7b jani 1-4

                Jani-1 

Jani është një gjerman, afërsisht në moshën time a pak më i ri, të cilin kam vite pa e parë e shpresoj të jetë shëndoshë e mirë. Nga mëndja nuk ishte 100% i saktë, duket prej arsimimit të ulët, por problemi i tij qe një sëmundje patollogjike, që tani nuk më kujtohet, cila. S.d.q. ishte aktiv, duke marrë pjesë në forcat ndihmëse të një grupimi shpëtimi, i përngjashëm me atë të zjarrfikësve, por i përqëndruar më së tepërmi në raste tërmetesh.

S’më kujtohet ku e kam takuar për herë të parë, ndoshta e kam patur në një punë 1-vjeçare aty nga fundi i viteve ’90, s.d.q. Jani u paraqit dikur -në fillim të viteve 2000- tek restoranti ynë, në sektorin tonë të pjatalarësve. Unë dhe Volfgangu, të vetmit të stazhionuar prej vitesh aty, nisëm ta mbanim me kimet, si të gjithë puntorët e rinj që nisnin punë tek ne, duke i dhënë punra të lehta, për më tepër që e dinim se ishte i sëmurë. Gjithashtu e mbanim afër edhe shoqërisht, ndonëse tipi i Janit ishte i ftohtë dhe flegmatik.

Në fakt Janit nuk i buzëqeshte buza kurrë, fytyra e tij nuk shprehte dashamirsi, biles rrezatonte një lloj kolerizmi a urrejtje ndaj … s’e di ndaj kujt, për mua -besoj se- po, por nuk i jepja asnjë rast mos-dashamirsie. I tregohesha i dashur, ndoshta edhe me një dozë artificiale të lehtë, si e si që Jani të ndjehej i çliruar me mua dhe tek ne. Kështu Jani kaloi në sektorin tonë një sezon pa eksese, i qetë dhe pa lodhje, paçka se përbrenda ai mund të ruante po të njëjtat ndjesi ndaj meje apo përgjithsisht.

Nejse, Jani iku pas nja 3-4 muajsh dhe me ‘të unë piqem herë-herë rrugës muaj e vite më vonë; dhe -si gjithnjë- e përshëndes, prej tij marr atë përshëndetje të njeriut flegmatik (a kolerik), pra të ftohtë, por që mua pak më intereson, se krushqi nuk do bëj, siç i thonë. Të them të drejtën, megjithë ftohtësinë e tij, a ndoshta urrejtjen e tij, unë ndjeja një farë keqardhje për ‘të, sepse ishte i sëmurë; më vinte keq për këtë, paçka se përsëjashtmi nuk i dallohej ndonjë sëmundje. Dikur takohemi herë-herë edhe tek Tafeli, (vendi ku shpërndahen njëherë në javë ushqime pa lekë); aty unë shkoja rreth 2-3 herë në vit të marrë ushqime dhe 5-6 herë në vit, sa për të marrë nga një bukë të thatë, të cilën e bëja trahana në shpi. Kur shkoja vetëm për bukën, këtë ma jepte njëri prej shpërndarësve qysh në fillim, pra nuk prisja në radhë, ndërsa kur shkoja për ushqime, më duhej të rrija në radhë si gjithë të tjerët. Në fakt, unë shkoja tek Tafeli jo se ishim në pikën e fundit të hallit dhe mbijetesës, por shkoja ca edhe për “qejf”, të shihja ambientin, njerëzit, fenomenin; -një autor dhe shkrimtar i gjurmon të gjitha situatat, sepse ato janë brumi i librave të tij. E gjithë kjo odise -vrojtimi më së shumti, se sa përfitimi material- zgjati nja dy vite afërsisht, jo më shumë, sepse -dikur- njëra prej atyre grave, që rrinte si roje tek dera, nisi të kapej me mua, jo-po pse unë morra bukën pa radhë, jo-po ku e kisha letrën e zyrave, jo-po ajo e jo-po kjo, e kush i mban mënd të gjitha gricjet e saja!

