6 bota e pranoi

              Edhe bota e pranoi 

Këto javët dhe muajt e fundit kanë dalë në youtub disa vidio të bëra nga të huaj, të gjuhëve angleze, gjermane e italiane, të cilët flasin për gjuhën e parë në botë, që qenka kjo e jona (shqipe), e sa e sa teorira të tilla jo-shkencore. Këto pikpamje ekstrem metafizike dhe larg shkencës mund të injorohen e të mos vihen në kandar, mirpo ato po bëjnë dita ditës ithtarë të rinj, njerëz pa shkollë e dije, si të tillë -me komplekse, të cilët i përhapin më tej, në internet, një fenomen ky që -me sa po shikoj- po na zhyt drejt llumit të talljes dhe, pse jo, edhe gjithfarë idesh të sëmura nacionaliste! Prej rreth dy dekadash, disa studjues, një pjesë nga pozicione gjysëm-metafizike e disa-pak nga këndvështrime dialektike, (në këtë grup të dytë hyj edhe unë), vazhdojnë sporadikisht a rregullisht t’i kundërvihen kësaj pseudo-shkence historike dhe etimollogjike, dhe kjo punë -duket se- ka frenuar sado pak ato teori antishkencore brenda Shq.. Mirpo, kjo antishkencë po ngrihet ndërkohë në perëndim nga disa entuziastë vidiosh e klikimesh, si dhe disa pak pseudo-historianë, materialet e të cilve po rishpërndahen nga “patriotët” shqiptarë gjithandej, -me ‘to do të merremi tani, duke u ndalur në teza të paprekura ende, (ndonjë përsëritje -shpresoj- të na falet nga lexuesi).

Njëra nga vidiot i mëshon fort tezës së gjuhës së parë në botë, duke vendosur këtë shqipe dhe shtuar: në mos në botë, të paktën në pellgun europian, -shkencë qokash! Pyetjet që ngrihen vetvetiu këtu, (qoftë dhe pa marrë parasysh se cilën gjuhë trajtojmë si më të vjetrën), janë: në cilën kohë të njeriut përcaktohet kjo gjuhë e parë? Në 300 mijë deri 250 mijë vjet më parë? Apo në 300 mijë deri 200 mijë vjet më parë? Apo në 200 mijë deri 100 mijë vjet më parë? (E më këtej…) Pasi të marrim përgjigjen e kësaj pyetje, (që unë nuk e di, cilat prova do të sillen për këtë gjë, sepse fosilet e gjetura nuk thonë gjë në këtë drejtim), ngrihet pyetja tjetër: sa përqind e kësaj gjuhe të parë ekziston ende në gjuhën e sotme (të përcaktuar si më e vjetra)? Apo: në sa fjalë -afërsisht- përcaktohet kjo gjuhë si e parë? Apo: në cilat kritere bazohet një gjuhë si e parë dhe e dytë?

