9d zgjedhjet 11 maj ’25

    Partitë shqiptare dhe zgjedhjet e 11 majit 

Vazhda tallavahsëse e dy dekadave të fundit në botë, (duket për një një rikthim –sado të pjesshëm– në siste-min e vjetër gjeo-politik e gjeo-ekonomik, pse jo edhe një rregullim të ri të pjesshëm në këto struktura ndër-kombëtare, për ti dhënë shtytje të reja investimeve të kapitaleve të mëdha), ka vënë në lëvizje vitet e fundit edhe vende të vogla, mes të cilave edhe Shqipërinë. Kuptohet, vënde të vogla me fuqi të dobta investuese, si Shqipëria, përpiqen të rrëshqasin në këto torovi ndërkombëtare sa majtas e djathtas, si një ngjalë në llumrat kënetore, pa patur mundësi të shohin rrjetat kapëse diku më larg! Në bazë të atij fenomeni aq bukur të shpjeguar nga Robert Eskarpit në librit e tij letrar ‘Literatroni’, (kam folur edhe herë të tjera për këtë gjë), vendet e vogla kanë vështirsi dhjetë herë më shumë se sa vendet e mëdha për të dalë pa lagur nga këto kolizione e përplasje të mëdha gjeo-politike, që d.t.th. se ashpërsimi i disa situatave konfliktuale aktuale në botë e gjen Shqipërinë pak të pregatitur, e gjen faktorin shqiptar në Ballkan akoma edhe më të pa-pregatitur.

Kjo vihet rè edhe në gjëndjen e shoqërisë shqiptare (të Rep. Shq.) përpara zgjedhjeve për deputetë në parla-mentin (Kuvendin) shqiptar, që do mbahen pas tre ditësh, më 11 maj. Nga reklamat e shpërndara andej-këndej, m’u mblodhën këto ditë disa dhjetra fletushka të kandidatëve dhe partive të ndryshme, me programe e premtime, të cilat i lexova e i studjova me kujdes, duke parë edhe në kompjuter mbi ‘to, e sëfundi arrita në përfundimin se kemi të bëjmë me një pavion të madh psiqiatrie, i cili po gëlon e vlon nga zëra të etur –vetëm– për karrike e pushtet! Duke parë n’internet edhe figurat e mbi 500 kandidatëve të 11 partive të regji-struara në KQZ (Komis. Qënd. të Zgjedh.), do thoja se kjo ‘ajkë’ e këtij kombi, kjo pasqyrë e kësaj shoqërie dhe vetë kjo shoqëri shqiptare nuk është e pregatitur, as e vetëdijshme për hallet e vendit e të miletit, për problemet e brezave të ardhshëm, për zgjidhje të përbashkëta të shumë pengesave të qytetarve! Me një fjalë, edhe pa i trajtuar problemet dialektikisht (në ndërthurjen dhe ndryshimet e tyre të pareshtura), por qoftë dhe vetëm metafizikisht ti shohim, do të thonim: jo vetëm këtë popull e ka gjetur belaja me drejtuesit e vet të korruptuar, por dhe drejtuesit e vet i ka gjetur belaja me këtë popull materialist e karrierist!

Çfarë thonin programet e partive dhe kandidatëve në fletushkat dhe shkrimet e tyre në internet? Po të vëmë rè, programet e të gjitha partive nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ato kapin aspektin social, ekonomik dhe kombëtar, ku në të parin dominon tema e rritjes së pensioneve, një premtim i ngjashëm si pikat e ujit prej të gjitha partive, një premtim që duket do plotësohet me urdhër të peshkut, (kupto: rritjen e çmimeve)! Ashtu siç ‘Nisma ‘Shq. bëhet’’ u premton pronarve të pa-shpërblyer toka në bregdet, të cilat duket do jenë toka në satelitin e Jupiterit, Europa, pasi bregdeti i Shq. është tashmë i privatizuar nga ata të zotët e të fortët prej Velipoje e deri në Ksamil! Vetëm Arlind Qorrit (Lëvizja ‘Bashkë’) ka dalë me një teori origjinale, tek thotë se lekët për rritjen e pensioneve do i nxjerrë nga zhdukja e informalitetit (fshehja e taksave), si të dojë të justifikojë luftën kundra informalitetit, e cila s’ka pse lidhet fare me ndonjë aspekt social!

Në aspektin ekonomik, dallon për disa premtime (kupto po të duash edhe: gënjeshtra) më shumë: partia socialiste, e cila në fakt nënkupton vetëm një njeri, ‘të gjatin’ kryeministër, prej të cilit janë hapur si bajga në dërrasë vetëm punimet rrugore dhe vazhdon jo keq sfera e ndërtimit; kjo e fundit po zhduk çdo sipërfaqe të gjelbër kryeqyteti dhe çdo centimetër rëre në bregdet! Një katastrofë kjo e pariparueshme! Ndërsa partitë e tjera kanë më shumë fjalë të përgjithshme! Do të veçoja këtu një premtim të Elena Kocaqit (AKSh –Aleanca Komb. Shq.) mbi liberalizimin në sektorin e ndërtimit, ku thoshte se do të hiqte (apo zbuste) ndërhyrjen e administratës shtetërore në planet urbanistike, pra, nëse investitori gjente tokën për ndërtim, ai mund të niste punën pa shumë leje zyrash! Për mendimin tim, ky lloj premtimi është tepër i dëmshëm, pasi sot –me këtë katrahurë ndërtimesh pa plan e sistem– kërkohet ndalimi i ndërtimeve deri në ringritjen e zyrave urbanistike të qyteteve, të pavarura nga bashkitë, dhe jo liberalizimi i këtij tregu! (Në këtë drejtim A.Lapaj mendon të autorizojë një zyrë urbanistike të huaj për të bërë urbanizimin e të gjithë Shq.!)

