Për kë të votoj?
Nuk e di ende a të votoj dhe, nëse votoj, për kë ta hedh votën! Dreqi e marrtë! Kam qysh nga 1986 që nuk kam votuar, as në Shqipëri e as në Gjermani, megjithse të drejtën e votës s’ma ka hequr njeri! Thjesht –me mos-votimin tim– vija në provë të drejtën që –teorikisht– më jepte ligji, përveç kësaj nuk kam besuar e nuk besoj ende në votën e lirë. Aq më pak në vendin tonë, që e ka luajtur lojën gjithmonë sipas skenarve të huaj, sidomos këto katër dekadat e fundit. Megjithatë, kësaj radhe po më gudulis prej javësh mendimi për ta thyer këtë abstenancë e për t’iu afruar asaj kutie, që –gjoja– ndryshonka fatin tim e të këtij vendi! Mirpo për kë ta ndaj mëndjen!? Ta hedh votën për bufin e kënetës, apo për laskuriqin e ditës? Zot na ruaj! Kurrë, për këta dy qena misri as që bëhej fjalë! Ndaj po vrojtoj prej javësh këndej nga këto partitë e vogla e të reja, për të parë se kush përmbush pak më tepër ato ideale dhe aspirata të miat mbi të ardhmen e këtij vendi.
Nga të gjithë më i sinqertë më dukej Arlind Qorri, ndaj dhe vajta në dy tubime të vogla të tij! U kënaqa!.. U kënaqa sepse Arlindi recitonte poezitë e Migjenit dhe Dritëro Agollit, dhe mua më pëlqen poezia! Mirpo pak fjalë për problemet reale e të përditshme të njeriut, asnjë fjalë për kullën ende të panisur prapa Pallatit të Kulturës! (Shumë mirë që po ngrihen kulla rreth sheshit Skëndërbej, më tha sot njëri tek po bënim muhabet; më pas doli se atij i kish dalë pronë aty prapa Pall. të Kult. dhe atij i dilte pjesa e përfitimit financiar nga kulla, ndërsa Tiranës po i dalin brinjët dhe miletit po i dalin trutë, Shqipërisë –po dihet– po i del popullsia jashtë; dalja jashtë apo jashqitja është tashmë moto e ditës, sepse na del mirë me paratë!)
Pra kë të zgjedh unë nga partitë? Apo cilin kandidat të votoj? Në listën e partive shoh –harrova ta them në shkrimin parakalues– që partia nr 8 (ADR e E.Stojkut) mban rekord për kandidatet femra, gati 50%, mirpo pikërisht kjo parti mbante edhe rekordin për më pak të dhëna në internet të kandidatve të saj, gjithashtu shumica e tyre nuk kishin asnjë material për partinë aderuese! Pra një shou më duket!..
Ndoshta është një shou edhe i gjithë proçesi zgjedhor!? Dikush tha se Rama don vetë ta lej drejtimin e shtetit, –karagjozllëqet e ‘të gjatit’ ditët e fundit e çuan atë në këtë përfundim llogjik. Dikush tjetër tha se edhe këta krimbat tanë do e kthejnë pllakën nga po e kthen gjithë bota, që do të thoshte se PS do të largohet nga kupola shtetërore dhe PD-ja trumpiane do vij në këtë kupolë! Qerratallenjtë, janë kapur pas pushtetit e s’dinë të shqiten! Mirë që s’dinë të bëjnë e të drejtojnë një shtet, po përse e kanë mëdjen vetëm të pasurohen përmes pushtetit!? Sidoqoftë, duket se kësaj here duan tu lënë pak vënd edhe partive të vogla! Shpresoj! Por unë ende s’di kë të zgjedh! Nuk di kë të votoj! Biles nuk e di as nëse do votoj! Di vetëm se fati i këtij vendi, si të votoj ashtu edhe të mos votoj, do vazhdoj kështu më të poshtë e me rrjedhje popullate, do vazhdoj me këtë Tiranë kaote në të gjitha drejtimet, di se edhe fati im personal nuk do ketë ndonjë përmisim! 10.5.2025
Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne:robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.
Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- nen referimin: robert thomanikaj.