Nëse ne pranojmë evolucionin darvinian, do të thotë që ne rrjedhim nga majmuni dhe fillimisht kemi lëshuar tone emocionalë, më vonë ato onomatopeikë (imitime të zhurmave të natyrës), e më vonë fjalë të evoluara. Ky proçes, (nga homonidët e deri tek neandertali) përmbledh të paktën nja 4-5 milionë vjet. Pra, nëse do ti vendosim neandertalit të 200 mijë vjetëve më parë një bagazh prej rreth 30-40 fjalësh (a tonesh), d.t.th. që një ton/fjalë mbi një send a objekt të caktuar ka dashur dhjetra mijra vjet të lindte. Nga homonidi tek australopiteku (2-3 milion vjet) mund të kemi disa pak tone të lëshuar mbi ‘rrezikun’, ‘ujin’, ‘ushqimin’, më tej deri tek homo-erektusi (edhe 1 milion vjet më pas) të kemi edhe disa tone të tjerë, si ai mbi ‘fjetjen’, ‘aktin seksual’, ‘pemët’, ‘tokën’, ‘ecjen’, ‘diellin’, ‘hënën’, ‘zjarrin’, ‘kafshët’. Dhe deri tek neandertalët e parë (nja 400 mijë vjet më parë) të kemi edhe abstragime të tjera të trurit, pra tonet/fjalët mbi ‘njeri-un, burr-in (mashkullin), grua (femrën), fëmij, pem, fush, mal, det, lum, luan, bizon, elefant, uri, po, jo, kujdes, gjuaj (gjueti), therr, pjek’, e disa të tjera. Me neandertalin e vonë (50 mij vjet më parë) mund të kemi patur edhe koncepte abstrakte si ‘(i) mirë’, ‘keq’, ‘shumë’, ‘pak’, ‘(i) madh’, ‘(i) vogël’, etj.. Pra, duke iu afruar kohrave tona, atyre të kromanjonit, është shpejtuar e shumuar abstragimi i sendeve dhe koncepteve të ndryshme. Këto gjëra mësoheshin në shkollën tonë nga fillorja e deri në shkollë të lartë. Nëse ne e pranojmë këtë lloj evolucioni, atëhere ne nuk mund të përcaktojmë dot, se cila ka qenë gjuha e parë në botë, apo në Europë. Ne kemi bërë ndarjet tona studimore në homonidë, australpitekus, homo-habilis, homo-erektus, homo-hajderbergis, neandertal, kromanjon, etj., por këto nuk kanë qenë fise, por degë në evolucionin e kafshës majmun-njeri, të shpërndara nga Afrika në Euro-Azi. Dhe natyrisht fiset e ndryshme nuk mund të kishin të njëjtën fjalë për të njëjtin send/objekt apo veprim. Kështu, nëse marrim ‘ujin’ (H2O) psh, i cili është definuar nga majmuni-njeri hershmërisht, ai gjindet nën disa pak tone (fjalë) në gjuhët euro-aziatike, si ‘u, uj’, ‘la, lak’, ‘shu, shuj’, ‘av-ë, vu, vuj’, ‘pi, pio, pivo’. Siç dallojmë, në tre të parat kemi tone/fjalë onomatopeike, ku -në rastin e parë- është imituar zhurma e ujit në vija uji dhe në rrjedhjen e tij, në rastin e dytë është imituar zhurma e shkaktuar në ujë nga përplasja e duarve, në rastin e tretë është imituar zhurma e ujit të rënë nga qielli (shiut). Në dy rastet e fundit duket se kemi evolime të mëtejshme, të lidhura me rastin e parë. A mund të thotë dikush, se cila është tonizuar më parë? Nëse marrim të parën dhe dallojmë se gjindet tek shqipja, pyesim: nga cilat njërrokshe të tjera ndiqet ajo për ushqimin, diellin, zjarrin, hënën, rrezikun, etj?. Apo: në sa gjuhë të tjera kemi përngjasime për tonet e para të njeriut?

A i ngrenë këto pyetje dhe shumë të tjera këta studjues entuziastë, t’cilët flasin për gjuhë fillestare e t’parë, për gjuhën më të vjetër në botë? Edhe vetë kryetari i grupit studjues të Lajpzigut, Paul Hegerty, (studimi i të cilve ishte gjysëm-shkencor), e shmangu termin ‘gjuha më e vjetër’ dhe përdori terminollogjinë tjetër: gjuha më e parë e shkëputur nga trungu indo-europian. Edhe ky lloj formulimi është antishkencor -në fakt, por sdq pakëz më dialektik. Edhe Franc Bopi e disa kolegë të kohës së tij kërkonin gjuhën e parë të njeriut, një budadallëk me brirë ky që infektoi breza të tërë studjuesish në perëndim, aq sa ky metafizicitet trashanik ndjehet ende sot, teksa helenët identifikohen pa më të voglën mëdyshje me grekët, teutonët me gjermanët, ilirët me shqiptarët, duke harruar ndryshimet dhe përzierjet e pareshtëme në shekuj e mijvjeçarë! 3.3.’26

