Poshtë ideollogjitë (!?)
Do të doja të ndalesha pak në këtë temë, ‘a duhen apo jo ideollogjitë’, sepse më duket ka jo vetëm një keqkuptim dhe ngatërresë aty, por edhe një formim të cekët në atë devizë. Duket, ngaqë shekulli i 20 ishte i mbushur me ideollogjira të ndryshme dhe, po ky shekull, rrasi nëpër burgje miliona njerëz dhe vrau qindramijra qytetarë që viheshin -në një a tjetër form- ndesh ideollogjive përkatëse në vendet e tyre, shumë njerëz dualën me përfundimin, se ideollogjitë -si ato të djathta, ashtu dhe ato të majta- janë mjaft të dëmshme. Biles, më duket se ka edhe një rrymë filozofike në perëndim, që udhëhiqet nga kjo devizë: asnjë ideollogji, ideollogjitë janë të dëmshme! Unë kam hyrë disa herë në diskutime mbi këtë temë, si në kohën e atëhershme “socialiste”, ku koha ishte e vetmja gjë me bollëk që kishim, ashtu edhe sot në kohën e ‘demokracisë” kapitaliste, ku vendin e kohës po përpiqet ta zejë leku. Vetë kam qenë kundra kësaj pikpamje anti-ideollogjiste, jo për të mbrojtur një ideollogji të caktuar, por për shumë e shumë arsye (që do tregohen më poshtë), të cilat truri im ka patur kohë me vite dhe dekada të tëra ti trajtojë aty nëpër neurozat e tij, qysh nga mosha e adoleshencës e deri më sot. Dhe, besoj, të jem në shina të drejta në këtë qëndrim. Le ta diskutojmë me qetësi e dashuri, siç thoshte një politikan shqiptar ‘pa” ideollogji!
Ndër ata të kohës “socialiste” po përzgjedh si fillim një shok, me të cilin diskutoja pak më gjatë mbi këto tema dhe i cili ishte fetar (paksa i fshehur atë kohë); duket kjo ndërgjegje e tij e përjashtonte fenë nga ideollogjitë. Pra, sipas tij, do të mjaftonte besimi në Zot pa ideollogjitë e ndryshme, të djathta e të majta, dhe njeriu (njerëzimi) do të jetonte më mirë. Po, a nuk janë fetë e ndryshme ideollogji të caktuara, hidhesha unë. Kështu diskutimi na çonte aty ku i çon të gjithë diskutuesit e këtyre temave, që: a është besimi në Zot një fe e caktuar, apo feja e caktuar (çfardo) është tjetër nga besimi? Nuk ka nevojë të gjurmojmë gjatë, sepse dallojmë që besimi në Zot është -pak a shumë- i njëjtë, si për atë që shkon në kishë apo xhami, ashtu dhe për atë që nuk shkon në godinën fetare, por thjesht beson në një qënie të mbinatyrshme. Dikush beson në Zot e dikush në Perëndi, -në kohët e lashta e deri ato antike ishte ky lloj besimi; dikush beson(te) në një Zot konkret (Diell, Hënë, Tokë, Zjarr, Ujë, etj.) e dikush tjetër beson në një Zot/ Perëndi abstrakt/e, dikush beson në një Zot abstrakt e kompakt dhe dikush beson në një Zot të gjindur gjithandej: tek njeriu, tek kafshët, tek pemët dhe bimët, etj. -ky lloj besimi i fundit quhet: panteizëm. Pra, besimi në vetvete tek një Fuqi e mbinatyrshme nuk ka si të përbëj një ideollogji të caktuar, sepse është një ndjesi e brendshme e njeriut, (jo rrallë e lidhur me frikën), dhe jo pranim i rregullave të caktuara, tek të cilat nis të konfigurohet ideollogjia.
