Çmenduri shqiptare
Zbulova javët e fundit, që numri i shqiptarve të çmendur, shpifsa, të paditur, narçistë, psikopatë, shitmensa, etj. të këtij lloji është më i madh nga sa kam ditur më parë! Këtë e dallova në internet, teksa pata pak më tepër kohë të shëtis këto tre-katër javë nëpër shkrime e komente të ndryshme, kryesisht në fejsbuk. Aty kam bërë disa miq më tepër, (s’di kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq njeriu i shkretë, thotë llafi i urtë, ndaj disave u bëj atë ‘pranoj’), përveç kësaj kam kuptuar se, po të bëj diku ‘like’ apo të lë një koment çfardo, autori i asaj faqe më vjen sërish kur futem në fejsbuk.
Kështu më dalin faqe me shkrime nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato me tregime e poezi, nga ato me kuriozitete shkencore, me fanta-shkencë, me gjuhën hyjnore shqipe e kombin e stërlashtë shqiptar, me politikën shqiptare e botërore, e gjithfarlloj, -sipas alogaritmit që njeh tashmë gjithkush. Duke përjashtuar faqet me tregime e poezi dhe ato me kuriozitete shkencore, ku dallohet njëfarë normaliteti e serioziteti, në të tjerat ka plasur si bajga në dërrasë padija e çmenduria. Aty nga dhjetori, pasi i kisha bërë atë ‘pranoj’ njërit, nisën të më dalin qysh në fillim shkrime për figura shkencore, më së shumti për Teslan, fizikanin serb të energjisë alternative, që kemi bërë edhe në shkollë, (paçka se në librat tanë të shkollës shkruhej atëhere për ‘të si hungarez!). Nga shkrimi në shkrim jepeshin të dhëna, që e nxirrnin Teslan si një njeri që mund të kishte lidhje me alienët, me fuqi të mbinatyrshme, njeri mbi-shkencë! Ndërhyra dy-tre herë me komentet e mia jo-aprovuese për ç’ka thuhej mbi Teslan dhe nuk vonoi, këto faqe nuk më dilnin më! Duket tjetri do t’më ketë bërë ‘bllok’, apo si quhet në këto raste, ngaqë nuk e njoh këtë proçes. Duket, pyetjet që bëja (sepse shpesh karagjozllëku del më në pah përmes pyetjeve) e gërvizhnin bojën mistike të shkrimit!
Më shumë këto javë më kanë dalë shkrimet e ‘pellazgollogëve’ dhe ‘antlantidasve’ me gjithë lumin e pafund të komenteve -kuptohet- në 99% aprovuese. Biles, ndër shumë komente gjen edhe zbërthime të reja semantiko-etimollogjike të sa e sa fjalëve të shqipes dhe gjuhëve të tjera; nuk mund ta fsheh, më ze e qeshura duke i lexuar. Në ndonjë rast ndërhyj, më së shumti me stilin tim, atë me pyetje. Jo gjithnjë marr përgjigje, por ama kur marr, më derdhen si kokrrat e breshërit faqe të tëra youtubi me popullin më të lashtë dhe gjuhën e tij hyjnore shqipe, e ndonjëherë më jepet përgjigje, por jo për pyetjet e shtruara, por për të tjera gjëra! Ndonjë duhet të më ketë bërë edhe bllok, se shof që faqet e saj apo tij s’ më dalin më! Natyrisht, një skeptiku, dyshuesi, nihilisti, anti-shqiptari, si puna ime, i mbyllet dera! Shkruesit presin lavdërime!
Paçka se politikës i janë larguar kudo njerëzit, kur ka ndonjë ngjarje kaubojsish, si kjo e Venezuelës me rrëmbimin e Maduros dhe të shoqes nga krevati i gjumit prej ushtarve amerikanë, shkrimet dhe komentet plasin si Vezuvi në antikitet. Natyrisht, unë jam i angazhuar me ngjarjet politike qysh me 13-14 vjeç, kur partia niste të na informonte për gjithshka. Mirpo këto dy-tre vjetët e fundit, ngjarjet gjeo-politike janë shtuar aq shumë, sa nuk i bie koha njeriut të shkretë të ndalet tek të gjitha. Përveç kësaj -disa duhet ta kenë vënë rè- unë nuk nxjerr më shumë se një shkrim në javë në fejsbuk, ky rregulli bazohet në llogjikën e thjeshtë, varësia e përditshme tek kompjuteri për orë të tëra është fizikisht dhe psiqikisht mjaft e dëmshme për njeriun, kështu unë nuk dua të bëhem shkak i kësaj gjëndje tek ata pak lexues të mij. (Siç thotë llafi i urtë: le ta gjejnë të keqen nga të tjerët e jo nga unë!)
Kështu -duke ndenjur tek ky film real Hollovudi me kaubojsit amerikanë në Karakas- unë u mjaftova me leximin e nja 7-8 shkrimeve dhe lënien e dy-tre komenteve aty-këtu-atje. Në fakt, nuk ishte e nevojshme të lija komente, sepse ato s’mungonin, por -më kujtohet- njëri shkrim hiqesh si krejt i paanshëm dhe -në fakt- ishte tërësisht pro kaubojsit Trump, ndaj shkrova diçka aty; një ditë më pas, një tjetër shkrim ishte tërësisht i mbushur me rrena dhe 99% e komenteve ishin aprovuese, biles e lavdëronin si një shkrim argumentues! Aty autori komunikonte me sejcilin komentues. Unë lashë ato pyetjet dhe faktet e mia; përgjigje zero! Një fjali-koment lashë tek shkrimi i A. Tares, i vetmi shkrim briliant e në masë të konsiderueshme asnjanës; të tjerët ishin pro Trampit dhe ngrinin qysh në fillim të tyre akuzën, se të gjithë po shkruanin pro Maduros! Në fakt s’gjeta shkrime pro Maduros, tek-tuk gjeta vetëm ndonjë që dënonte aksionin trumpian.
Diçka që dallova qartë kësaj radhe, është fakti se, aty ku shkrimi e dënonte aksionin amerikan në Karakas, edhe komentet shkonin më së shumti në atë vijë; aty ku shkrimi e miraprovonte këtë aksion, edhe komentet shkonin në drejtimin e shkrimit! Të njëjtën pamje pashë edhe tek një temë tjetër, ishte një shkrim që fliste mjaft keq për një figurë fetare. Edhe komentet -për çudi të gjitha- pasonin nën të njëjtën frymë! Mirpo unë e njihja personin e mbuluar me shpifje qysh nga koha e “socializmit”! Ato shpifje nuk i shkonin atij, paçka se asaj kohe ne nuk puqeshim në temat fetare. Ndaj aty lashë komentin tim, jo aq për ta mbrojtur figurën e tij, të cilën e sqarova me një fjali, (në fund të fundit atë e njohin edhe shumë të tjerë), por më shumë për të dënuar gjithë ato komente që i bashkëngjiteshin shkrimit me shpifje. Pas disa minutash më vjen njoftimi nga fejsbuku, që shkruesi ka reaguar ndaj komentit tim. Iu ktheva atij shkrimi pas nja çere ore, se ndërkohë po lexoja diçka tjetër. Faqja e tij nuk dilte më! Diçka kish ndodhur … por për këtë do ju flas në shkrimin e radhës! 7.1.2026
Cdo kritike eshte e mirpritur ne robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.
Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- me referimin: nga robert thomanikaj.