Përse nuk bëhet Shqipëria?
Sepse ka patur përgjatë shekujve të fundit një popullsi shumë heterogjene në aspektin etnik, fetar, kulturor dhe gjuhësor, dhe, përveç dy-tre qendrave (qytete), popullsia e saj ka qenë analfabete, ka jetuar në injorancë dhe ishte konservative në shumë aspekte të jetës. Këto lugina ndasish dhe karakteristikash u sheshuan deri në një farë mase në shekullin e XX, sidomos përgjatë diktaturës 40 vjeçare “socialiste”, megjithatë ato ndjehen ende sot në shoqërinë shqiptare, biles tashmë kjo shoqëri po rinis ndarjet e reja etnike, kulturore, fetare, gjuhësore, me ardhjen e gjithfarë lloj të huajsh nga vende të ndryshme të botës. Si të mos mjaftonin këto shkaqe “objektive” të mos-bërjes së Shqipërisë, tashmë janë shtuar edhe të reja, si rënia e arsimimit dhe dijeve shkencore, krijimi i një kulture të sipërfaqshme, rritja e përtacisë për punë, shtimi i materializmit dhe arrivizmit, si rrjedhojë janë rritur korrupsioni dhe mashtrimi, e të gjitha kanë krijuar njeriun e papërgjegjshëm, të cilin e gjen nga kreu i shtetit e deri tek puntori më i thjeshtë dhe i papuni! E gjithë kjo panoramë shoqërohet nga një legjislacion i komplikuar dhe jo i qartë, me ligje shumë-faqesh, të cilin e kemi dhuratë nga “miqtë” tanë të huaj!
Gjithë sa thashë më lart pranohet sot nga një pjesë e vogël e popullsisë, ndoshta 20-30 % e saj, pjesa më e madhe (të paktën 50-60 %) pretendon për të kundërtën e këtyre fakteve, pra që kemi qenë një popull unik e homogjen në karakteristikat e mësipërme. Kjo tregon se sa duam ta njohim veten! Biles, sot mbizotërojnë nëpër mediat shqiptare zërat më ekstremë të këtij grupi gënjeshtar e masturbues, me gjithfarë teorirash pseudo-shkencore në lëmin historik, gjuhësor, etnografik, etj.. Kjo tregon se sa ky njeri i sotëm në Shqipëri e që e quan veten ‘shqiptar’ e njeh veten e tij dhe popullin e vet! Kjo tregon se sa dëshirë ka ky njeri ta ndryshojë veten dhe shoqërinë ku jeton! Kjo tregon se sa po evolon ky njeri dhe shoqëria e tij!
Dhe këtë ne e kemi parë përgjatë këtyre tre dekadave të fundit: tek fushat e braktisura e të pambjella, tek fabrikat dhe uzinat e grabitura dhe shkatërruara, tek vjedhjet masive të pasurisë shtetërore, tek lulëzimi i biznesit privat kryesisht përmjet lidhjeve shoqërore-farefisnore-korruptive me zyrtarë shtetërorë, (nga ‘i gjati’ e deri tek më i shkurtëri), tek vendim-marrjet qeveritare jashtë syve të publikut dhe mediave, (si nëpër grupe kriminale e mafiozësh), tek prishja e çdo formacioni demokratik të trashëguar nga e kaluara, që u ruajtën edhe në kohën e diktaturës, paçka se deri diku sipërfaqsore, si bie fjala mbledhjet dhe diskutimet një herë në vit të banorve në pallatet dhe blloqet e tyre, të punëtorve në sektorët dhe qendrat e tyre të punës, të fshatarve në fshatrat e tyre, (në të gjitha këto mbledhje diskutoheshin hallet dhe problemet e ndryshme të banorve, punëtorve dhe fshatarve), e sot këto formacione demokratike nuk ekzistojnë më, biles as tek qeveria dhe institucionet shtetërore, as tek partitë pozitare dhe opozotare, ku shohim më së shumti turma servilësh pas një kryetari diktatoruc e injorant; këtë papërgjegjshmëri e shohim tek mania e kujt e kujt më parë për tu dukur më i ditur, më i dipllomuar, më i zoti, më i pasur, më patrioti se të tjerët, e shohim tek këta malinj kancerozë që lulëzojnë në trupin e drobitur të kësaj toke! Aq sa qytetari i thjeshtë, apo njeriu i urtë, i ndershëm, i drejtë, nuk di më sot kujt ti drejtohet, përveç se këtyre ujqërve dhe kafshëve grabitqare, për të zënë kështu vend fjala e urtë popullore: ti varësh ujkut mëlçitë në qafë!
Në këtë situatë, a mund të ketë shpresë të shëndoshet dhe ecë përpara ky vend? Në këtë frymë kafshërore, a mund të ketë shpresë që brezi i ri të mos largohet nga ky vend? Në këtë panoramë kaubojsish e anti-ligj, a mund të ketë shpresë të bëhet ky vend? Në këtë shou karagjozësh, ku në mejdan mbizotërojnë fjalët e bukura dhe nën rrogoz bëhen lidhje oligarkike biznes-pushtet, a mund ketë shpresë të ngrihet një ekonomi stabile me rregulla të qarta e të barabarta për të gjithë? Në këtë kaos të gjithanshëm, ku nga ‘i gjati’ e deri tek më shkurtëri mendon gjithsejcili vetëm për bythën e vet, a ka shpresë se ky vend do të forcohet dhe zbukurohet? Në këtë vend ku mediat flasin vetëm për krimin, ku gjithfarë analistësh flasin për lançime politike, ku gjithsejcili akuzon gjithsejcilin për mafioz e narko-trafikant, ku nuk flitet më për studjuesit dhe shkencëtarët shqiptarë por vetëm për ata të huaj, ku nuk flitet më për letërsinë shqiptare por vetëm për atë të huaj, ku nuk flitet më për etnografinë dhe traditat arbo-shqiptare, por gjithfarë librash e kulturash të huaja hyjnë përmes subvensionimesh nga jashtë, a ka shpresë ky vend të eci barabar dhe i barabartë përkrah vendeve të tjera?
Jo! Ky vend nuk ka mundësi as të bëhet, aq më pak të eci barabar dhe i barabartë përkrah vendeve të tjera! Si i tillë, në këtë vend demokracia mbetet një flamur iluzor, të cilin e shpreh shprehja e urtë popullore: llap sa të duash, se s’të dëgjon kush! E në raste jo të ralla e shpreh edhe shprehja tjetër: goja llap e shpina dap! Ku pagesa bëhet jo vetëm me blama e ndonjë brinjë të thyer, por edhe me jetë ndonjëherë! Dhe e keqja nuk përfundon këtu! E keqja më e madhe është pastaj harresa! Kjo harresë të vret tamam dhe i vë kapakun të gjithave! Kjo harresë ka vrarë edhe kombe më të mëdhenj e më luftarakë, e jo të mos vrasë këtë popull të vogël, injorant e kapadei, që e shpreh shprehja e urtë: dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë! 18.2.2025