Ndërsa kur flasim për fetë, vetë këto fe të ndryshme në botë janë jo vetëm të ndryshme nga njëra-tjetra, por edhe nga besimi i thjeshtë në Zot/Perëndi, pemë, Diell, etj. Duke qenë të ndryshme nga besimi dhe nga njëra-tjetra, ato prezantojnë rite e rregulla të ndryshme nga njëra-tjetra, që lidhen me Hyjninë e caktuar dhe me problemet shoqërore. Gjithashtu fetë ndryshojnë edhe në aspektet filozofike të tyre. Pra, duam s’duam, sejcila prej feve të sotme (e të djeshme) është një ideollogji e caktuar, e cila përpiqet ta orientojë njeriun në disa rregulla të caktuara shoqërore dhe në një filozofi fetare të caktuar. Nuk them, se besimi nuk ka lidhje me fenë, por -s.d.q.- këto nuk janë e njëjta gjë. Pra, ndërsa besimi i njeriut në Zot/Perëndi e përjashton ideollogjinë tek ky njeri besimtar, identifikimi i njeriut me një fe (religjion) të caktuar i jep këtij njeriu automatikisht një ideollogji të caktuar. Për faktin e thjeshtë, se ai është nën disa rregulla të caktuara, të cilat përmbushin një qëllim hyjnor, të cilat ai duhet ti ndjekë me sa është e mundur, (e të cilat i kanë përcaktuar disa njerëz për shekuj me radhë dhe ua prezantojnë popullsive të ndryshme si fjalë të Zotit/ Perëndisë).
Pra, dashur pa dashur, këta njerëz fetarë që kundërshtojnë ideollogjitë e caktuara, kundërshtojnë më parë fenë e tyre! Paradoks, por e vërtetë! Ndërkohë që ata hedhin pa dashur poshtë vetë fenë e tyre, ne ua mbrojmë këtë fe, por thjesht në kuadrin e mbrojtjes së ideollogjive dhe jo -posaçërisht- të asaj ideollogjie fetare të tyre! Pra, ne jemi në mbrojtje të ideollogjive, për faktin se ato përpiqen ti japin njeriut një orientim. Ato përpiqen ti japin njeriut një kuptim për jetën. Ato përpiqen të jenë insulina e punës së tij. Dhe kjo nuk ndodh vetëm me ideollogjitë fetare, por edhe me ato afetare.
Mirpo … dreqi e marrtë … cila prej tyre është e drejta, e vërteta, e mira?… A nuk kanë dalë të gjitha me të meta?!? A nuk kanë pasur shumë prej tyre edhe anë pozitive … a si të themi, që kanë sjellë paqe dhe përparim?!? Vërtet, ka patur … ashtu dhe kështu, …. dikur të mira, sot … ëm, jo të mira!.. A si të themi, na janë dukur të këqia, por paskan patur edhe të mira!… Apo na janë dukur të mira, por … na del se paskan qenë më shumë të këqija!… Jo-jo, për një pjesë të njerëzve ishin ashtu, e për pjesën tjetër ishin kështu!.. Për disa të mira e për të tjerët të këqija!… Prit se ka dhe më; një shumicë e atyre që mendonin se ishin të këqija, sot mendojnë se paskan qenë të mira! Dhe një shumicë e atyre që mendonin se ishin të mira, sot mendojnë se paskan qenë të këqija! Zot i madh, ç’të përzgjedhim? Në lidhje me ideollogjitë e ndryshme, e kam fjalën! Për këtë po vazhdojmë të diskutojmë!… 20.3.2026
*************
pjesa e dyte:
Ndërkohë që anti-ideollogjizmi i fetarit bie shpejt poshtë dhe nga premisa metodike, anti-ideollogjizmi i një laiku dhe jo-fetari vlen për diskutim, sepse këtu hyjnë në punë faktet dhe argumentat. Vjet (2025), një mik i ri ma shprehu sërish këtë devizë të njohur, tek po bënim muhabet, dhe ai nuk është fetar, (ndoshta mund të jetë ca besimtar, por jo fetar). Edhe kësaj radhe e kundërshtova nën argumentin, se edhe një ideollogjizëm i provuar si i gabuar mund të krasitet e të shkartiset me degë më të mira, por një njeri dhe shoqëri pa fare ideollogji, rrezik të humbë çdo lloj ideali në jetë e të bëhet bajat/e, makut/e dhe i/e shthurrur!