Në një nga këto gricje të saja, (nuk më kujtohet nëse ishte hera e fundit apo e parafundit), teksa unë morra bukën apo dy bukë, (kur shpërndarsi më jepte dy bukë, njërën ia jepja ndonjë tjetri aty jashtë), gruaja në fjalë nisi të gricej sërish. Ndonëse problemi ishte fare pa rëndësi e as ia vlente barra qiranë ti ktheje përgjigje, ndoshta pikërisht për këtë unë nisa ta sqaroj atë qartë e mirë dhe me qetësi, (më duket se akuza ishte për dy bukë, apo për tre, nuk më kujtohet tani), dhe i tregova edhe pritësit aty jashtë si punë dëshmitarësh, për ta bërë atë të rrinte e të merrej më gjatë me budadallëkun e saj. Mes këtyre pritësve ishte edhe Jani, i cili nuk priti gjatë por ndërhyri duke hedhur poshtë fjalët e mia dhe dhënë kështu të drejtë akuzës! Mbeta i ngrirë! E para, se problemi ishte një problem koti e pa rëndësi, e dyta sepse Jani gënjeu sy për sy. Më tej nuk më kujtohet se ç’bëra, më duket se vajta aty tek biçikleta pranë dhe morra bukën e marrë dhe e ktheva mbrapsh, a diçka të tillë. Sidoqoftë ika duke e injoruar atë moment idiotesk, atë gricje për hiç-mosgjë të gruas grindavece. Me Janin -natyrisht- s’mund të merresha, sepse ai ishte i sëmurë, gjysëm njeriu, si i thonë.

Rasti në fjalë u harrua e do ish harruar fare, po t’mos kish qenë kjo ndërhyrje e Janit dhe gënjeshtra e tij, e cila më mbeti në mëndje e pashqitur. E kisha ndjerë se Jani vuante përbrenda nga cmira dhe inate të ndryshme, që nuk e dija nga i vinin, përse e qysh! Por nuk e dija, se këto cmira dhe inate i kish të një grade të tillë, që do ta shtynin deri në gënjeshtër! Gënjeshtër që ndoshta e besonte edhe vetë! Dhe përse? Për një bukë që ishte taksur -kështu që kështu- për tu dhuruar! (E të mendosh se, edhe kur mbaronte radha e të vobegtëve, ushqimi i vetëm që mbetej ende pa u shpërndarë i tëri ishte buka; kaq shumë kishte!) Ndaj kjo ndërhyrje dhe kjo gënjeshtër e Janit mbeti për mua një çudi! Atë ditë u binda se Jani ishte jo vetëm njeri jo i mirë, por edhe budalla! E shfrytëzoi cilësinë e tij të keqe për hiçmosgjë! Kjo qe ngjarja, ky ishte Jani!

Mu kujtua Jani, ngaqë këto ditë ripashë filmin me Kevin Kostner, ‘Ai që tanxon me ujqërit’, të cilin kisha nja 30 vjet pa e parë. Në këtë film, njëri nga personazhet i përngjan Janit në fytyrë, ndryshe: Jani i përngjan atij. Ai i filmit është një ushtar amerikan përgjatë luftës civile, person-i/-azhi më negativ në film, pikërisht ai që ka gjetur ditarin e ushtarit të veshur si indian (Kevin Kostnerit), dhe don ta vrasë këtë. Ai ditar provon që ushtari amerikan i veshur si indian (Kevin Kostner) është ushtar i rregullt, mirpo … i keqi mbetet që mbetet njeri i keq! Derisa gjen të zezën e vet! Kjo më gëzoi me personazhin në film. Por me personin në jetë, shpresoj që ai të jetë mirë dhe i shëruar në trupin e tij, pse jo, edhe në shpirtin e tij të trazuar! 16.3.2026

