Shkenca, zgjedhjet dhe turma
Po mendoja se çfarë do të ndodhte, sikur bota e sotme të besonte ende në sistemin gjeocentrik të Hapsirës, pra atë ptolemejan dhe aristotelian, ku dielli dhe planetët e tjerë i rrotullohen tokës tonë, dhe papandehur do të dilte një Nikolla Koperniku e do të shpjegonte se toka dhe planetët e tjerë i rrotullohen diellit në fakt! Padiskutim që këtë polak nuk do ta priste vendimi kapital i dënimit me vdekje, si në mesjetë, por e gjithë kasta dhe klasa e shkencëtarë-intelektualve do ta injoronte me heshtje dhe nënqeshje, turmat do ta shanin në internet duke zbrazur zorrët e barkut, e Trumpi do ta shpallte person non grada me dorën në Biblën e vjetër!
Po si do të reagonin “politikanët” shqiptarë dhe populli i këtij vendi ndaj këtij lajmi ‘heretik’ dhe këtij personi, i cili –ndoshta– edhe mund të vinte këtë muaj fushate zgjedhjesh si turist për të parë vendin ‘ekzotik’ ballkanik? Natyrisht ata do ti kundërviheshin njëri-tjetrit me egërsi e kanosje, ku njëra palë do t’kërkonte largimin e tij të menjëhershëm dhe pala tjetër do t’justifikohej duke thënë se nuk kemi bazë ligjore për ta larguar, duke mos-harruar tu kujtojë konservatorve paratë e tija turistike! Problemi shkencor në fjalë as do të dilte në shesh dhe, edhe po të kujtohej dikush ta diskutonte atë enigmë shkencore, ky diskutim nuk do të gjente jehonë, siç mund të gjente –bie fjala– në Itali, Francë e gjetkë!
Pra, në këtë fushatë zgjedhore aq më pak do të kish dikush aftësitë intelektuale dhe guximin ta shtronte këtë problem në biseda me elektoratin! As ‘i gjati’ i pashaportës europiane (?), as ‘doktori’ i Shqipërisë madhështore (?), as ‘arithmetiksi’ i 7×7=42, as ai që do ta bëj Shq. (?), as ky që do mundësojë zvoglimin e shtetit sa një popël qurre e thatë, as ai tjetri që do bashkojë ish-minatorët në statusin e tyre, as ai që mendon i vetmi (!) për shtresën e mesme, as ajo që do liberalizojë sektorin e ndërtimit (!), as ata e ato që përziejnë shtetin me fenë, e gjithkush tjetër nuk do të merrte mundimin të hapej në tema shkencore, ashtu siç nuk hapet kërrkush prej tyre në tema më konkrete e të përditshme, si ajo e ngushtimit prej dekadash të trojtuarve të këmbësorve nga ndërtimet e subjekteve private, (mure avllish, shtrime shkallësh e tavolinash, etj.), apo ajo e zhurmës së orës 5 të mëngjezit nga artopalanti i xhamive, (shyqyr që e kanë ulur pakëz), apo ajo e ndërtimit të gradaçielës pas Pallatit të Kulturës, e cila nuk ka nisur ende dhe e cila mund të bëhej objekt diskutimi në këtë fushatë zgjedhje! Mirpo kërkush e ze në gojë gradaçielën, paçka se mbi 90 % e banorve të Shqipërisë nuk e përkrahin këtë projekt dhe duan ruajtjen e atij gjelbërimi të mbetur, një copëz vend ky i cili mund të bëhet funksional për shëtitorët dhe banorët, në ndonjë projekt të ardhshëm.