Në fakt, me rënien e murit të Berlinit (1989) nisi rënia e ideollogjive ‘komuniste’ e ‘socialiste’, paçka se vendet e Lindjes s’kishin të bënin me atë lloj komunizmi që parashikonin Marksi e Engelsi, (ato ishin -as më pak e as më shumë- sistem: socializëm shtetëror), paçka se vendet lindore kishin vetëm pak më tepër aspekte sociale nga vendet perëndimore, paçka se ato ishin vende po aq nacionaliste sa vendet perëndimore, pra larg internacionalizmit komunist, që i zhduk shtetet shpejt e brenda disa dekadash, -të paktën në aspektin teorik ky deduksion marksist. Vendet perëndimore u dukën si fituese në këtë ‘garë blloqesh’ (perëndimorë kapitalistë e lindorë socialistë) dhe, ajo më kryesorja, këto vende perëndimore nuk pretendonin për ndonjë ideollogji të caktuar, por justifikonin pronën private mbi mjetet e prodhimit dhe marrdhëniet kapitaliste në ekonomi si rrugën e vetme e të natyrshme të shoqërive njerëzore. Kështu, ideollogjitë fashisto-naziste -të lindura në gjirin e tyre- ato i kishin kritikuar më parë, tani kritikuan edhe këto ideollogji “socialist-komuniste” të Lindjes, kështu përfundimi është i qartë: ideollogjitë janë të dëmshme!..
Në fakt, nëse shikojmë përplasjet dhe konkurrencën Perëndim-Lindje në gjysmën e dytë të shek. 20, shohim se ato muarën nga njëra-tjetra bollshëm, diçka kjo që është pohuar nga të dyja palët gjatë gjithë kohës. Pa fenomenet në Lindje, pohojnë ideologët perëndimorë, kapitalizmi ynë do kish mbetur primitiv dhe i egër. Pa shumë aspekte demokratike e pozitive të Perëndimit, pohojnë ideologët lindorë, do kish mbetur socializmi ynë i egër dhe i ashpër. Për çudi, kjo kundërti e tyre shfaqi jo vetëm luftën e tyre të ftohtë e të fshehtë ndaj njëra-tjetrës, por edhe bashkpunimet dhe kopimet tek njëra-tjetra. Kjo ideollogji komuniste e Lindjes -dashur pa dashur- ndikoi që ky kapitalizëm perëndimor të ishte më demokratik e njerëzor, (shumë larg atij të shek. 19). Ky përparim në disa drejtime i vendeve perëndimore -përfshi aty edhe idetë dhe mini-ideollogjitë e ndryshme- bëri që socializmi lindor të zbutej nga dekada në dekadë e të ishte më njerëzor.
Mirpo ai ra dhe … duket se ne nuk kemi më nevojë për ideollogjitë ‘socialist-komuniste’! Mirpo … idetë e tij mbetën në botën perëndimore, paçka se të copëzuara dhe shpërndara në shumë sektorë të jetës perëndimore! Dhe, pa këto idè ‘socialist-komuniste’ nuk do të zhvillohej më tej perëndimi edhe sot. Psh, kur erdhëm ne në Gjermani (korrik 1990), këtu ruheshin ende disa aspekte bismarkiane të shekujve të kaluar; bie fjala, vagonat e trenave ‘të vegjël‘, që lëvizin brenda qyteteve, ndaheshin në dy klasa, si tek trenat e ‘mëdhenj‘, që lidhin qytetet e Gjermanisë. Aty nga viti 1992-’93 u hoq kjo ndarje klasore. Edhe në disa shoqëri avionësh është hequr kjo ndarje dy-klasash. Kjo ndarje e shoqërisë në dy klasa po vazhdon të zhduket edhe në aspekte të tjera të jetës. Dhe i gjithë ky proçes nuk do të ndodhte, nëse ne të ardhurit nga Lindja (gjermanë, çekë, jugosllavë, rusë, etj.) nuk do ta përqeshnim dhe kritikonim këtë sistem dy-klasor perëndimor, të panjohur në vendet tona “socialiste”! Apo dhe aspektet sociale të kapim, qoftë ndihmat financiare për të papunët, për kopshtet, për shkollat, për projekte të ndryshme zhvillimi e krijuesish, apo të kapim disa aktivitete në fushën e sportit, kulturës, shkencës, të cilat në vitet ‘50 e ‘60 as që mund të imagjinoheshin ende, por nën ndikimin e konkurrencës me Lindjen “socialiste” dhe nën ndikimin e ideve të ndryshme ‘socialiste’ tani më vonë, ja që zbatohen në vendet kapitaliste perëndimore, gjë që pohohet edhe nga vetë mediat perëndimore! Pra, ideollogji të ndryshme -duam a nuk duam- ndikojnë në jetën tonë, ndikojnë edhe në shoqëritë që -gjoja- i kanë abandonuar ideollogjitë!
