Na ishte një vend i vogël
Na ishte një vend i vogël diku, i cili -prej qindra vjetësh, qysh se mbahej mënd- kish vuajtur gjithnjë! Faji për këtë më së shumti i hidhej drejtuesve atje lart, por nuk lihej pa u kritikuar edhe vetvetja, pra vetë popullata, njerëzit poshtë! Së fundi ky vend doli nga një diktaturë e egër, kjo jo vetëm për shkak të konjukturave të jashtme ndërkombëtare, por edhe përpjekjeve të pak njerëzve që kishin protestuar gjithnjë kundra shtypjes shtetërore dhe injorancës po aq shtypëse në shtresa të gjëra të popullsisë, sidomos atyre rujale. Me rënien e diktaturës rilindi një shpresë e madhe për demokraci, për liri fjale, për shtet me ligje të sakta, ku të gjithë të ndjeheshin të barabartë përpara ligjit.
Kjo shpresë vazhdoi nja një dekadë, duke u justifikuar se tranzicioni nga diktatura në demokraci kishte problemet e veta. Mirpo me kalimin e dekadës kjo shpresë nisi të zbehej pak e nga pak! Nuk ishin vetëm drejtuesit e rinj që shikonin më parë bythën e tyre, por edhe shumica e popullsisë -sidomos ajo rujale- as pyeste për vendin, për brezat e ardhshëm, për ata që s’kishin e të cilët nisën të merrnin rrugët e kurbetit nga ky shkak ekonomik dhe korrupsioni të gjithanshëm.
Vitet kalonin e shpresa për ta bërë vendin e tyre nuse të re sa vinte e pakësohej! Shpresa për liri e demokraci po humbte si kripa në ujë! Gjithkund kishte vetëm përpjekje për tu pasuruar vetë me çfardo lloj mënyre, qoftë edhe antiligjore e të dëmshme për vendin, si shitja apo grabitja e pronave shtetërore, fabrikave e uzinave të kohës së diktaturës, kudo gjithfarë fallsifikime dokumentash, kudo një malukëri e paparë materialiste, duke shfrytëzuar çdo mjet e formë, miq e shokë me pushtet, pagesa të majme nën dorë, kanosje e friksime të të fortëve ndaj më të dobtëve e pa përkrahje, etjera etjera të këtij lloji! Kështu pasurohej një pakicë e popullsisë, shumica merrnin rrugët e kurbetit, e një pjesë -duke mos patur mundësinë e largimit- e shtynin me gjithfarë punrash në vendin e korruptuar.
Pikërisht, kur kishin kaluar më shumë se dy dekada në këtë gjëndje të pashpresë dhe kërkush besonte më se ky vend mund të ndreqej, në qiellin e këtij vendi u duk një ëngjëll, tërësisht lakuriq, me pallën jashtë, që u foli banorve të këtij vendi: -Unë po vij t’ju bëj shtet, mjaft më me anarshi dhe me ligjin e më të fortit! Oo-ho-hoo, iu ngrof zemra shumicës së njerëzve, urraa, bërtitën një pjesë e tyre! Dhe e zgjodhën ëngjëllin të drejtonte vendin e tyre!
U duk ato ditë të para se ëngjëlli punonte mirë, tek iu vu riparimit të shesheve të qyteteve, mirpo vetëm kaq u duk në të mirën e përgjithshme! Vendi kishte me qindra probleme, por ëngjëlli zgjidhi vetëm një dhe ia futi me udhëtime nëpër botë, a thua se vendi i tij ishin vendet e tjera! Kështu gjendja në vendin e vogël vazhdonte si më parë, shteti nuk u bë, ai palo shtet që ekzistonte, vetëm shtet nuk mund të quhej! Në çdo zyrë shtetërore vazhdonte të ziente korrupsioni, kudo ligjin e bënte më i forti, më i pasuri dhe më i pushtetshmi, shpresa për përmisim u zhduk krejt. Nëse më parë emigronin disa kokrra në ditë, tani nisën të emigronin dhjetra çdo ditë nga vendi i vogël. Nuk donte më njeri nga brezi i ri të qëndronte në atë vend qelbësirë, siç e quanin! Sepse nuk gjeje më njeri të besonte, se ky vend do të rregullohej ndonjëherë! Kur as edhe një ëngjëll nuk arriti ta rregullonte, thonin njerëzit, si mund ta rregullojë një njeri prej mishi e kocke!?! Aq më tepër një njeri nga vendi i tyre, pra një qënie e pisët nga vendi i pisët! Jo-jo, thonin, duket ishin të mallkuar nga Zotat e Qiellit, përderisa dhe ëngjëlli nuk arriti të bënte gjë, përderisa edhe ëngjëlli u doli djall!..
Në këtë gjëndje të pashpresë, vetkuptohej se nuk dilte më njeri si kandidat drejtues i këtij vendi! Biles, edhe ata kandidatë drejtues të mëparmë nuk po dëgjoheshin më, sepse e dinin që nuk i besonte më kush! Ishte mëse e natyrshme! Të gjithë e kishin kuptuar se ishin një popull dallkauk e pa principe! Dhe, nëse kishte ende disa kokrra njerëzish të ndershëm e jo-materialistë, edhe këta e kishin kuptuar se nuk mund të bëhej gjë me këtë popull, ndaj dhe nuk guxonte më kush të dilte e të kandidonte për ta drejtuar këtë vend! Si dallkauku, si i ndershmi do të shihej jo vetëm me skepticizëm, po të kandidonte si drejtues i vendit, por edhe do të konsiderohej si tallësi i radhës me ata njerëz të mbetur në atë vend!
Megjithatë, duket se ky vend tejkalon edhe ligjet e natyrës! Në atë qetësi vetvrasëse del një njeri, (njeri e jo ëngjëll), që u thotë njerëzve se ky vend mund të bëhet! Hëm, kërrkush e beson, të gjithë vazhdojnë rrugën më tej, disa i hedhin biles shikime ironike, por -për çudi- disa nisin e i bashkohen! Me një grup të vogël njerëzish, ky njeri ka nisur tashmë të shkojë në qytete të vendit, në qytete të huaja, ku gjinden të larguarit, dhe u flet dëgjuesve për padrejtësitë që shikon e dëgjon, pa harruar t’ju premtojë rregullimin e tyre! Nga mijra probleme që ka ky vend, ai përmend vetëm disa prej tyre! Aq njef, a ndoshta aq di! Sidoqoftë, tashmë ai ka hedhur kandidaturën për drejtues i këtij vendi, pa pyetur për skepticizmin e përgjithshëm, pa përfillur akuzat si demagog dhe njeri i elitave të sotme! Dhe njerëzit që e dëgjojnë -për çudi- sa vijnë e shtohen! Ja, kjo qe historia! Ju e dini vetë, nëse të kemi të bëjmë vërtet me drejtuesin e denjë të këtij vendi, apo kemi të bëjmë me të pacipin e radhës, me dallkaukun e radhës, me futsin e radhës?.. 17.2.2025