Edhe bota e pranoi (pjesa e dyte)

Në një vidio tjetër interneti, sillet si fakt dhe argument për gjuhën e parë në botë, këtë shqipe, ekzistenca e rreth 2800 fjalëve mono-silabike (një-rrokshe), si ma, ba, da, la, za, she, etj.. Kjo i kundërvihet edhe tezës tjetër të njohur, asaj se gjuha arabishte është gjuha më e pasur në botë, duke argumentuar, se kombinimi i këtyre -rreth- 2800 fjalëve një-rrokshe na jep shifrën prej …. (një shifër e paimagjinueshme) prej triliona e triliona fjalësh, pra me nja 30 zero të rreshtuara, që s’ ka fjalë-numri ta shprehi! Shqipja pra, na thotë vidio-bërsi, ka mundësinë të na japë miliarda herë më shumë fjalë se arabishtja, si e tillë ajo qëndron e para dhe ka ndihmuar në krijimin e gjuhëve të botës, jo vetëm të gjuhëve të grupit IE, por edhe ato të grupit semit.

(Paraprakisht sqaroj lexuesin e sotëm, që nuk i njeh këto shembuj kombinimi matematikor, të cilët na e bënin neve asaj kohe orën e matematikës më të bukur, ndërsa sot nuk besoj se njihen më këto kombinime, se një njeri na jep vetëm një kombinim, dy njerëz na japin 6 kombinime, tre njerëz na japin 30 (a pak më shumë) kombinime, katër njerëz na japin disa qindra kombinime, pesë njerëz na japin 25 mijë kombinime, e kështu më tej! Këtë lojë mund ta bëni me fëmijët tuaj rreth tavolinës, mund ta bëni me sende të ndryshme mbi tavolinë, etj, dhe do të shihni se, qysh me katër sende të vendosura në të katër pozicionet e ndryshme, do të keni vështirsi mbajtje mënd të kombinimeve të papërsëritshme, se ato do t’ju shkojnë me qindra.)

Siç shohim qysh në fillim, ky kombinim matematikor nuk ka si të gjej zbatim në gjuhën e folur, sepse zhvillimi (evolimi) dhe bagazhi i kësaj të fundit nuk varet nga kombinimi i mundshëm teorik i fjalëve një-rrokshe, por varet nga nevojat materiale dhe shpirtërore të shoqërisë. Pra, jo vetëm që shqipja dhe të gjitha gjuhët europiane nuk i kanë aq shumë fjalë, sa na nxjerr kombinimi i 2800 fjalëve një-rrokshe, por edhe vetë ky kombinim matematikor (teorik) është pa lidhje me nevojat e shoqërisë, apo lidhja është mjaft e zbehtë dhe pa një rregull matematikor. Sikur vetëm tre fjalë bazë të marrim, psh: ba, la, za, do kemi teorikisht 30 derivate; po tu shtojmë edhe kombinimet me njëra-tjetrën (gjë që kombinimi me njerëz dhe vendet e tyre nuk e përfshin) do kemi edhe 12 kombinime të tjera të thjeshta (bala, baza, laba, laza, zaba, zala, balaza, bazala, labaza, lazaba, zabala, zalaba), ndërsa në kuadrin e kombinimeve të tjera (që s’i hyjnë në punë evolimit gjuhësor të një gjuhe, por fare pak mund të merren në konsideratë për një shumicë vendesh /gjuhësh) shkojnë edhe disa dhjetra të tjera kombinime më shumë. Pra përse na ndihmon fakti i 2800 toneve /fjalëve një-rrokshe? Të mos harrojmë se më lart muarëm tone/fjalë me kuptime të caktuara e të kuptueshme nga cilido njeri në botë. Por nëse marrim edhe nyja dhe lidhza të shqipes, si ‘i, e, e, a’, apo fjalë si ‘à, ò, è’ (kjo e treta në italisht), apo të tjera si ‘ë’ (çfar?), shikoni nëse kombinimet e tyre mund të na japin dhjetra fjalë të tjera, apo thuajse fare!?! Pra, përse na duhet fakti i 70 fjalëve një-rrokshe në një gjuhë, apo i 300 të tillave, apo i 2800? Vërtet që, sa më shumë tone/fjalë një-rrokshe të ketë një gjuhë, aq më tepër themi se kjo gjuhë ruan më shumë fjalë të vjetra nga primitiviteti dhe lashtësia. Dhe shqipja ruan vërtet shumë prej tyre në formë të pandryshuar në ato kuptime fillestare, gjë që e kemi mësuar në shkollë e që unë e kam trajtuar në librin ‘Evolucioni gjuhësor’ 2009. Por të tilla kanë edhe anglishtja, iranishtja, semitet, turkmenet, etj. Nuk i kam numëruar sa ka shqipja, por 10-20 prej tyre i kemi analizuar në atë punim. Kjo karakteristikë e shqipes nuk e bën atë (dhe asnjë gjuhë tjetër) më të vjetër, sepse -e përsëris për të miliontën herë- gjuha proto-“shqipe”, proto-“greke”, -“angleze”, -“tamile”, -“ruse”, -“iraniane”, -“indiane”, -“arabe”, -“hebraishte”, -“latine”, etj. e folur nga njeriu primitiv, apo ai i kohrave të lashta, nuk mund të kuptohet nga shqiptari i sotëm, nga rusi i sotëm, nga anglezi, italiani, tamili, iraniani, etj. i sotëm.