Mos u çudisni po t’ju them, në fillimet e tyre edhe idetë nacionaliste, si ato ‘fashiste’ në Itali dhe ato ‘nacional-socialiste’ në Gjermani, patën disa ndikime në zhvillimin e gjithanshëm të këtyre vendeve. Të drejtat e gruas muarën përparsi, paçka se ca sipërfaqshëm, arsimimi i përgjithshëm u shtua, puna dhe solidariteti në shoqëri patën rendimente të larta, si dhe qytetarët e këtyre vendeve informoheshin edhe më shumë mbi çfarë ngjiste në botë, paçka se edhe me dozën e caktuar të gënjeshtrës, si dhe teknollogjia njohu hapa gjigandë si kurrë më parë, dhe 8-orarshi u saksionua kudo me ligj! Kishte edhe shumë dukuri të tjera, që ne i quajmë: pozitive, aq sa pa oreksin e zgjeruar të këtyre shteteve për të grabitur pronat e vendeve të tjera, që erdhi pak vite më vonë, ato sisteme nacionale alla Duçe dhe Hitler do të kishin patur jetën e tyre më të gjatë në vendet respektive ku lindën. Dhe, sikur ato ideollogji të ishin krasitur dhe shartuar qysh në fillim me idera më paqësore, jam i sigurtë se ato ideollogji dhe sisteme do të kishin rrezatuar dhe jetuar edhe më shumë. Nehrui dhe Mahatma Gandi ishin deri diku një provë për këtë, ashtu siç -deri diku- një provë për idetë e majta lindore janë aspektet sociale në perëndim dhe ne ‘komunistët” e majtë me idetë tona! 21.3.2026
*************
(pjesa e tretë):
I trajtuam ideollogjitë në dy pjesët e para si kategori të palëvizshme, pra metafizikisht, po këtij këndvështrimi i mbetëm edhe kur folëm për krasitjen dhe shartimin e tyre. Por -shpresoj që- lexuesi e ndjeu një farë këndvështrimi dialektik në prapaskenë, të trajtimit të atyre ideollogjive, çfarë do na duhet të mos i ndahemi në këtë pjesë të tretë, në mënyrë që të kuptojmë më mirë, nëse na duhen a jo ideollogjitë. Kështu do të kuptojmë, se ideollogjitë s’përmblidhen vetëm në aspektet fetare të njeriut, jo vetëm në teoritë -e ashtuquajtura- të majta e të djathta, por në shumë aspekte të ndryshme të jetës, si patriotizmi (+nacionalizmi), narçizmi (përzgjedhja) nacional(e) si një popull i veçantë -tek një shumicë gjermanësh psh, narçizmi (përzgjedhja) nacional-fetar(e) si një popull i përzgjedhur nga Zoti -tek një shumicë arabësh e izraelitësh psh, ambientalizmi, lufta kundër abordit, qëndrimi ndaj kafshëve, qëndrimi ndaj vaksinimit, qëndrimi ndaj konventave dhe entiteteve ndërkombëtare, pse jo pak edhe nihilizmi -tek një shumicë shqiptarësh psh, e sa e sa teori dhe qëndrime të caktuara të njeriut, që mund të konsiderohen mini-ideollogji, si bie fjala tek qëndrimet ndaj abordit, ndaj teknollogjive, ndaj konflikteve nëpër botë, ndaj traditave, etj., çka na tregojnë se ideollogjitë janë jo vetëm shoqërueset tona, por janë edhe ADN të ndryshueshme të jetës tonë.
Në historinë e njeriut, të paktën tek ky euro-aziatik, (më pak tek ai afrikan), idetë e ndryshme e kanë shoqëruar atë qysh nga fundi i primitivitetit e deri më sot. Diku aty në kohën e gjuetisë, ai kuptoi se atij mund ti jepte ushqim edhe toka, kështu i drejtoi jo vetëm sytë drejt saj, por edhe mëndjen. Kështu ai nisi dikur (Mosopotami-Egjypt, 15÷13 mijë vjet më parë) ta punonte tokën, fillimisht me mundim të madh e me rezultate të vogla, çfarë ka sjellë një kontradiktë të re në gjirin e fisit, ku një pjesë ka ngulmuar për mosprishjen e traditës së gjuetisë dhe mbështetjen tek blegtoria, ndërsa pjesa tjetër ka ngulmuar përherë e më fort tek punimi i tokës. Këto dy ngulmime të kundërta na dhanë dy teori, ndryshe dy ideollogji të kundërta, të cilat -vetvetiu- fillimisht bazoheshin tek fuqitë e mbinatyrshme, -njëra palë mbante hyjnitë e vjetra, tjetra gjeti hyjnitë e reja. Pra, duam s’duam, ideollogjitë e shoqëruan njeriun qysh nga fillimet e lashtësisë (≈ 13 ÷ 9 mijë vjet më parë, -një përcaktim kohor i imi ky) e deri më sot.
