06 500 kandidatet

  Mbi 500 kandidatët e 11 partive shqiptare 

Zëreni se jeni duke dëgjuar ndojë melodi popullore nga ato të Azisë së largme, të cilat nuk kanë narrativë e as refren, por vetëm atë vazhdimësi të njëjtë pipze e instrumenti tjetër shoqërues, e thyer kjo maratonë nga vetëm ndonjë klang befasues i ndryshëm nga linja e drejtë muzikore, -ja kësaj muzike i përngjan prezantimi i rreth (mbi) 500 kandidatëve për deputetë të 11 partive shqiptare, të rreshtuara këto me gjithë kandidatët e tyre në një fletë të stërmadhe, që gjindet kudo e në çdo cep pallati. Kjo do të ishte gjysma e së keqes, do thoja; kam frikë se një pjesë e këtyre kandidatëve nuk e dinë se gjinden në këto lista! Hëm! Dhe prapë, as kjo –mendoj– është e keqja më e madhe, diçka tjetër më katastrofale po ndodh në këtë vend e për këtë popull, -duhet ta kuptoni edhe pa ua thënë unë!..

Gjurmimi në internet i emrave të kandidatëve më hëngri tre ditë kohë nga mëngjezi e deri në darkë, -kot nuk thonë: tre janë të mirat! E para gjë që më ra në sy, ishte ndryshimi midis dy partive të ‘mëdha’, PD-s dhe PS-s në njëjrën anë, dhe grupit të partive të tjera në anën tjetër, ku shumica e kandidatëve të dy partive të mëdha ishin thuajse të gjithë me faqe të kompletura interneti e të lidhura këto faqe me partitë përkatëse, ndërsa tek partitë e tjera vetëm gjysma apo pakica kishin faqe interneti të lidhura me partitë e tyre, biles një pjesë e kandidatve i kishin të reja fotot me siglat e partive përfaqsuese! Kjo vjen sepse kandidatët e dy partive të mëdha janë ndërkohë deputetë e zyrtarë të lartë shtetërorë, në rastin më “të keq” janë biznesmenë të vjetër në degët e tyre përkatëse; ndërsa kandidatët e partive të tjera janë më së shumti gjithfarë lloji të palidhur ende me deputetllëkun! E dyta gjë që më ra në sy, ishte fakti që shumica e kandidatëve, si atyre me faqe interneti të lidhura me partitë referuese ashtu dhe atyre të palidhur me partitë përfaqsuese apo pa faqe fare, nuk kishin ndonjë gjë origjinale apo programe politike, juridike, etj., ndërsa në anën tjetër kishte vetëm tek-tuk ndonjë zë të vetëm idealist, që besonte me tërë mend ndryshimin në këtë vend, sa besimi i tij/saj të çonte ty në besimin se kishim të bëjmë me njeriun e radhës që nuk e njeh vetveten! Dhe e treta gjë që binte në sy në aradhën e emrave të fletushkës së kandidatëve të 11 partive, ishte fakti që tek partitë e vogla e të reja kishte një pjesë të emrave (≈10%) që nuk gjindeshin as në internet, pra, të lihej përshtypja se kishim të bënim me njerëz të regjistruar nga krerët e këtyre partive, sa për të mbushur numrin e kandidatëve në bazë të ligjit! Nuk po përmend pastaj edhe raste, kur disa emra dilnin nga dy-tre-katër persona në internet, kush me ndonjë faqe fejsbuku, kush i përmendur nga ndonjë gazetë, kush me ndonjë faqe instagrami, nuk po përmend edhe raste kur disa emra i kemi në lista me ndryshime shkronjash në krahasim me emrat e gjetur në internet, si dhe në disa parti të vogla shihje edhe raste me dy familjarë nga e njëjta familje!

Të 11 partitë rreshtojnë nga 12 emra me shkronja të vogla, këta quhen ‘lista të mbyllura’, rreshtojnë edhe nga 36 a 37 emra të tjerë me shkronja të dukshme, këta quhen ‘listat e hapura’. Shumë emra të 12-sheve kanë pak apo aspak materiale në internet, sidomos tek partitë e reja e të vogla. Disa prej emrave të listave të hapura, qofshin të dy partive të mëdha apo të partive të vogla, dalin të përmendur nga gazetat si persona me probleme të ndryshme gjyqsore, probleme ndërtimi, kundërvajtje, penale, etj.. Një shumicë kandidatësh janë biznesmenë, një shumicë tjetër janë zyrtarë, pastaj vijnë mjekë, juristë, studentë, arkitektë, etj.
Siç thashë, PD-ja (nr.1) nuk kishte të sharë në prezantimin e saj, por fare origjinalitet, po t’mos llogarisim parrullën: ‘Shq. madhështore’, e cila duket vjen nga amerikani Civita dhe e cila mund të interpretohet nga komshinjtë tanë edhe si parrullë nacionaliste-shoviniste! Tek kjo parti, një deputet, Ilir Metaj, më doli si kandidat i PS! Nuk e di ku qëndronte gabimi!