Më vjen mirë që, megjithse nuk i përkas lëmit gjuhësor, (dhe shyqyr thuaj, se do të ndikohesha nga kategoritë kantiane në këtë lëmë), arrita që me ‘Evolucionin gjuhësor’ (tre vëll.) të plotësoja disa boshllëqe në gjuhësinë historike, duke u bazuar vetëm tek tre gjuhë që njihja, shqipja, italishtja dhe gjermanishtja, si dhe në fjalë të gjuhëve të vjetra e -pjesërisht- të vdekura. Padashur (pa e pasur si qëllim), nderova edhe më gjuhën shqipe, në faktin e trajtimit të fenomenit të ruajtjes të mjaft fonem-morfemave (glosave, etimoneve, embriomorfemave) në ‘të; ky proçes sendergjimi (kalkimi) i këtyre toneve primitivë e të lashtë në gjuhën shqipe të sotme mund të konsiderohet edhe si fatkeqësi e një gjuhe, pasi duket sikur kjo gjuhë nuk ka pasur evolime. Kjo punë e trajtimit (analizës) së toneve/ fjalëve një-rrokshe në shqipe ka gati dy shekuj që ka nisur, (siç edhe kemi mësuar në shkollë), por ato analiza të hershme (De Rada etj.) kanë patur mangësinë se janë bërë nën emocionet patriotike e atdhetare. Ndërsa në kohën e “socializmit” gjuha shqipe u analizua shkencërisht, por nën trysni politike (jo ideollogjike). Kjo bëri që disa aspekte të evolimit të saj të mbeteshin pa prekur. Me Thomapulosin (në Greqi), Z. Majani-n (në Francë), S. Konda-n (në Shq,), më vonë edhe me A.Kola-n dhe N.Stillo-n (në Greqi) dhe P.Zheji-n (në Shq.) kjo punë rinisi sërish, por -për mendimin tim- (përveç të parit, që nuk e kam lexuar, por njohur përmes Konda-s), punimet e tyre kanë nxitime dhe rrugë jo tërësisht shkencore, pra janë metafizike si punime, pasi e marrin një gjuhë -këtë shqipe psh- si një kallëp të dhënë njëherë e mirë, çfarë nuk qëndron me asnjë gjuhë. Nëse në histori, etimollogji, histori gjuhësore, etj. do të përziejmë ndjenjat atdhetare, kjo d.t.th. ta shkelim gjuhën që duam ta nderojmë! 3.3.2026