Sot ne jemi përpara teknollogjisë së robotizmit, gjë që na ka vënë në dilemën e: 1) vazhdimit pa kokçarje në këtë drejtim, apo 2) frenimit dhe kujdesit në këtë drejtim! Për faktin se, (siç na kanë treguar shkrimtarët dhe studjuesit e ndryshëm), ky robotizëm mund ti kundërvihet vetë krijuesit të tij, ky robotizëm mund ta bëj njeriun shumë më pak të rëndësishëm në të ardhmen, ky robotizëm mund të zhdukë edhe normat dhe aspiratat njerëzore, duke lejuar vetëm ato të dukjes dhe dominimit, ky robotizëm mund ta deformojë njeriun në një fuçi vere me këmbë e duar të shkurtëra, ky robotizëm mund ta nxjerrë jashtë loje njeriun me ndjenja e me shpirt, duke i lënë vend vetëm hibriteve njeri-robot, e sa e sa mendime janë shfaqur në këtë rrugë automatizimi të gjithanshëm! Pra, duam s’duam, idetë do na shoqërojnë edhe në të ardhmen; dhe të mos harrojmë, ato janë trungu i ideollogjive dhe dallojnë si të tilla, kur ato i kundërvihen një ideje e rruge tjetër.
Duke qenë se nuk ka kufinj midis ideve dhe mini-ideollogjive, vetvetiu nuk ka si të ketë kufinj midis ideve dhe ideollogjive, (sepse idetë rriten dhe bëhen ideollogji, gjë që varet nga masa e përplasjes me polin e kundërt). Kështu që e keqja nuk qëndron tek ideollogjitë, por tek mos-rrahja e mendimit mbi dobinë dhe dëmin e x-/y-ideollogjie. Nëse njeriu do t’jetë i lirë të shprehë çdo mendim, (bie fjala dikush mbron Hitlerin, dikush Stalinin, dikush jetën askete, dikush përdhunimin, dikush barazinë absolute, dikush pranimin e aftësive të ndryshme tek njerëzit, dikush respektin pa kufi, dikush mos-respektin (duke e parë këtë si ofendim të tjetrit), dikush barazinë e të drejtave të njeriut dhe kafshëve, dikush mos-barazinë e të drejtave të njeriut dhe kafshëve, dikush anarshinë e dikush diktaturën, dikush abordin e dikush ndalimin e abordit, dikush përzierjen e fesë me shtetin e dikush laicitetin, etj.-etj.), dhe ky mendim do të diskutohet hapur, njeriu do të ketë më shumë hapsirë dhe mundësi të përzgjedhë idetë dhe ideollogjitë e pa-dëmshme, padëmshmëri kjo jo e përjetshme dhe absolute, që d.t.th. se, pas disa dekadash apo shekujsh, një idè dhe ideollogji e caktuar mund të pranohet e ndryshuar apo e pandryshuar. Vetë ligji i pestë i Hegelit na e detyron këtë: një arritje e caktuar teknollogjike mund të sjellë një idè dhe parim të ri.
