9a cudira shqiptare

            Çudira shqiptare 

Asgjë e re nga fronti jug-perëndimor ballkanik n’ato dy muaj e gjysëm ndënjie në Shq.. Vetëm n’atë qetësinë e ngrënies së mëngjez-drekë-darkës, të shoqëruar me ndonjë birrë a gotë raki, (se verën e kanë shtrenjtuar), shoh ndonjë gjë në internet, lajme të reja -them, nga biseda të zhvilluara në studiot e televizioneve shqiptare me të ftuar të ndryshëm, të njëjtat fytyra, disa të përditshme e disa të përjavshme. Para syve të kalojnë misteret e malit të Tomorrit, anijet kozmike të ngritura prej aty në kohrat e lashta, ardhja e ilirve nga Kozmosi, popujt dhe vendet e gjindura nën Antarktidë, takimet e disa personave të rëndësishëm botërorë me alienët, Toka e sheshtë, kompllotet kundra popullatës së botës nga disa elita te veçanta, rrjedhja e të gjitha gjuhëve të botës nga gjuha shqipe, e sa e sa çudira të këtilla lëshohen nëpër studiot televizive shqiptare! Por ka edhe më të reja nga të rejat e zakonshme!..

Fred Çako tregon, se një shqiptar i panjohur, emigrant i ardhur nga Italia, i kërkon në telefon ta takojë. Posi jo, i thotë Fredi, (si patriot dhe dashamirës që është; siç për pak sa nuk më takoi edhe mua para nja 3-4 vjetësh!) Emigranti i tregon mbi takimin e tij me Zotin, … po-po, mos u çudisni, me Zotin, krijuesin e Gjithësisë!.. Ky takim nuk ndodhi në gjëndje gjumi a hipnoze, por në një gjëndje paksa letargjie dhe gjysëm të vetëdijshme! (Vetëm profesor Moisiu e takonte çdo ditë Zotin dhe pinin çaj të dy.) Përveç kësaj, emigranti kish marrë vesh nga Qielli, se atë Fredin e mbronte Zoti, se ai Fredi ishte i mbështjellë me një cipë mbrojtëse hyjnore!.. Uau! Çfarë lajmi! A nuk është diçka e mrekullueshme kjo!? Cipë qiellore! Fredi ynë i përzgjedhuri i Zotit! Ç’kam frikë se do e xhelozojë pak mikun tim, Sazanin, se dhe ky më përmend sa herë ndihmën që i jep Zoti në probleme të ndryshme të ditës! Tashmë -pas këtij lajmi të Fredit- nuk ka më dyshim, që Cako duhet zgjedhur në të gjitha postet zyrtare për të cilat do kandidojë, meqë ai kandidon apo shfaq herë pas here dëshirën për një a tjetër post të lart shtetëror, po si dhe të tjerë si ai, që kanë lindur në studiot televizive e jetojnë aty deri në fund të jetës së tyre!

Një kometë e re ka nisur të më dalë shpesh në youtube, një konkurrent i fortë i Cakos, apo Cako i dytë -thuaj, prej Kosove, i cili po përpiqet t’ia kalojë në kthesë profetit tonë me parashikimet e tija në fenomenet gjeo-politike, pse jo edhe ato në gjeografi e histori, si bie fjala me tokën e sheshtë, shtetet e tjera nën Antarktidë e të tjera të këtij lloji. Ai quhet Arianit Sllamniku. Disa herë e ka parashikuar nisjen sëshpejti të L3B dhe disa luftrave lokale në Ballkan, mirpo këto profeci (siç dhe profecitë e Cakos) diku kanë ngecur rrugës … dhe shyqyr -thuaj, se dhe luftrat botërore e ato lokale do kishim mangut tani! Mbi pandemitë dhe plandemitë, parashikimet e tija gjithashtu nuk kanë qenë për tu gëzuar, po shyqyr që dhe ato po vonojnë. Sllamniku duket më simpatik nga Cako teksa tregon perimet e kopshtit të tij në Kosovë, të cilat i rrit pa pesticide, gjë që e realizon përmes një teli bakri aty pranë specave e domateve! Çudia nuk qëndron tek shpjegimet e tija të çuditshme, por tek koha që ka gjetur ky njeri të merret me kopshtin e tij, kur e shohim nga mëngjesi në darkë në ekranet e televizioneve, duke na e zgjatur ditën në 25 orë dhe javën në 8 ditë!..

Natyrisht, ne e dimë se Universi është i mbushur me jetë të civilizuara të tjera. Dimë dhe kemi prova se ne jemi të vrojtuar nga këto qënie të planetëve të tjerë. Por lajmet dhe sesancionet e Cako-Sllamnikve i kalojnë kufinjtë shkencorë. Sidomos në këto kohra kur dija është strukur e friksuar në strofkën e saj, ndërsa padija hedh valle në mejdanin elektronik të internetit me shpatën e zhveshur kundra kujdo që i kundërvihet! Kjo situatë më kujton një shprehje të një miku që nuk jeton më, thënë para disa vjetësh po për këtë shoqëri shqiptare. Ai thosh: njeriu sëmuret dhe shërohet brenda disa ditësh, ndërsa kur shoqëria sëmuret, ajo don disa vite e dekada të shërohet! E vërtetë, ne ndodhemi në mes të kësaj etape, sa qesharake, aq dhe për të ardhur keq! Që s.d.q. na largon sado pak nga monotonia dimërore! 22.11.2025

Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.

Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- me referimin: robert thomanikaj.