Edhe bota e pranoi (pjesa e trete)

Në marrjen e numrit të fjalëve një-rrokshe (mono-silabike) si faktor të vjetërsisë së një gjuhe bëjmë një gabim mjaft trashanik, që as një nxënës filloreje nuk do ta bënte. Kështu psh rreshtohen edhe lidhsat dhe parafjalët në këtë faktor vjetërsie, apo dhe përemrat dhe numrat, megjithse e di çdo nxënës filloreje, se ato kanë lindur në kohra të mëvona. Jo vetëm janë të lindura vonë, por ato lidhen edhe me kushte të caktuara e të zhvilluara të shoqërisë; pra nuk kanë qenë të nevojshme tek njeriu primitiv i hershëm. Kështu -psh- e di çdo nxënës filloreje, se numrat do të nisnin si njësi numërore në Egjypt dhe Mesopotami, sepse aty u paraqit kushti i matjes dhe ndarjes së tokës. Eshtë e vërtetë, që numrat e parë, nga 1-shi deri tek 10-ta, duhet të kenë nisur para se të prezantohej nevoja për matjet e tokës dhe ndarjen e saj, apo për kanalizimet dhe ndërtimet e ndryshme. Ndaj vërejmë, se numri 1 na tonizohet ndryshe në gjuhët e sotme euro-aziatike, ndonse aty-këtu me lidhje, (ak, jek, egj, një, ena, un-o, adin, jedan, etj.), ndërsa numrat e tjerë pasues kanë mjaft ngjashmëri në gjuhët e ndryshme, të paktën deri tek 6-ta; ndonse numri 2 (di,dy; due; dva) prezanton disa karakteristika mjaft të veçanta, ku në shqipe lidhet me ‘ndarjen’ (da, me nda; dividere; teilen), pra lidhet me ndarjen e një pjese në dy pjesë, (nuk më kujtohet tani, kush e ka vënë rè më parë këtë lidhje tek gjuha shqipe, da=dy, P.Zheji, apo unë tek ‘Evol. Gjuh. -2009, apo ndonjë tjetër më parë?), por që mendoj se duhet të gjindet edhe në gjuhë të tjera kjo lidhje, si tek italishtja: due≈dividere. S.d.q., fjalët e numrave na tregojnë se fiset dhe gjuhët e shumta kanë patur kontakte jo të pakta përgjatë mijra vjetëve. Këto shumësi gjuhësh ekzistonin ndërkohë aty rreth 30-20 mijë vjet më parë, por nuk muarën nga njëra-tjetra shumë fjalë, sepse sejcila i kishte fjalët për objektet dhe aktivitetet kryesore, mirpo ato patën nevojë për numrat, ndaj muarën fjalët e numrave nga një shoqëri më e zhvilluar, apo nga tregëtarët shëtitës. Dhe -mendohet se- këto numra (fjalët e tyre) e kanë prejardhjen nga Lindja. Se sa ndikoi në këtë zhvillim kulti i tokës, (i cili erdhi pas atyre të zjarrit dhe ujit, e ndoshta edhe pas atij të diellit dhe të hënës), nuk e dimë! Por dimë se ky kult ndikoi në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërive të Lindjes (Mesopotami & Egjypt), një temë tjetër kjo, e mësuar poashtu qysh në fillore.

Këtë ngatërresë kohe të lindjes më parë a më mbrapa të koncepteve dhe fjalëve të tyre gjegjëse e bëjnë edhe gjuhëtarët zyrtarë (Çabej & Co.), çfarë e kemi treguar në punime të mëparme, por tek studjuesit e rinj “patriotë” ky ngatërrim i kalon përmasat minimale të llogjikës! Edhe në vidiot jotubse të sipër-përmendura kapërdihet ky budadallëk me brirë, tek -psh- fjala ‘di(me dit; sapere; wisen; to know), vihet edhe si burim i fjalës ‘dit’ (giorno; Tag; day), duket kjo e marrë nga A.Nikolla apo ndonjë tjetër “patriot” etimolog! Këto kapërcime kohësh, ku koncepti i ‘dijes’ na paska lindur para konceptit të ‘ditës’, i dallon menjëherë edhe një nxënës 8-vjeçareje, që d.t.th. se edhe ky nxënës nuk do ti bënte këto gabime!