Nëse ne, në hedhjen poshtë të ideollogjive do parakuptojmë vetëm ato ideollogji të djathta e të majta të shek. të kaluar, mendoj se edhe në këtë kufi kemi vështirsi, sepse njëra ideollogji lidhet me shumë aspekte, dhe tjetra po kështu. Të djathtët flasin për kombin dhe larg nga internacionalizmi, (paçka se në realitet bëjnë të kundërtën), mirpo ky qëndrim shoqërohet nga një serë sjelljesh dhe aspektesh të tjera, si abordi i detyruar për kërthinj me sëmundje, (që raca të mbetet e pastër), përvetsimi i arritjeve të të tjerve, kontrolli i jetës në vend, etj.. Të majtët flasin për internacionalizëm (paçka se në realitet bëjnë të kundërtën), dhe ky qëndrim shoqërohet me një serë sjelljesh e aspektesh të tjera, si ndalimi i abordit edhe në rastet kur dallohet sëmundja tek kërthiu në bark, ndarja e të mirave materiale e shpirtërore me të huajt, shpërbërja e shtetit, etj.. Natyrisht dallojmë edhe të përbashkëta mes këtyre ideollogjive, si psh organizimi i nxënësve për mbjelljen e pemëve. Mendoni tani, sikur në një aktivitet të tillë të mos udhëhiqemi nga një idè dhe ideollogji e caktuar, por aty kemi thjesht një orë të zakonshme biologjie. Në cilin rast do kemi rezultate më të mira? 22.3.2026
*************
(pjesa e katërt dhe e fundit)
Më kujtohen nga koha e atëhershme “socialiste” shumë filma edukativë dhe personazhe nobël, si Lysien Lëveni në filmin francez, apo ai studenti mulat që studionte paradite dhe pasdite ndihmonte të atin e tij vorraxhi në atë filmin izraelit apo egjyptian, (apo film i përbashkët i të dy shteteve), të cilët përcillnin mesazhe të forta tek ne fëmijët e rritur dhe të rinjtë e sapo qimëzuar në faqe, ku -mes përpjekjeve për të studjuar mes shumë vështirsive dhe ndarjeve klasor-kastore- i pari na përcillte edhe mesazhin e humanizmit ndaj njerëzve të sëmurë, i dyti na përcillte mesazhin e barazisë njerëzore, panvarsisht ngjyrës dhe prejardhjes shoqërore. Në aspektin teorik, diktatura jonë na përcillte -përmes filmave- mesazhe mjaft humanitare, të cilat -sëbashku me mësimet teorike të shkollës- ishin mbrojtëset tona përgjatë llapaqenies së përditshme, përgjatë atyre kritikave që sa e sa njerëz lëshonin për mjaft fenomene negative të lidhura me pushtetin dhe pushtetarët, -sa për shembull po ju kujtoj romanin e Dritëro Agollit: ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’. Pra, si dje në bllokun Lindor dhe atë Perëndimor, si sot në Amerikë e në Iran, si në Islandën e ftohtë dhe Kamerunin e nxehtë, si atje ku pretendohet se ndiqet një ideollogji e caktuar, ashtu edhe atje ku nuk ekziston ky pretendim, kemi mesazhe të tilla, të cilat ne i konsiderojmë -gati në një absolutizëm hegelian- si pozitive e të vlefshme, dhe kjo për faktin se nuk kemi koncepte dhe kategori të ndara me thikë, por kemi kufinj të përzier idesh, ideollogjish, mesazhesh, teorish, qëndrimesh, etj. -të gjithave- me njëra-tjetrën.
Duke mos patur ideollogji të pastra e të qarta, (edhe tek ato fetare poashtu), por të tilla që transhendetohen (≈transformohen e ndërkallen tek njëra-tjetra) përgjatë dekadave dhe shekujve, ne kemi mundësi 1) të dallojmë në ‘to të mirat e të këqiat e tashme apo të ardhme, 2) ti trajtojmë e ti diskutojmë herë pas here pikat e shumta në ‘to, 3) të revizionojmë her pas here diçka në ‘to. Dhe e gjithë kjo, jo për ta bërë botën në një mëndje, se këtë -për çudi dhe fatmirsisht- nuk na e lejon ligji i të kundërtave, por për të pasur mundësi ta bëjmë botën rrethuese sa më të mirë për të gjithë njerëzit, e jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, për botën bimore dhe për të gjithë planetin tonë -si trup kozmologjik. Nëse kjo do të ish praktikuar -bie fjala- në dy kampet dhe ideollogjitë përkatëse -të Lindjes e Perëndimit- në shekullin e kaluar, do të kishim patur një afrim në këto dy kampe, për më tepër që edhe sitetemet e tyre ekonomikë nuk ishin veçse kapitaliste, njëri i formës shtetërore e tjetri atij privat.