*************

Jani-2

Ky tjetër Jan është (më saktë: ishte, ngaqë nuk jeton më) një shok i imi, polak, me të cilin duhet të jemi njohur për herë të parë aty nga 1998-a, kur punonim në të njëjtën firmë. Ishim afër me banesa, ndaj ndihmonim njëri-tjetrin në ndonjë gjë; unë me ndonjë punë hamallëkshe tek apartamenti i tij, ai me riparimin e biçikletës time, apo edhe të nuses më vonë. Ishte mjeshtër tek biçikletat. Dhe, kur i ngecte ndonjëherë puna, lëshonte atë shprehje që lëshojnë gjithmonë polakët: kurva maç.

Difektet e vogla i rregulloja vetë, në fakt, por kishte të tilla, si aksi i pedaleve psh, të cilin nuk e dija si hapej e si mbërthehej. Jani i kishte të gjitha veglat. Vinte, e hapte kapakun e aksit të mesit, i vinte mrrokllat (zarat) në vendin e tyre, i hidhte graso, dhe e mbërthente. Me atë rast shikonte edhe gjërat e tjera, që unë i kisha lënë pas dore, apo që nuk i kisha riparuar mirë, si shtërngimi i telave të rrotave, zbërthimi i kabllove të frenave dhe montimi i tyre pas pastrimit dhe vajimit, shkurtimi i zinxhirit, kur ishte i lirshëm fare, e nuk e di ç’tjetër. E pastaj pinim ndonjë gotë raki, ose i jepja herë-herë ndonjë shishe konjak shqiptar; një herë i dhashë një shishe shlibovic jugosllav, të veshur me kashtë si për turistët, (nuk e di kush ma kishte dhuruar), për të cilën më njoftoi pas disa ditësh, se i kish dalë e mrekullueshme.

Gjatë riparimit të biçikletave bënim muhabet. Muhabeti më i pëlqyeshëm për Janin ishin muhabetet me femra. Njëherë e pyeta, se me sa femra kish shkuar afërsisht. Afërsisht, më tha, me nja 200! Fyyuu, fishkëlleva unë, ia paske kaluar Don Zhuanit! Më tej tregonte se çfarë femrash kishte parë (kaluar), qysh kish bërë, ç’situata kish kaluar. Nuk mbahen mënd të gjitha historitë e Janit, por njëra më mbeti në mëndje. Ishim nja tre-katër shokë në Poloni atëhere, aty fillimi i 90-ave, nis Jani, rregulluam një alamet pele! Nisi i pari me seksin, vazhdoi i dyti, pastaj i treti, e mbaroi i katërti. Ne thamë se ajo u ngop mirë, mirpo na e preu gëzimin në mes: s’paskeni qenë gjë, jeni qofte të gjithë, mua tamam qejfin ma bën ky! Dhe nisi seksin me qenin e saj! Ne vuu sytë! Mbaroi dhe na tha e çliruar: tani u ngopa! Ikëm të turpëruar, e mbyll Jani historinë!

Njëherë e pyes Janin, nëse e kish bërë me E.! Po, më thotë. Edhe E.-n e kemi patur në të njëjtën punë, ajo banon 100 m. larg meje e 100 m. larg Janit; E. është poashtu polake dhe me moshë gati sa e Janit, pra nja 15-20 vjet më e madhe se unë, si dhe jeton vetëm. Është mjaft e dashur, përshëndetemi dhe flasim kur takohemi në rrugë. Është aq e dashur me mua, sa mua më ka nisur ndonjëherë fantazia erotike me ‘të, mirpo kur Jani pohon se ka vajtur edhe me ‘të, kjo fantazi me ‘të më ndalon. Kam frikë nga smundjet veneriane…

