8b ligji hegelit

          Ligji i Hegelit, brezi i ri dhe e ardhmja e njeriut 

Dje tek po kthehesha nga puna, (punën e bëj për rrogën dhe pensionin e gruas, si armik i demokracisë që jam), shoh në trojtuarin përkundruall dy fëmijë të rritur, 13 ÷ 14 vjeçarë -e shumta, të cilët po ecnin me gjysëm metri distancë nga njëri-tjetri dhe kokat i mbanin ulur me sytë e përqëndruar tek celulari, smartfonët përkatës të shtërnguar në duar. Një pamje sot jo e pazakontë, një problem me të cilin po nisin të merren sot edhe qeveritë dhe parlamentarët e shteteve, një hall i madh që na ka rënë të gjithve e që nuk po dimë si ta zgjidhim dot! Në këtë pamje të djeshme, mëndja më shkoi automatikisht tek ai ligj i fundit i Hegelit, që përmendëm edhe në një shkrim parakalues, i vetmi ligj i zbuluar nga filozofi i madh gjerman, (se të tjerët kanë qenë në një farë mënyre dhe latentisht të njohur edhe më parë), ai që një shpikje teknollogjike mund të sjellë një idè të re, një ideollogji të re, një parim të ri, një filozofi të re jete, e pikërisht -në lidhje me rastin në fjalë: smartfonin- mund të sjellë një qasje të re të njeriut ndaj njeriut, të njeriut ndaj shtetit, të njeriut ndaj padrejtësive (ligjore e jo-ligjore).

Deri më sot, duke nisur nga kohrat antike, që njohim pak më mirë nga lashtësia dhe primitiviteti, njeriu ka protestuar dhe është hedhur në beteja për probleme sociale, po-po, tek Bibla, tek Homeri, Herodoti, mitet e ndryshme, etj. autorë, dallojmë jo vetëm konfliktet fetare, aq rutinë për kohën, dallojmë jo vetëm konfliktet e mbretërive të ndryshme për zgjerime dhe pasuri -aq të zakonshme, por dallojmë edhe konfliktet me bazë ekonomike e sociale të bujkut dhe qytetarit të thjeshtë. (Ndonjëherë gjej ndoshta kohën e bëj një punim në këtë drejtim, ndonëse shkolla jonë kishte jo pak materiale edhe në këtë drejtim.) Pra, njeriu është hedhur në demostrime e përleshje për të mbijetuar, për drejtësi dhe barazi, për të fituar respektin e dinjitetit të tij. Nuk e ndali atë në këtë drejtim as shpikja e rrotës, as shpikja e mullirit të erës, as shpikja e pasqyrës, as shpikja e tryelës, as shpikja e trarëve mbajtës dhe -me ‘to- ndërtesave shumë-katshe, as shpikja e betonit, as shpikja e motorrit, as shpikja e trenit, makinës, aeroplanit, etj.. Ky njeri është përleshur me padronët, me zyrtarët, me policinë për shumë aspekte sociale dhe ekonomike, … deri para disa vjetësh, deri dhe një brez pas meje.

Sot, … sot po ngjet diçka e paimagjinueshme, … jo aq, … më kujtohet aty në mesin e viteve ’80 (1985-‘86), tek kompjuteri po përparonte në botë dhe në Shqipëri kish pak vite që kish hyrë në disa shkolla të larta, mes dhjetra subjekteve për tregime letrare, që më vinin në kokë, ishte edhe një që fliste për një njeri që nuk lëviste nga krevati, (për një a tjetër arsye), dhe ai i kryente të gjitha psonisjet dhe punët duke komunikuar përmes kompjuterit me dyqanet, etj., (të mos harrojmë që interneti masiv nuk kish nisur këtë kohë, do të duheshin edhe disa vjet që ai të niste, por mëndja e krijuesit letrar shkon tej kohës së tij). Apo, aty kur sapo kishin nisur të shiteshin smartfonët e parë, (më duket 2008-2010), më lindi një idè e vogël për film të shkurtër, ku familjarët e një shtëpie komunikojnë me njëri-tjetrin jo me zë, por përmes smartfonit. Këtë idè e realizoi dikush tjetër më parë, (gjë që ndodh në jetë, kur një idè a subjekt u vjen -gati- në të njëjtën kohë dy e më shumë krijuesve/ zbuluesve). Pra dua të them, se disa gjëra njeriu i parashikon më parë në lidhje me një shpikje teknollogjike. Mirpo disa të tjera dallohen shumë më vonë. Si kjo që më vajti mëndja dje, tek po mendoja se për cilat përleshje sociale do jetë i gatshëm ky brez i ri!?. A do përleshet ky brez me policinë dhe shtetin, siç bënë baballarët dhe para-ardhësit e tyre?.. A nuk duket se smartfoni dhe rrjetet e tij sociale (kështu quhen ato për ironi të fatit) po e kanalizojnë këtë njeri të së ardhmes në të tjera rrugë nga ato që kemi kaluar ne deri më sot?!. A nuk duket se ai po mësohet, që të gjitha problemet e tij sociale dhe ekonomike të gjinden aty në internet?!. A nuk po ambientohet ai me faktin, që problemet sociale dhe ekonomike të njeriut gjinden vetëm në internet?!. A nuk po i duket atij mëse e natyrshme, që të gjitha temat social-ekonomike zgjidhen në internet? A nuk duket se jemi në këtë fazë të ndërmjetme, ku problemet dhe temat social-politik-ekonomike po kalojnë nga jeta reale në atë virtuale (të internetit)?!. Ja, dje mbasdite, artistja e filmit për të cilën folëm në shkrimin parakalues, mblodhi sërish disa qindra njerëz para bashkisë së Hamburgut, për të protestuar kundër përdhunimit virtual dhe çdo lloj dhunimi tjetër në internet, në të cilin janë femrat më të prekurat. Ajo shpërndau përmes instagramit lajmin, dhe shumë njerëz -me dominancë femërore- u mblodhën realisht në një shesh. Jemi pra akoma në fazën, ku protesta e njeriut ndahet në dy kanale, atë virtuale (internetin) dhe atë reale (konkrete fizike), por kjo e dyta gjithnjë e më tepër e butë dhe me pak njerëz. Aq sa nuk dallon më sot një grupim i tillë protestuesish nga një grumbullim dashamirsish koncerti, apo nga një grumbull njerëzish -më së shumti pensionistë- para tribunës së një politikani. Me grupimet e dikurshme të grave protestuese për të drejtat e tyre nuk ngjajnë fare këto të sotme! Se lëre më pastaj, të flasim për përleshje me policinë! Jo-jo, duket sikur e ardhmja e këtyre grupimeve njerëzish fizikë të shkojë drejt figurinave hologramike, … dhe të mos na vijë çudi që po afrojnë këto kohë, kur hologrami ynë do shkojë përmes internetit dhe pajisjeve të reja nga dhoma e gjumit në sheshin e demostrantëve, … luftëtarve të paepur të së ardhmes… Lëre se më duket më erdhi një idè e re për tregim a për film! Që pa njohjen e ligjit hegelian, nuk besoj se do më vinte! Rrofsh, o Hegel i madh! 28.3.2026

Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.

Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga Robert Thomanikaj.

Kjo faqe është me pagesë, si e tillë mund të mos jetë për shumë vite në internet, ndaj mund ta kopjoni e hidhni në kompjuterin tuaj shkrimin që ju pëlqen e doni ta rilexoni dikur.