Nëpër këto vidio gjejmë gjithfarë zbërthimesh etimollogjike, si të marra nga rruga, sa të duket se vidio-bërsit duan -në fakt- të tallen e jo ta nderojnë gjuhën shqipe. Ja disa shembuj (qesharakë): telefon < = të le voll (të le të flasësh), titan < = ti tane (ti je yni), planet < = plan et (plant/planifikon vet krijimin), Graecia (Greqia) < = gra qe, Dalmatia < = dele madhia, studioj < = shto dijen, religjion < = (e) re ligj i jon! A kanë nevojë për koment këto lloj zbërthimesh semantiko-etimollogjike! Turp e faqja e zezë!

Në një vidio flitet për prejardhjen e romakve nga albanët (shqiptarët), ngaqë njëri mit na flet për themelimin e Alba Longa-s (para Roma) nga mbretërit Prokas dhe Numitor; ndërsa miti tjetër na flet për themelimin e Romës nga Enea dardani, dhe dardanët ishin një fis ilir, pra para-alban (shqiptar)! Shohim se kategoritë/ subjektet trajtohen si monolite guri e betoni, që nuk pësojnë ndryshime përgjatë mijvjeçarve. Gjindet diku një ngjashmëri a lidhje, dhe kjo stampohet si e njëjta gjë, si i njëjti subjekt! Dhe nuk shohim se ‘dardanët’ na dalin në tre kohra dhe vende të ndryshme, por shohim vetëm regjistrimin e tyre të fundit, atë në Ballkan!

Diçka mjaft shqetësuese në historiografinë e sotme, (pra edhe në vidiot e sipërpërmendura dhe ato të autorve më seriozë), është fakti i përdorimit të emërtimeve të sotme nacionale për fiset e lashta dhe popujt antikë! Kështu, rreth 99% e historianëve të sotëm italianë, gjermanë, anglezë, francezë, amerikanë etj. flasin për ‘grekë’, ‘albanë’, ‘italianë’! Kur flasin për hellenët, lakedemonët, akejt, jonianët, dorët, etj., ata thonë: ‘grekët’! Kur flasin për ilirët, ardianët, taulantët, atintanët, etj., ata thonë: ‘albanët’! Kur flasin për romakët, etruskët, tirrenët, latinët, etj., ata thonë: ‘italianët’! Vetëm kur flasin për ‘maqedonët’, ata ndahen në tre grupe; njëri grup i konsideron ata si popull më vete, grupi tjetër i konsideron ‘grekë’ (pra hellenë), dhe grupi i fundit i konsideron ‘ilirë’ (pra albanë)! Dhe, si të mos mjaftonte ky metafizicitet ekstrem, këta “historianë” nuk ndajnë as kohët e LASHTA nga ato ANTIKE!! Nuk kanë idenë se ç’ka patur para antikitetit! Në italishte dhe gjermanishte nuk ka as fjalë për ‘lashtësinë’! Përdoret fjala ‘i/e vjetër’ (vechio; alte), por pa u kuptuar nëse flitet për lashtësinë apo për antikitetin! Dhe, për ti vënë kapakun budadallëkut të tyre, i konsiderojnë fiset dhe popujt e lashtësisë dhe antikitetit si popuj nacionalë dhe jo fetarë!!!