Jani vetë ka (kishte) një grua sa gjysma e moshës së vet, shumë të bukur dhe bjonde; ndoshta polakja më e bukur që kam parë. Me ne pak shqiptarë këtu në Wedel ajo ishte mjaft e sjellshme, se na njihte thuajse të gjithve, ca nga shkolla e ca nga puna e të shoqit. Njëherë, në një mbrëmje a diçka të tillë, dikush nga ne shqiptarët deshi ti fuste duart me zor; ajo e shtyti mbrapsh. Veprim fshatarësh, po ç’farë ti bësh! Historinë e ndodhur unë e dëgjova nga një shqiptar dhe nga vetë Jani muaj më vonë. Prej këtij episodi, duket, Jani formoi mendim jo të mirë për ne shqiptarët. Për mua bënte përjashtim, se unë hyja e dilja në shpi të tij, por, përveç përshëndetjes dashamirse me të shoqen e ndonjë muhabeti të shkurtër, nuk këmbeja gjë tjetër. Zakoni mos tu hedh sytë grave të të njohurve, komshinjve, kushurinjve, etj, më ka shoqëruar qysh në rini! Më duket poshtërsi ti hedhësh sytë gruas së atij, me të cilin ti ke muhabet! Edhe sikur ajo të të hedhi sytë, me marifet bën sikur nuk e ke mëndjen! Më kanë ndodhur raste të tilla dhe s’i jam përngjitur lojës së syve…

Nejse, e shoqja u dashurua njëherë me një të ri polak dhe iku nga shpia. Fillimisht Jani i tha se ia kish falur gabimin, ndaj të kthehej. Në fund të fundit kishin edhe dy djem, njëri afërsisht tek 11-12 vjeç e tjetri tek 14-15 vjeç. Mirpo dashuria qenkësh më e fortë. Ajo nuk u kthye, dy djemtë e tyre ndenjën me Janin. Ndonjë vit pas ndarjes me gruan, Jani më tregonte gjithë kënaqsi, (pak edhe me inat), se ai i dashuri i ri e kish shembur me grushta ish-gruan e ia kish nxirrë surratin. Ja, thoshte, tek mua ishte mbretëreshë, nuk kish ngrënë kurrë një shpullë, tani të kopaniset mirë tek burri i ri!

Nja 2-3 vjet pas ikjes së gruas së parë, Jani gjeti një grua tjetër, polake, kjo dukej e urtë dhe si fshatare, e shkreta. Ishte tamam për familje, si i thonë. Pas disa vjetësh Jani doli në pension. Rregulloi letrat e pensionit dhe iku përgjithmonë me gruan e dytë në Poloni. Muaj e vite më vonë takoja herë-herë në rrugë djalin e tij të madh dhe e pyesja, si është Jani. Mirë, më thosh. Mirpo njëherë më tha se Jani nuk jetonte më. U dëshpërova e më erdhi keq. Sikur ta kisha ndjerë, sepse para disa muajsh e kisha parë në ëndërr. Në vdekjen e tij mund të kishte ndikuar edhe shëndeti pak i tepërt që kish, si dhe alkoli. E pyeta më tej çunin e tij, se si ishin ndarë me gruan e re të Janit, a i kishin lënë gjë asaj! Po-po, më tha, asaj i kishin lënë apartamentin e vogël ku jetonin të dy, ndërsa një pronë tjetër të vogël të Janit e kishin marrë ai dhe vëllai. U ndava me ‘të me një ndjesi të mirë, që gruaja e dytë e Janit, e cila i kish ndenjur atij në krah për 10-15 vjetët e fundit të jetës, nuk ish hedhur në rrugë. Besoj se Jani i ka kaluar mirë ato vite pensioni në vendin e tij. 18.3.2026

*************

Jani-3

Jani i tretë, për të cilin po ju flas, është shqiptar dhe nuk ka historira të bëmshme, të cilat ia vlen të tregohen. Por një histori e tij ia vlen të tregohet.

