Oi,oi, fermeri shqiptar
Dje më doli në Fejsbuk një shkrim i një prej atyre përfaqsuesve të fermerve shqiptarë, me gjithë foton e tij, duke qarë i shkreti për fatin e mbrapsht të ‚bijve të tij’ fermerë, fat i rënë këto muajt e fundit nga palaçot e mediave, që nxinin faqet e gazetave dhe studjove televizive me lajme të rreme mbi kontaminimin e produkteve shqiptare dhe sasinë e mbitepërt të pesticideve! Nuk është e vërtetë, përsëriste shkrimi, duke aluduar për pagesa të majme tek punonjësit e mediave nga oligarkët importues të të njëjtave produkte nga jashtë! Gjithashtu i kujtonte drejtuesve të shtetit politikat mbrojtëse të çdo shteti për produktet bujqësore të vendeve të tyre. Dhe lotët çurk, të shkretit, si në shkrim, ashtu edhe në foto! E vu, komentet miratuese!
Të thuash se kishte ndonjë gjë të pavërtetë në shkrim, -jo, ishin të gjitha të sakta. Të thuash se kishte ndonjë gjë të tepruar në shkrim, -aspak, gjithshka i shkonte realitetit. Të thuash se kish ndonjë interes privat të shkruesit, -as kjo dukej, autori dukej i sinqertë për aq sa kish thënë! Mirpo disa gjëra ishin harruar! Aq sa ç’harrova edhe un dhëmbët e thyer këto vite të fundit nga kërcyelli prej gize në brendësi të domateve! Aq sa ç’kam harruar un këto vitet e fundit shijen e dikurshme të sallatës me domate, speca, kastraveca, qepë e hudhra! Aq sa ç’kam harruar unë atë aromë të dikurshme të këtyre perimeve, kur aroma e sallatës së komshiut mbrrinte deri tek apartamenti yt, apo kur një amvisë në lagjen tjetër skuqte specat, dhe e gjithë lagjia jonë “kutërbonte” nga era e specave të skuqur matanë!
Vërtet ne kemi “harruar”, se edhe sektori bujqësor nuk ka si të shkojë ndryshe, nga ç’kanë shkuar edhe sektorët e tjerë në këtë vend! Ne kemi harruar jo vetëm braktisjen e tij në shumicë nga fshatarët e para 1990-ës, por ne nuk duam të shikojmë as zevëndësimin e farave tradicionale të perimeve me fara të huaja, fara këto të manipuliuara genetikisht në -kryesisht- laboratorët amerikanë. Me këto lloj farash, fermeri i hektarve apo fshatari i dynymëve mund të flejë tashmë deri në drekë, apo të kalojë dy-tre muaj në Antalia, ndërkohë që domatja apo speci i tij të rriten pa vëmëndjen e mëtejme deri në pjekje të tyre, po t’mos llogarisim ujitjen. Kjo, sepse fara e manipuluar gjenetikisht në laboratorët amerikanë, nxjerr në sipërfaqe të tokës një kërcyell prej çeliku, që jo vetë kërmill qejfliu i ha munë, por edhe karkalec trupeshku le trutë e kokës aty! Që, nuk është më ajo shije e dikurshme, … ah, leku të jetë në rregull, pa të tjerat rregullohen!
Këto vitet e fundit kam kërkuar atë sallatën e dikurshme jeshile me fletë të holla, që kundërmonte një aromë magjepse, teksa pregatitej me limon e vaj ulliri! Në vend të saj kam gjetur vetëm atë sallatën si gjethe dushku, të cilën e pres me sopatë ose me sharrë, sa herë që e blej. Kjo lloj fare duket jo vetëm rezistente ndaj insektëve brerës, por edhe më jetgjatë për produktin gjegjës. Po ti shtojmë edhe atë sasi -gjoja të kontrolluar- të rrezatimit radioaktiv, që i hidhet agrumeve dhe perimeve, jetgjatësia e produktit bujqësor shkon edhe më tej! E ç’duhet më shumë, për një jetë pa andralla e me fitimin e duhur! Si për fermerin dhe prodhuesin në fushat bujqësore, (sepse fshati dhe fshatari nuk ekziston më), si edhe për tregëtarin blerës-shitës, gjithashtu edhe për konsumato… ah, për këtë të fundit jo!
Jemi pra në atë stad kapitalizmi -të ashtuquajtur- liberal, që ndryshe quhet edhe ‘naplaby’, pra s’i plasi kujt për tjetrin! Prodhuesi i fshatit shikon vetëm bythën e tij, tregtari i produkteve të jashtme shikon vetëm prapanicën e vet, shtetari interesohet vetëm për tajaren e tij, me argumentin se jemi në kapitalizëm dhe tregu i rregullon vetë të gjitha marrdhëniet e personave civilë (qytetarve) dhe atyre juridikë (zyrave, firmave, enteve, etj.)! Ndaj dhe përjetojmë këtë gjëndje me agrume të kthyera nga jashtë, me miell kanceroz të hyrë nga jashtë, me gjithfarë lajmesh mediatike!
Padiskutim që tregu i rregullon vetë gjërat, disa i rregullon brenda 3-4 vjetësh e disa brenda 3-4 dekadash, -sipas zgjuarsisë, aftësive dhe aspiratave të pjestarve të shoqërisë! Bie fjala, aty ku ka prodhimtari të shumtë frutash, pas disa vjetësh del një parelli i zgjuar dhe bën një fabrikë marmalate e reçeli. Mirpo problemi i kontrollit dhe eksportit të lidhur me ‘të mbetet i njëjtë! Duhen sërish mekanizmat e kontrollit të cilësisë! E ky kontroll duket se funksionon me po atë frymë liberalizmi, gjithashtu ligjet mbi produktet kanë mbetur mbi letër! Pra, de facto ka prioritet prodhuesi dhe jo qytetari! Ankesa e prodhuesit rezonon në artopalantët mediatikë! Zëri i ngordhur i konsumatorit emulsohet në vakumin alla shqiptar!
Kështu, kur autori i shkrimit flet për shpifje të medias shqiptare ndaj prodhuesit të produkteve bujqësore, un si lexues e konsumator nuk di kë të besoj! Të besoj autorin, që paguhet nga sasia e eksporteve shqiptare? Të besoj fermerin, që është koncentruar 100% vetëm tek fitimi dhe as i intereson produkti shqiptar? (Se lëre që konsumatori i vendit, kështu që kështu s’i intereson atij, qysh kur ½ e popullsisë u mblodh në Tiranë e qysh kur kjo popullsi në ½ e saj është e huaj!) Të besoj tregtarin e mallrave të importuara, që është i lidhur me pushtatarët? Të besoj drejtuesit e vendit, të cilët shikojnë ku të bëjnë rrugë jashtë shtetit me paret e buxhetit të shtetit dhe të përfitojnë para nën dorë nga tenderat e pafundëm? Apo të besoj tek ata të medias, që -siç flitet- janë bërë si kaçakët e dikurshëm të maleve, që ndalonin karvanet e tregëtarve për tu rrëmbyer kaparin e tyre? (Një autor librash si puna ime e njeh mirë këtë sistem kaçakësh medialë.) Pra, në këtë vend të bastarduar nga kreu e deri në fund, kë duhet të besoj unë, që edhe ta mbështes së fundi?!? 11.12.2025
Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.
Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- nen referimin: robert thomanikaj.