Më thoni, ju lutem, a mund të bëhet historia me kategori -kantiane- të palëvizshme?! A bëhet historia duke përzier kohët e lashta me ato antike?! A tregohet historia e lashtë e antike me emërtimet e sotme nacionale?! 7 ÷ 8.3.2026

Edhe bota e pranoi (pjesa e katërt)

Siç pamë në tre shkrimet e mësipërme, lënda e historisë -ku rezumojnë edhe etimollogjia, gjuhësia historike, arkeologjia, etnografia, etj.- është sot jo pak çorap! Ajo ka saktësuar mjaft detaje të kohrave primitive, atyre të lashta, asaj antike dhe mesjetare, por nuk ka qartësuar tre probleme kardinale, si 1) në çfarë identifikoheshin shoqëritë në kohrat primitive, n’ato të lashta dhe antike, 2) ç’ndryshime etniko-fetar-gjuhësor-etnografike pësuan ato shoqëri përgjatë primitivitetit të vonë, lashtësisë dhe antikitetit, 3) sa, ku dhe në ç’gjë lidhen kombet e sotme me fiset dhe popujt e atyre kohrave?! Unë, duke parë gjëndjen në të cilën gjindet sot fusha e historisë dhe profesorët e saj, nuk besoj se tre pikat e mësipërme do të vihen në plan të punës vitet e ardhshme, nuk besoj se edhe ato pak të reja, që unë kam sjellë në këtë drejtim, do të merren në konsideratë, por përpiqem të besoj, se dekada të ardhme mund të ndryshojë diçka në këtë drejtim!

E ç’mund të presësh tjetër ti, kur edhe një historian i nderuar dhe mjaft i zoti për periudhën mesjetare, si Pëllumb Xhufi, i cili -pasi ngriti flamurin e ndalimit të pseudo-etimologve dhe pseudo-historianve të rinj “patriotë”- del tani nëpër ekranet televizive për të lëpirë atë që pështyu, tek përsërit tezat e pseudo-historianve, si psh: Napoleon Bonaparti është me prejardhje shqiptare!?! Mama mia! Një historian merret me ngjarje historike, apo me të këtilla kuriozitete?!

Apo, kur kërkush nuk del ta sqarojë Agronin (Dalipajn) mbi ngatërresat që bën ai në metodikën shkencore, bie fjala në lidhje me kuptimin mbi ‘teorinë’, ‘tezën’, ‘metodën’, etj! Në një bisedë të para disa muajsh tek Enkel Demi, Agroni “sqaronte”, se ai kish nxjerrë një teori të re, atë të embrio-morfemave! Asnjë nga moderatorët ishte i pregatitur ta sqaronte gabimin trashanik, që bënte Agroni! Cilido nxënës 8-vjeçare i kohës time do ta sqaronte tele-shikuesin, se nxjerrja e një emërtimi në metodikën shkencore nuk është teori (e re). Termi ‘embrio-morfema’ aty parakupton fonemat, morfemat, glosat, etimonet, rrënjët, rrokjet, fonem-morfemat, (këtë të fundit e kam futur unë, siç ka futur Agroni termin ‘embrio-morfema’, thjesht për të mos humbur këndvështrimin dialektik në studimin e fonemave dhe morfemave). Pra, përdorimi i termit ‘embrio-morfema’ nuk është teori! Teori është -bie fjala- gjetja e kuptimit dhe prejardhjes së fjalës brenda saj; gjë të cilën Agroni e përmend shpesh si teori dhe metodë pune të tij, dhe si kundërti të krahasimit të fjalëve në gjuhë të tjera, por që në fakt njihet këtu e 200 vjet më parë! Pra, këtu e 200 vjet më parë njihet jo vetëm metoda e krahasimit të fjalëve në gjuhë të ndryshme, por edhe metoda e kërkimit brenda vetë fjalës. Në këtë rast teori do të ishte: kuptimi dhe prejardhja e fjalës gjindet në brendësi të saj! Kjo është e vërtetë, më saktë, gjysma e të vërtetës, pasi kuptimi dhe prejardhja e saj mund të gjindet edhe më tej, tek fjalë të një gjuhe tjetër. Nëse do të thuhej: që kuptimi dhe prejardhja e fjalës së evoluar gjindet VETËM tek ajo vetë, në këtë rast kjo do të mbetej hipotezë, pasi kuptimi dhe prejardhja e fjalës së evoluar gjindet edhe më tej në fjalë të tjera të asaj gjuhe apo dhe ndonjë tjetre.