Ishin vitet ’90, më duket 1996-a apo 1997-a. Unë vija shpesh në Shqipëria këtë kohë dhe filmoja me kamerën time (të madhe) gjithandej, si dhe kur më thërriste ndonjë shok. Isha i papërtuar në këtë drejtim. Kështu filmova edhe Janin në karabinanë e shtëpisë e re e të pambaruar, që po ngrinte aty tek serat në Allias, ku po nisnin të hynin gjithfarë lloj tokxansish. Pas kësaj pune më hapet, duke më thënë që, ose t’ia lija për nja dy-tre ditë kamerën, ose të shkoja të filmoja diçka. Çfarë, i thashë. Më bën numra dashnorja dhe dua ta filmoj duke e kapur mat, se më duket se …. dhe historia nuk mbaronte. I thashë se nuk mund t’ia lija kamerën dhe nuk mund të vija për këto lloj filmimesh. Turp, i thashë, po qe se dyshon apo ke grindje, më mirë ndahu! Kamera nuk të ndihmon në këtë rast! Të duhen vetëm sytë, të jesh ti i bindur!

Ditë tjetër ma hapi prapë këtë muhabet, duke m’u lutur. Nga dashnore kaloi në tjetër gjë, që nuk e mbaj mënd, nëse fliste për një dashuri, apo për një shoqe. Në fakt Jani po ndahej me gruan, apo sapo ishte ndarë, diçka e tillë, gjë që e kam marrë vesh qartë vite më vonë. Ndaj mendoj se kamera i duhej të filmonte diçka që ta kish si provë për më vonë. Mirpo kamera ime ishte mjaft e madhe për këto punë, ishte nga ato me kasetë VHS, pra binte në sy 1 km larg. Për të tilla filmime duheshin kamera të vogla, nga ato me kaseta 8mm, apo foto-aparate të vogla. Lëre pastaj, që muhabeti m’u dukte mjaft banal. Sidomos, ashtu siç e tregonte ai. Ndaj vetëm e këshilloja të hiqte dorë nga ndjekjet dhe përgjimet, se ato nuk e rregullonin një marrdhënie. Ç’janë këto budadallëqe, o Jan, i thoja. Ti vetë po më thua se qenkeni ndarë (me shoqen gjoja), ç’kërkon tani, ti bësh serenata? Apo ti gjesh vibratorin? Ja e filmove, ja e pe me një tjetër, ja e pe me shumë të tjerë! Çfarë do arrish? Po je ndarë, ik, mos e mba mëndjen aty! Shiko përpara!..

Vite më vonë dyshova, se Jani donte ti bënte ndonjë inskenim ish-gruas, sikur ajo kish ndonjë të dashur, a ku ta di ç’tjetër gjë mendonte, dhe ai ta filmonte, që ta kish si provë për mbajtjen e fëmijve, ndoshta. Por edhe për këtë punë kamera ime nuk bënte dhe as unë do ta jepja kamerën për të tilla idiotllëqe! Deri më tani kisha filmuar gjëra të gëzuara, kisha filmuar edhe pislliqet e Tiranës, edhe tok-xansit e rinj, edhe ankesa të njërit e tjetrit, por të gjitha këto i kisha filmuar hapur e jo fshehtas. (I kam pas hedhur në youtube, por pas mbylljes që youtube më bëri, një shumicë filmimesh kanë mbetur në sirtarët e mi.) Ndërsa filmimi që donte të bënte Jani më dukej i komplikuar, si punë hafijesh. Lëre po, edhe historia që më tregonte ndryshonte nga hera në herë! Kjo e shtonte merakun për kamerën, se mos pësonte gjë. Ndaj nuk ia dhashë dhe as shkova pas fantazisë së tij. E di që nuk e ndihmova në problemin që kish, por nuk më dukej ndihmë ajo që më kërkonte. Atë kohë e vlerësoja si diçka jo të rregullt. Ky është aq në siklet, thoja me vete, sa kujton se do i rregollojë gjërat me të tilla filmime. Po t’ia lija kamerën, kushedi sa kohë dhe ditë do ti duhej ta mbante për të filmuar, derisa ti vinte momenti i dëshiruar! Lëre që edhe mund të ma prishte, a t’ia vidhnin. Unë vetë s’isha për të tilla filmime të fshehta! Roli i dedektivit më është dukur gjithnjë roli më i papërshtatshëm për tipin tim. Kështu që -ndonëse me pak vështirsi- iu largova ngulmimit disa-herësh të Janit. Qëlloi që për nja tre vjet nuk erdha në Shqipëri dhe, kur erdha, ai muhabet filmimi e kamere ishte harruar! Shyqyr! Muhabete të tjera jashtë kohës nuk i mungonin Janit, por pa gajle, aq sa për të qeshur unë dhe vëllai i tij, tek pinim ndonjë gotë raki. S.d.q., më vjen keq që Jani është i ndarë nga gruaja dhe nuk arrin të takojë fëmijët e tij. Dhe kjo vjen nga alkoli që e zë, më ka sqaruar i vëllai.

