sa vjet mund të rrijë në internet, ndaj, nëse ju pëlqen ndonjë shkrim e doni ta rilexoni më vonë, kopjoheni dhe hidheni në kompjuterin tuaj.