Kjo mani -kompleksikore dhe qesharake- për ta bërë çdo gjë shqipe (albane), sjell gjithfarë etimollogjish në internet. (Në disa copëza letre kam mbajtur disa pak shënime.) Një komentues, Ilir Peposhi, e nxjerr fjalën gjermanishte ‘Beine’ (bajne = këmbë) nga shqipja: baj ne (mbaj ne)! Në një kohë që edhe një fëmijë kopshti e din se ajo fjalë bazohet tek fjala e lashtë ‘bi, bë’ (dy) dhe restja tjetër ‘ajne’, që do t’na zgjaste po ta trajtonim këtu. Apo tek një emision i FaxNews, me të ftuar Sazanin (Guri) dhe Albertin (Nikolla), kemi nga i pari: Penelopa = pen e lypte, pra lypte perin që të bënte pluhurën, në një kohë që figurat homerike përfaqsojnë figura fetare (kulti) të kohës dhe jo figura konkrete! Apo Enea-n ai e lidh me ‘ai’ (shqiponjën), në një kohë që nuk e gjejmë këtë lidhje në asnjë mit! Apo Ajaksi = gjaksi, në një kohë që Ajaksi ishte ai më pak gjaksi në atë epos! Të thuash për Akilin, se ishte një gjaks, kjo pranohet, por jo Ajaks Telamoni, një nga heronjtë më dashur për cilindo lexues të Iliadës dhe Odisesë! Hektori = ai që nuk HIQte DORË nga lufta, na thotë Sazani, në një kohë që Hektori nuk kish qenë kurrë për luftë dhe ngatërresë me akej-danajtë, por kjo luftë e përfshiu atë në valët e saj pa dëshirën e tij! Shohim pra, se këto lloj etimollogjish janë mjaft të shpejtuara, për t’mos thënë fëminore.

Duke e mbyllur këtë seri shkrimesh, do ngrija pyetjen: përse këto lloj etimollogjish dhe historish lëshohen me kaq kollajtësi vetëm vitet e fundit dhe jo në kohën e “socializmit”? Edhe asaj kohe kishte disa libra të afërm me këto lloj teorish, si ai i Zaharia Majanit (Fundi i misterit etrusk), ai i Spiro Kondas (Shqiptarët dhe problemi pellazgjik), e tek-tuk ndonjë tjetër, që nuk gjenin përkrahje tek Çabej&Co.. Përse sot këta lloj historianësh janë me tonelata? Sepse kanë zbuluar vërtet gjëra të reja, apo i bien çomages kot më kot për tu dukur si patriotë e për të përfituar në bizneset e tyre private, -siç përflitet? Pse këto teori e teza po gjejnë sot përhapje të gjërë tek masat? Sepse njerëzit gjejnë aty shkencë të vërtetë, apo se ata mbulojnë me ‘to komplekset e inferioritetit, që i shoqërojnë përgjatë jetës së tyre të dështuar? Përse debatet dhe diskutimet kontroverse në lëmin historik janë të ralla e me pikatore nëpër televizionet shqiptare? Mirë historianët zyrtarë e kanë hundën përpjetë dhe nuk përzihen me këta historianë të rinj, por përse këta historianë të rinj nuk përmendin apo nuk ftojnë kundërshtarët e tyre në studiot televizive, ku ata flasin? 8.3.2026

Cdo kritikë ësht‘ e mirpritur në: robertthomai@gmx.de dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit.

Cdo shkrim i kësaj faqe mund të mirret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje të vecantë, por -si gjithnjë- me referimin: nga robert thomanikaj.

Kjo faqe (me pagesë) mund të mos jetë për vite e vite të tëra, ndaj -nëse doni të rilexoni ndonjë shkrim që ju ka pëlqyer- kopjoheni dhe hidheni në kompjuterin tuaj.