Tashmë në Shqipëri ekzistojnë shumë firma që merren -profesionalisht- me të tilla raste, kur njëri partner dyshon për partnerin tjetër, dhe këto firma mbledhin prova objektive e jo të stisura. Por mos të rëntë ai fat, thuaj, që njeriu të përfundojë në këto firma gjurmimi e hetimi! Jo pse do të të ikin një hale parè, kjo po e po, (pa llogaritur edhe avokatët), por kësaj i thonë gjysëm-ndarje pa nisur mirë ndarja! Dhe kur ndarja ka shkuar deri në gjysëm, gjysma tjetër -në mos sot- nesër do të ndodhë me probabilitet të lartë! Jeta e ka treguar këtë! Shqipëria e dekadave të fundit, po ashtu! 18.3.2026

*************

Jani-4

Historia me këtë Jan të katërt, (por i pari në kohë), lidhet me lëmin e historisë dhe është treguar edhe një a dy herë të tjera prej meje, por shkurt. Jani ishte punëtor i thjeshtë në sektorin e zemrave, nëse më kujtohet mirë, (sektori i zemrave në fonderi pregatiste pjesët e brendshme të detaleve, apo formave që do derdheshin (mbusheshin) me gizë), por, si sekretar i rinisë së gjithë repartit, i bënte a s’i bënte dy gram punë në ditë. Megjithatë ishte njeri i dashur e i qeshur, ishte pak si hermafrodit, pra, nëse do ti linte flokët e gjatë, do të dukej si femër; nuk ishte nursëz, ishte i qetë, paçka se pak i karrierës. Më duket se u zgjodh edhe kandidat i partisë dikur dhe, po dikur, u pranua edhe antar i saj, por nuk i kam fiksuar këto evenimente. I duhesh shpesh të ikte në komitetin e rinisë së rajonit apo rrethit, për të marrë direktivat e reja të partisë në lidhje me organizatat e rinisë në repartin tonë të fonderisë. Me ne të rinjtë e sektorit të fashove nuk para kish qejf të bënte muhabet, sepse kish frikë mos e tallnim për mënyrën tej të kulturuar të komunikimit, që bënte. (Unë nuk hyja në grupin e tallësve, sepse nuk më ka pëlqyer kurrë të vë në lojë të metat fizike a pamore të njerëzve, apo të sjelljes së tyre, kështu me mua mund të bisedonte i qetë, vetëm se nuk kish çfarë muhabeti të bënte me mua, sepse unë isha i fundit që mund të dëgjoja ndonjë direktivë partie a komiteti rinie, të cilat ai e kishte për detyrë ti përcillte tek ne të rinjtë.) Por ja që njëherë, ky rast muhabeti erdhi për Janin ta ezauronte edhe me mua.