Dje në mbrëmje, tek kthehesha për në shtëpi nga një bisedë e hapur e Lëvizjes ‘Bashkë’, më ndalën aty tek 9-katshet nja dy gra të PD-s, duke më zgjatur atë fletushkën e tyre dhe nisur bisedën ‘spontane’. Kohë kisha, ndaj qëndrova dhe hyra në muhabet. Mes të tjerash, në bisedë e sipër dhe mos-puqje mendimesh, i pyeta se sa përqind e banorve nuk e dëshirojnë ngritjen e gradaçielës së panisur ende. Të dyja gratë më thanë: aty tek rreth 80%. Nga sa kam pyetur, vazhdova, janë më shumë se 95% që nuk e përkrahin ndërtimin e gradaçielës dhe duan ruajtjen e atij gjelbërimi të vetëm në qendër. Sidoqoftë aq apo kaq, vazhdova, përse nuk e bëni temë të fushatës tuaj këtë problem, kur e dini se shumica e banorve nuk e duan ngritjen e gradaçielës? Dhe çudi si nuk e bën temë elektorale asnjë prej subjekteve politikë, u shpreha. Do të shtoheshin votat për ju!..
Të dyja gratë më panë ftohtë dhe më sqaruan, se gradaçiela e re mund të ketë bazë ligjore të rregullt! Bazë ligjore, mendova, këtu baza ligjore është leja e dhënë nga kryetari i bashkisë dhe kryeministri! Megjithatë bëra sikur e hëngra për djathë sapunin e tyre dhe vazhdova: Dakort, çfarë mendoni, sa përqind e banorve do ta përkrahnin ndërtimin e një gradaçiele mu tek Sheshi Skënderbej? Oh, asnjë ose pak, mu përgjigjën. Kam sontazhuar edhe për këtë, ua ktheva, dhe janë gati një përqindje njerzish, paçka se pakicë, që, po të kishin lekët dhe lejen e duhur nga shteti, do të ishin dakort ta ngrinin edhe tek sheshi Skëndërbej një gradaçielë! Dhe ju e dini, se me lekë arrihet gjithshka në këtë vend! Merret leja e ndërtimit, që është akti ligjor! Pra?!..
Në fakt, ka edhe projekte të caktuara, ku shihet se Sheshi Skënderbej është i zënë nga pallate të larta! Pra, syri i qytetarit është mësuar tashmë me mos-ekzistencën e këtij sheshi. Biles, tani që ky shesh ka mbetur si një kafaz kopshti zoologjik, mos u çudisni kur pas pak vjetësh aty do të bëhen lojra me kafshë të ndryshme, aq sa njerëzit do ta shohin si një kafaz dhe do tu vijë ndoht nga ai vend. Dhe, kur projekti i gradaçielave 100 katshe do të prezantohet nën një pompozitet të madh nga –bie fjala– Blendi Fevziu, po si sot nuk do të dalë kush të protestojë e kundërshtojë, biles njerëzit –nga pakënaqsia dhe mllefi i mbledhur– do të jenë të kënaqur që gjithshka e bukur u prish! Dhe të gjithë e dinë se është leku, euro dhe paraja ajo që po e prish këtë vend, jo më pak njeriun e saj! Ndaj në këtë vend është i tepërt jo vetëm Nikolla Koperniku dhe çdo dije shkencore, por në këtë vend është e tepërt edhe përgjegjsia morale ndaj vendit dhe brezave të ardhëm! Dhe, meqë ato gratë e PD-s kishin qëlluar fetare dhe besimtare të denja ungjillore, (meqë –thuajse– të gjithë politikanët dhe kandidatët për deputetë duken fetarë dhe besimtarë të denjë), dhe kërkush prej tyre po e bën temë të fushatës së vet kullën e re, paçka se mbi 90% e banorve nuk e duan ndërtimin e saj, unë do ti lutesha atij Zotit të tyre në qiell: o Zot, meqë që i përzieve ithtarët e tu në politikë dhe në problemet e shtetit, të lutem bëj që ata të ngrenë në programet e tyre problemin e ruajtjes së sheshit të gjelbër në qendër të Tiranës, pse jo edhe të arrisin ta anullojnë ndërtimin e kullës, e më tej po vazhdojmë vetë ne njerëzit me ndonjë projekt të bukur nga mëndja jonë, ku të alternohet qetësia e shëtitorit me gjelbërimin, lodrimi i fëmijve me cicërimën e zogjve, festat e organizuara me ecjen e lirë të njerëzve, pa u trembur nga makinat, që nuk e kanë vendin aty! Të lutem, o Zot, dëgjoma lutjen! 22.4.2025
Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.
Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- me referimin: nga robert thomanikaj.