I gjithë ky diskutim teorik, paçka se paksa i përciptë, (për shkak se këto janë shkrime vetëm për fejsbuk), nuk vlen nëse ne -njerëzit- harrojmë që jemi pjesë e natyrës, si të tillë kemi gravitetin tonë, që na shpie në bashkime polesh (femër + mashkull), një proçes ndarës ky nga çiftet e tjerë dhe nga çdo lloj komponenti/ entiteti tjetër (firma, shteti, ligji, shoqëria, farefisi, komshinjtë, etj), por që njëkohësisht njeh -apo është i detyruar të njohë- edhe bashkveprimin me gjithë këto komponentë të tjerë. Pikërisht, për shkak të këtij bashkveprimi, ne ngremë një sistem ligjor (juridik), i cili -sot në botën perëndimore, por jo vetëm aty- i jep të drejta dhe detyra jo të njëllojta cilitdo njeriu e subjekti, por -duke i patur nenet dhe paragrafët me disa fytyra- institucionet dhe organet shtetërore, që e ushtrojnë zbatimin e tyre, kanë mundësinë e interpretimeve të ndryshme të këtyre ligjeve. Përpara të fortëve, të fuqishmëve, të pushtetshmëve, të pasurve, të afërmëve familjarë, ligji vepron ndryshe nga sa dhe si vepron tek i dobti, i pafuqishmi, i varfëri, i papushtetshmi, i panjohuri, i huaji! Dhe kjo, më shumë se kurrë sot në ‘demokracinë” perëndimore, se sa në diktaturën tonë “socialiste”! Unë i kam jetuar të dyja kohët, vendet dhe sistemet, për më tepër, i kam provuar në kurrizin tim. Ndaj përsëris papushim, se diktatura jonë e Lindjes, paçka se më e egër dhe më brutale, ishte më e përballueshme se diktatura e sotme perëndimore, sepse ishte naive dhe të dilte përballë me grushtet e saj! Përveç kësaj, kish zbutje nga dekada në dekadë. Ndërsa diktatura e sotme në vendet perëndimore është shumë më tepër hileqare dhe ta ngul thikën pas shpine, nga nuk e pret! Ndaj dhe është më rezistente. Dhe ajo që e bën atë më të rrezikshme e të pandryshueshme, është fakti se ajo përpiqet realisht të mos përqafojë kurrfarë ideollogjie, çfarë ideologët e saj të shumtë e përsërisin si papagalli çdo ditë. Nën këtë pretendim, qytetari çfardo dhe i dëmtuar pret ta gjejë të drejtën tek ligji. Mirpo edhe ligji nuk e mbron dot, sepse ligji ka disa fytyra, dhe gjykatësi (apo zyrtari ose prokurori) përzgjedhin atë nen e paragraf që nuk e mbron atë, ata zgjedhin paragrafin që mbron palën dhunuese! A nuk është kjo metodë pune një ideollogji e caktuar dhe e qartë, e cila flet për pa-barazi dhe mbron kastat?!? Duke pretenduar për mospatjen e asnjë lloj ideollogjie, por njëkohësisht ndiqen parime e idè -deri diku- të sofistikuara shfrytëzimi dhe shtypjeje, kjo është një lloj ideollogjie e kamuflluar! E cila, në anën tjetër, i ç’orienton të rinjtë e të rejat, duke i hedhur ata më së shumti tek jeta e lehtë materialiste dhe e qejfit. Disa idè dhe ideollogji -deri diku- nacionaliste (apo atdhetare) e frenojnë paksa materializmin dhe jetën e qejfit, por … paksa. Paksa edhe tradita. Por, duke parë se marrdhëniet e gjithanshme të sotme po i emulsojnë traditat, gjithashtu edhe kombet po nisin dalë e ngadalë të emulsohen, pokështu edhe feja është vetdëmtuar sa s’ka ku të shkojë më, me shumë mundësi do të kemi në një të ardhme pa-idèra, pa-parime, pa-ideollogji, pa ligje t’njëjtë për të gjithë më shumë probleme e pasiguri! A ndoshta roboti i s’ardhmes mund të mos i kuptojë fare këto problemet tona të sotme! 24.3.2026 FUND
Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.
Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.
Kjo faqe mund të jetë në internet vetëm për disa vjet, ndaj, nëse ju pëlqen ndonjë shkrim e doni ta rilexoni dikur, kopjoheni dhe hidheni në kompjuterin tuaj.