Nuk më kujtohet viti, nëse aty nga 1983-shi, kur isha ende në punë, apo ndonjë vit më pas, kur e kisha lënë punën e kisha vajtur në uzinë sa për të takuar ndonjë shok. Por di se ishte mbasdite e unë po bisedoja me një shok të një reparti tjetër, Arjanin. Po diskutonim për një temë historie, (më duket se unë atë kohë sapo kisha lexuar ‘Shqiptarët dhe problemi pellazgjik’ të Spiro Konda-s dhe sapo e kisha kaluar atë entuziazëm të parë patriotik; a ndoshta kishte pak ditë që kisha qenë në një bisedë të hapur mbi ilirët, të mbajtur nga Aleks Buda), kështu po vija pak në dyshim disa gjëra në lidhje me pellazgët, e ndoshta edhe me ilirët. Në këtë muhabet historie na dëgjon Jani, i cili po kalonte atë moment aty pranë. Gjithë kulturë ndërhyri, (se siç thashë, këtë anë e kish me tepri, si të ish rritur në familje arisokratësh të vendeve të huaja), dhe tha se nuk ishte pa gjë ajo puna e pellazgëve. Duhen më shumë prova, nisa unë e nuk di si vazhdoi më tej muhabeti, por ndër të tjera Jani tha: -Edhe Stalini ka thënë, se pellazgët janë një popull para Hënës…

-Si para Hënës?! -i thashë unë dhe vazhdova: -Si mund të ketë pasur njerëzim para Hënës?! Ç’janë këto marrëzira?..

-Stalini është bazuar diku, se Stalini lexonte shumë edhe histori, dhe ka shkruar edhe për gjuhën, dhe …. -s’dinte të pushonte Jani, i skuqur pak në fytyrë, që ia kishin ulur baba Stalinin.

-Dakort, dakort, -i ndërhyra, -por unë nuk mund të bazohem tek Stalini, sepse Stalini mund të jetë çfardo, burrë shteti, luftëtar, strateg lufte me gjithë Zhivkovin, e ku ta di unë, por Stalini nuk është historian!

Arjani në krah vetëm buzëqeshte, sepse e njihte tipin tim. Ndërsa Jani kalonte pështymën poshtë, se nuk priste që edhe ‘baba Stalini i madh’ të kalonte në filtrin e kritizerit, dhe vazhdonte gjithë mirsjellje të sqaronte, se diçka kish në ato fjalë, se edhe ai nuk ish dakort të kish patur njerëzim para Hënës, por…

Nuk di sa vazhduam me muhabet, pesë minuta a dhjetë, por di se ia bëra baba Stalinin heleq në sektorin e historisë, duke ia përsëritur disa herë, që edhe ai të mos bazohej tek Stalini, kur ish fjala për lëmin e historisë, por të referohej tek historianët. Të më kuptosh, justifikohesha unë në propagandën time anti-staliniane, Stalini mund të jetë burrë i madh shteti, nuk e ve në dyshim, por në histori nuk merr vesh! Jo çdo mendim i tij emocional në fushën e historisë duhet pranuar, vetëm e vetëm se e ka thënë Stalini! Më vjen keq, por ka kritere… Vërtet, vërtet, nuk i mbetej tjetër të thosh Jani i kulturuar, nuk mund ta marrim sy-mbyllurazi diçka që ka thënë Stalini në fushën e historisë, por as ta injorojmë fare, se ai kish lexuar shumë mbi gjuhësinë dhe…

Si i sjellshëm që ish, Jani nuk harroi të largohej dikur. Arjani, i cili s’kish folur por vetëm kish buzëqeshur gjatë gjithë kohës, lëshoi në formë sentence, pasi Jani ishte larguar drejt repartit: -Ore, prit kur këta të thonë, që ne jemi pellazgët, ne ore, ne të sotmit! Ha-ha, nuk e mbajta dot të qeshurën, natyrisht, teksa Jani ishte futur ndërkohë në repart. 18.3.2026

Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.

Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.

Nëse ju pëlqen ndonjë shkrim e doni ta rilexoni në të ardhmen, kopjoheni dhe hidheni në kompjuterin tuaj, sepse kjo faqe mund të mos jetë më pas disa vjetësh.