Rreth 2/3 e kandidatve të Lëvizjes ‘Bashkë’ (nr.2, A. Qorri) prezantohen në internet me siglën e Lidhjes ‘Bashkë’, ndërsa rreth 1/3 prezantoheshin pa këtë sigël, (veç në u është shtuar këto dy ditët e fundit); disa pak mezi gjindeshin. Kjo Lëvizje ka në radhët e saja të para si kandidat një ish-minator, (Qani Shino), diçka e rrallë kjo tek rreth 500 kandidatët e të 11 partive, gjithashtu ka pak biznesmenë si kandidatë të saj.

Lëvizja ‘Atdheu’ (LA nr.3) prezantohet me program të rregullt, por më së shumti me fjalë të përgjithshme. Vetëm pak prej kandidatëve të saj kishin në faqet e tyre të fejsbukut dhe instagramit siglën e partisë; disa emra nuk gjindeshin fare ne internet e disa gjindeshin me ndonjë të dhënë të vetme fejsbuku a instagrami!

Ndër kandidatët e Koalicionit Euroatlantik (KEA nr.4) (Lulzim Basha etj.) një pjesë prezantohen me partinë e tyre, një pjesë jo, për tre-katër emra s’gjindej gjë në internet!

Kandidatët e PS (nr.5) dalin në shumicë me faqet e tyre dhe me siglën e partisë së tyre, kjo ngaqë një pjesë e tyre janë ndërkohë deputetë, apo në qeveri dhe zyra të ndryshme shtetërore!

Kandidatët e nismës ‘Shq. bëhet’ (nr.6), (A.Lapaj) dalin në shumicë të kompletuar me siglën e partisë së tyre, disa biles edhe me mini-programe, ndryshe: premtime. Nja katër nuk gjindeshin në internet!

Kandidatët e Aleancës Kombëtare Shq. (AKSh nr.7) (E. Kocaqi) gjinden në shumicë të tyre në internet, por pa siglën e partisë që i kandidon! Një pjesë e mirë e emrave dalin me dy-tre-katër persona në internet, sa e ke vështirë të gjesh se cili prej tyre kandidon për këtë parti. Nja katër emra nuk gjindeshin fare!

Kandidatët e aleancës ‘Demokracia e re’ (ADR, nr.8) (E.Stojku) prezantoheshin në shumicë të tyre pa siglën e partisë që i kandidon, pra kishin pak info, nja katër emra nuk gjindeshin fare! Tek kjo parti gjindej një mjek i dënuar me 100 orë punë, gjindej dhe ai personi (A.R.) që u mpleks me çështjen Bejleri!

Ndër kandidatët e koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’ (DZh, nr.9), (D. Shehi) vetëm pak prej tyre përmendnin në fejsbuk a instagram partinë e tyre, shumica prezantohej me pak informacion, disa pak kokrra s’kishin fare informacion, disa dukeshin nga dy për familie!

Tek partia ‘Mundësia’ (nr.10, A.Shehaj) kandidatët prezantoheshin deri tek gjysma e tyre me siglën e partisë së tyre, më tej jo. Dallohej që një pjesë i kishin të reja këto prezantime, disa emra nuk gjindeshin në internet.

Tek partia social-demokrate e Tom Doshit (PSD nr.11) gjysma e kandidatve prezantohej me partinë e tyre; nja dy kishin pozicione drejtuese tek Profarma (e T.Doshit), disa ishin zyrtarë shteti. Tek kjo parti gjeje disa emra më shumë, të cilët dilnin si kandidatë zyrash bashkiake ndër vite të shkuara.

Këta pra ishin! Mbi të gjitha, -kjo është e keqja e madhe-, në rreth 99% të kandidatëve nuk shihje një preokupim zemre për këtë vend! Të lihet përshtypja se kemi të bëjmë me njerëz që luftojnë –thjesht– për një karrike, për një post, për një rrogë të majme, për një vetdallim, për një siguri të biznesit të tyre, me një fjalë, duket se kemi të bëjmë me shoun e radhës! Qofsha gabim! Ndër të gjithë kandidatët e partive të vogla do të veçoja deri diku Arlind Qorrin, apo edhe Adriatik Llapajn dhe Agron Shehajn. Por, … mes kësaj ambicie për pushtet dhe paditurie për të dalë nga kjo gjëndje, mes kësaj situate kaq të çoroditur, shkatërruar dhe korrupsioni në masë, ç’mund të presësh nga një, dy a tre njerëz idealistë a treçerek-idealistë!?! 9.5.2025

Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.

Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- nen referimin: nga robert thomanikaj.