1a guliveri&i gjati

      Guliveri dhe shteti i Edit 

Pa diskutim, kur Xhonatan Suifti shkroi ‘Udhëtimet e Guliverit’ dhe përshkroi edhe ata njerëzit që e nisnin ndërtimin e shtëpisë nga çatia, ai do ketë njohur ndonjë si ‘i gjati’ ynë, që e nisi ndërtimin e shtetit të vet nga çatia! Thuaj ç’të duash, po ja që edhe shteti nis të ndërtohet nga kreu i tij! Fillimisht ‘i gjati’ ynë rregulloi veten e tij me zyrë të kompletuar e gjithshka të re aty brenda, me kosh basketbolli, me telajo e bojra të blera ne dyqanet e Nju-Jorkut, e me çfarë nuk e kompletoi, thuaj! Pastaj nisi udhëtimet e tij nëpër kancelaritë e ndryshme të Europës dhe botës, për tu bërë i njohur dhe për të treguar se sa i gjatë dhe i zgjuar është. Si intermexo dhe relaks në këto udhëtime të shumta zyrtare ishin edhe hapjet e ekspozitave të tij private të pikturës, diçka kjo -sipas tij- që i rriste presligjin Shq. në globin tonë. Paskësaj nisi të hedhë sytë pak më poshtë tij, kështu nisi të rregollojë shokët e miqtë e tij, si ata zyrtarë ashtu dhe ata të biznesit. Kështu nisi të konturohej kasta e oligarkëve. Kjo kërkonte si fillim ca para dhe atij ia dhanë këto para të huajt, si nga Brukseli dhe bankat perëndimore, ashtu edhe nga vende të Orientit, kuptohet si borxhe. Kështu çatia e shtetit të tij nisi të konfigurohej përmrekulli, zyrat dhe zyrtarët e shtetit të tij u mbushën dhe u shtuan me zyrtarë të rinj e të kollarisur, më bukur s’kish ku të shkonte, po të mos llogarisim faktin e shpërndarjes së këtyre zyrave ministrore në sa e sa rrugë e rrugica të Tiranës, një labirinth administrativ për tu pasur zili, sepse kërkimi i tyre të sjell ndërmënd kohrat fëminore me lojra labirinthi, të cilat sot s’ekzistojnë më! Le të flasin gojët e liga, duke thënë se një shtet i tillë s’ka më autoritet, as kontroll e as punë! Ka ama demokraci!

Kjo demokraci shihet edhe më qartë teksa ndërtesa shtetërore e ‘të gjatit’ vazhdon të ndërtohet poshtë e më poshtë, tek kalohet me ndërtimin e mureve të shtetit, këtij shteti që duhet të përgjigjet për të gjithë aktivitetin juridik, arsimor, shëndetsor, ekonomik, sportiv, kulturor, etj. të popullatës dhe vëndit. Fap-fap, nisi të shpërndajë fletat e legalizimeve ‘i gjati’ tek të gjithë tok-xansit, qysh në fillimet e punës së tij drejtuese! E hu, s’kish kohë ai të shihte projektet zhvillimore të urbanistikës, zonave industriale, tokave bujqësore, trualleve për ndërtim, etj! Dielli, deti dhe malet nga njëra anë -sektori i turizmit ky, kullat prej betoni nga ana tjetër -sektori i ndërtimit ky, ishin mjaftueshëm si dy degë të ekonomisë për ti sjellë lekë buxhetit të shtetit! Mirpo, dreqi e marrtë, tek po vendoste dritaret në ndërtesën e tij SHTET, pa se si turizmi ashtu dhe ndërtimi nuk po funksiononin në rregull! Rrugë të bllokuara me vetura nëpër qytete, rini e larguar nëpër botë, fshatra të braktisur, korrupsion galopant, halabakëri ndër të rinjtë dhe mos-arsimim, mos-martesa dhe shuarje e familjes, kësaj qelize tradicionale shqiptare, e sa e sa fenomene frenuese të ndërtimit të shtetit i kanë dalë ‘të gjatit’, ndonëse -për fat- ai nuk i kupton të gjitha!..

Dhe ja, tani në mandatin e tij të katërt, ai uli numrin e udhëtimeve të tij jashtë shtetit, (a ndoshta kjo ka ndodhur sepse nuk e pret më njeri nëpër kancelaritë e botës, pasi ia blenë mëndjen e ndritur), dhe ai po nis të interesohet për problemet e vendit, të cilat janë me mijra, e ai po përpiqet -të paktën- të zgjidhë disa prej tyre! Ndërtesa e tij shtetërore po ndërton muret, për të shkuar pas disa dekadave drejt themeleve, ndaj ai u del problemeve përpara, duke nisur tu kërkojë bashkiakëve planet e tyre të zhvillimit social-ekonomik! Këta, të habitur për këtë kërkesë të parakohshme, u vunë në lëvizje, (a bënë sikur). I gjati ka nisur tu kërkojë llogari edhe atyre pranë vetes, kështu po shohim nën qeverinë e re një farë gjallërie. Para nja dy javësh policia nisi me ndalimin dhe sekuestrimin e skuterave! Vërtet ato kanë mbi 10-15 vjet që ecin me 40 km/orë sa në rrugë biçikletash e sa në rrugë makinash, gjithë zik-zake për të shkaktuar ankth e panik, pse jo edhe aksidente të ‘vogla’, vërtet ato përdoren nga të rritur, të rinj e fëmijë, (nga këta të fundit si punë lojrash), vërtet ato do të kishin tani legjislacionin përkatës të përdorimit të tyre, nëse ndërtesa SHTET do të kish nisur nga bazamenti, vërtet ato me mbi 20 km/orë nuk do të ishin lejuar qysh në fillim për përdorim në rrugë biçikletash, apo ato me deri 40 km/orë nuk do të ishin lejuar pa kokore dhe pa lejen e posaçme në rrugë makinash brenda qyteteve! Mirpo ja që, në ndërtesën shtetërore të nisur nga çatia, këto probleme rregullohen tani më pas! S’ka asgjë të keqe kur drejtohemi nga njerëz-gjeni, që e nisin shtetin nga çatia! Kështu po punohet edhe me gjithfarë ndërtimesh mes pallateve, kështu edhe me zënien e trojtuareve nga tavolinat e kafeneve, kështu edhe me (ri)krijimin e lojrave për fëmijë, kështu edhe me krijimin e zonave pedonale, kështu me të gjitha, prish e ndreq, sepse ndërtesa e nisur nga çatia nxjerr -vetvetiu- mjaft të papritura! Na bie pak shtrenjtë, por s’prish punë! Me shtrenjtësirat u mësuam! Nën hyqmin e ‘të gjatit’ do i zgjidhim të gjitha, siç i kemi zgjidhur! Ndaj, i urojmë ‘të gjatit’ jetë sa më të gjatë, duke i falur ditë edhe nga jeta jonë, me bindjen e plotë se ndërtesa e tij SHTET do përfundojë së ndërtuari pas nja 14 mandateve të tjera të tij! 22.11.2025

Cdo kritike esht‘ e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te nxirret poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.

Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret dhe nxirret kudo e nga cilido pa leje te vecante, por -si gjithnje- me referimin: nga robert thomanikaj.