Erik von Daniken
Mbrëmë, lajmet e darkës njoftuan vdekjen e Erik Danike-s (Erich von Däniken), një nga autorët më të njohur sot në botë. Duke qenë se jam një nga të parët shqiptarë të njohur me këtë autor, mendoj se më takon ti them dy fjalë.
Nuk më kujtohet, nëse emrin e tij e kam dëgjuar qysh në Shqipëri (para 1990-ës), apo kur erdha në perëndim. Por di se teoritë e tij më tërhoqën menjëherë vëmëndjen; jo si një adhurues i tyre, por dyshues dhe kritik. Erik von Daniken -ndonëse nuk është i pari autor në botë i këtyre lloj teorish- ka botuar shumë libra që duan të provojnë, se ne njerëzit e sotëm mund ta kemi prejardhjen nga alienët jashtë-tokësorë, ose jemi të përzier me ‘ta. Provat e tij nisin me shkrimet biblike, të cilat flasin për bijtë e Zotit, njerëzit gjigandë, vazhdojnë me atë piktogramin mural në Egjypt e të tjera, dhe përfundojnë -siç pashë para disa muajsh në një emision televiziv- me një terren horizontal shkëmbor gjithë çarje në Maltë.
Për Erikun (dhe shumë autorë të tjerë), këto përshkrime që gjejmë në fillimet e Biblës na tregojnë se njeriu i atyre kohrave kishte rënë në kontakt me qënie të përngjashme të ardhura nga botë të tjera. Shkolla jonë e materializmit dialektik na mësonte, se këto diznivele trupore të atyre kohrave ekzistojnë edhe sot dhe duhet të kishin ardhur nga kushtet rrethanore dhe mënyrat e jetesës. Pra, nëse për autorë si Erik von Daniken e të tjerë, Goliati biblik mund të ishte bir i të ardhurve nga planetë të tjerë, për shkollën tonë dhe shkencën këta ‘gjigandë’ ishin europianë pushtues të atyre zonave, të cilët dallonin për gjatësi trupore më të lartë, për shkak të shumë faktorve, si ushqimi, liria e lëvizjes dhe jetesës, përzgjedhja e ushtarve të gjatë për të luftuar, etj. faktorë. Unë i kam shtuar këtyre faktorve -nën vetëm vështrimin empirik- edhe faktorin gravitacional, i cili në hemisferën veriore të Tokës është më i vogël, për shkak edhe të lëvizjes (tërheqjes) që planeti ynë ka sëbashku me gjithë sistemin tonë diellor në këtë drejtim -deri diku- verior, ndaj dhe njerëzit në këtë hemisferë janë më të gjatë. (Them ‘deri diku’, pasi edhe kjo lëvizje drejt veriut është në fakt -si të gjitha lëvizjet në Hapsirë- rrethore, por rreth një pike më të largët nga dielli ynë, që mund të jetë i ashtuquqjturi ‘apeks’, apo qendra e galaktikës tonë’Rruga e Qumshtit’/ ‘Kashta e Kumrit’.)
Për atë gravimin piktural-sklupturor mural në Egjypt, të cilin nuk ka mbetur njeri pa e parë në emisione të ndryshme e i cili tregon një njeri gjysëm të ulur e gjysëm të shtrirë dhe dorën e ka tek një tip marshi, (në vitet ’80 duhet ta kujtoni atë filmin e shfaqur në kinematë e Tiranës, që fliste për këto teori dhe sillte si provë edhe këtë fakt nga Egjypti; titullin më duket e kishte: ‘Vizitë nga Kozmosi’), shkencëtarët e botës nuk bien dakort, duke thënë se kjo nuk na tregon një astronaut. Natyrisht, shumë njerëz besojnë se aty është gravuar një astronaut, pra një jashtë-tokësor.
Në Maltë, një sipërfaqe e madhe gurore e zgavruar në linja të drejta, shpjegohej nga Eriku si një pistë për anijet kozmike të kohrave të dikurshme, (mijra ose dhjetra mijra vjet më parë), e cila ishte bërë ashtu nga zinxhirët prej materiali të fortë (tip titani) të anijeve kozmike. Çudi si nuk shtonte më pas, se edhe uji i shiut kish bërë punën e vet më pas! Sepse zgavrat ishin të thella! (Mund ta gjejë çdo kush foton në Internet.)
Kam pasur gjithnjë dëshirë të merrja pjesë në një nga bisedat që organizonte Eriku, ta dëgjoja ç’thosh e ti bëja ato pyetjet e mia pastaj. (Për fat ai flet gjermanisht, si zvicerian që është.) Një bisedë me Erik von Daniken duhej të ishte e këndshme dhe konstruktive. Në emisione të ndryshme televizive dukej njeri i thjeshtë dhe i këndshëm; jo nga ata akademikët mëndjemëdhenj. Ndonëse në moshë të shkuar, dukej në shpirt i ri! Ishte i papërtuar për të mbajtur seminaret e tij kudo në botë, si dhe për të shkuar në çdo cep të planetit për të mbledhur prova në mbështetje të teorisë së ardhjes së jashttksorëve në Tokën tonë.
Eriku u largua nga kjo jetë dy ditë më parë me 90 vjeç e duke lënë rreth 70 libra, të përkthyer në rreth 30 gjuhë të botës. Pra, ishte një nga autorët më të shitur në 4-5 dekadat e fundit. Nja dy libra të tij i kam edhe unë, të palexuar ende, sepse dija mbi ‘to është plotësuar deri diku nga emisionet televizive. Pra ai ishte aq njohur për mua, sa unë nuk e kam lënë pa përmendur nja dy-tre herë në shkrimet dhe librat e mij, si pikë referimi për këto lloj teorish. Paçka se jo aq shkencore, teoritë dhe librat e tij janë përthithur nga një masë e madhe njerëzish, duket nga ajo veti aq njerëzore, sesancioni është më i ëmbël se sa fakti real!
Paçka, i dashur Erik, se unë nuk puqem me teoritë e tua, të uroj mos-harresë dhe dashamirsi njerëzore ndaj emrit tënd! 12.1.2026
Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.
Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- me referimin: nga robert thomanikaj.