Për ti rënë shkurt programeve të partive, (se çdokush mund ti gjejë në internet), do thoja se programet e partive të mëdha janë më të gjata nga programet e partive të vogla e të reja; këto të fundit duket sikur i kanë bërë shpejt e shpejt dhe sa për tu prezantuar ‘denjësisht’ përmes tyre! Në vetëm pak programe flitet shumë shkurt për raportin e Shq. në arenën ndërkombëtare, por nuk flitet fare për qëndrimin e saj ndaj konflikteve të ndryshme në botë, apo ndaj rrymave dhe gremiumeve të ndryshëm! Asnjë parti dhe asnjë kandidat për deputet flet për panvarsinë e plotë apo të pjesshme të Shq. ndaj shteteve dhe koalicioneve të ndryshme, pra nuk ka asnjë parti dhe deputet të jetë në opozitë me angazhimet aktuale të shtetit shq. ndaj organizmave ndërkombëtare, ku ajo aderon (merr pjesë). Kështu, nuk diskuton as edhe një parti dhe kandidat për deputet mbi votimin e popullsisë për hyrjen ose jo në EU, për largimin apo qëndrimin në NATO, për largimin apo qëndrimin në organizma të tjerë ndërkombëtarë, për pjesmarrjen ose jo në operacione të ndryshme civile e ushtarake në botë, etj. të tilla tema! Gjë që tregon se në Shq. ekziston një diktaturë, e cila nuk lejon diskutime të tilla! (Në shtete të tjera –të mos harrojmë– i kemi diskutime të tilla.)

Është për të ardhur keq, që asnjë parti dhe kandidat për deputet flet për ngritjen apo ndalimin e kullës së pa-filluar prapa Pall. të Kult.! (Ndalimi i saj hap prespektiva për projekte që lidhin sheshin Skënderbej me periferinë e këtij sheshi, kështu nuk e kthejnë atë në kafaz kopshti zoologjik!) Asnjë prej tyre flet për zgjerimin e trojtuareve për këmbësorët! (Kjo do të forconte dinjitetin e qytetarve, dinjitet ky i nëpërkëmbur sot nga biznesi, nga makutëria e tok-xansve, nga investitorët e ndërtimeve.) Asnjë prej tyre flet trafikun e rënduar në Tiranë dhe alternativat për zgjidhje të këtij ferri të vërtetë e të përditshëm! (Edhe unë që lëviz me biçikletë kam mjaft vështirsi lëvizje, pasi veturat bllokojnë vendin e biçikletave, pa llogaritur pastaj motorrët dhe rolët me zik-zaket e tyre sa në rrugë makinash e në rrugë biçikletash, biles edhe në trojtuare, dhe policia rrugore e ajo bashkiake nuk ndërhyjnë as edhe njëherë tek shkeljet rrugore e trojtuarse nga këto mjete!) Asnjë prej tyre flet për zgjerimin e pedonaleve (rrugëve për këmbësorët) në qendër të Tiranës! (Ngritja e kullave rreth sheshit vetëm se do e shtojë qarkullimin e veturave përqark këtij sheshi, ngaqë këto kulla posedojnë parkinge dy-tre katëshe të nëndheshme!) Asnjë prej tyre flet për zgjidhjen e problemit të pakësimit të nxënësve nëpër fshatra dhe mbylljen e shkollave në ‘to! (Disa kokrra e përmendin këtë fakt tragjik, pa ofruar zgjidhje konkrete, çfarë tregon se ky problem nuk ka zgjidhje deri më tani!) Asnjë prej tyre flet për ndalimin e privatizimit të Shqipërisë në tokë e në det nga gjithfarë “biznesmenësh”, të cilët korruptojnë përditë zyrtarët shqiptarë! (Në këtë moment që po shkruaj, nisin ezanët e hoxhallarve; detyrimisht mendoj: këta i muarën të drejtat e tyre, ashtu siç i marrin përditë biznesmenët e ndryshëm e siç do i marrin “politikanët” për 4 vjetët e ardhshëm më 11 maj, por a ka Allahu i këtyre hoxhallarve ndonjë zgjidhje për problemet e këtij vendi?!)

Programet e partive dhe kandidatëve për deputetë u përngjasojnë –thjesht– premtimeve! Në këtë tallavi psiqiatrike shqiptare, a ka të paktën kandidatë për deputetë që duken normalë? Në shkrimin pasues do shohim këta –mbi– 500 kandidatë, sipas të dhënave që gjeta në Internet! 8 maj 2025

Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.

Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- nen referimin: robert thomanikaj.