Gëlltit një lugë çorbë të prishur dikur dhe e vjell për gjithë jetën
Kjo shprehje e mbetur në kujtesën tonë nga një film shqiptar, u përsërit mbrëmë në emisionin e Çanit nga ushtaraku në pension, Meçollari, për kryeministrin shqiptar, ‘të gjatin’. Dhe pikërisht, (apo më së shumti –të themi), në lidhje me kthimin e portit të Durrsit në port jahktesh (≈anije pasanikësh) dhe mos-nisjen deri më tani të portit të ri në Porto Romano. Por edhe me faktin, se ngritja e një porti në Porto Romano ka mjaft dizavantazhe teknike në krahasim me portin aktual. E ndoshta kjo shprehje kishte lidhje edhe me disa blerje dhe mos-blerje pajisjesh ushtarake në sektorin e radarit ajror dhe detar, sektor në të cilin edhe ishin harxhuar miliona euro deri më tani, dhe qëndronte i paaktivizuar ende!
Ke kënaqsi ta dëgjosh ushtarakun në pension, sepse flet hapur, qartë dhe shkurt. Tregon çfarë është bërë, ku qëndrojnë anët pozitive e negative, dhe çfarë mund të bëhet në të ardhmen. Edhe në emisione të tjera, po kështu. Kjo tregon se shkolla shqiptare e atëhershme ka nxjerrë kuadro të pregatitur në shumë pikpamje. (Ndërsa Arjan mavria -si të kish kthyer 4 dopjo apo ta kish thithur me hundë- i duhej të pyeste shpesh, sepse nuk e kuptonte gjuhën e qartë të ushtarakut, -kjo e bënte bisedën pak të bezdishme për tele-shikuesin. Më erdhi pak keq e pak për të qeshur për/me ‘të, sepse e kish humbur si Xhaferi simiten.)
Me sa kuptova nga fjala e Meçollarit, sistemi i mbrojtjes ushtarake në Shqipëri është përcaktuar në këto dekada të fundit jo pak nga kryeministrat shqiptarë, Nano, Berisha, Rama, sidomos nga dy të fundit, dhe më së shumti nga ky i fundit! Në vend që të përcaktohej nga një strategji e qartë e një këshilli të mbrojtjes, me pjesmarrje ushtarakësh! Dhe ka qenë jo larg asaj që shpreh fjala e urtë popullore: njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit! Me kryeministrin aktual, problemet e mbrojtjes së vendit dukeshin në funksion të raporteve të të tij me kryeministra dhe presidentë të vendeve të tjera. Pa llogaritur edhe faktin e orientimit të tij drejt parasë dhe lavdi-dukjes, të cilat i smufatojnë interesat dhe dukuritë e tjera në lëmin e mbrojtjes!
Është e vërtetë, asnjë njeri në Shq. dhe në botë nuk e kupton, përse porti i ngrejtur me aq mundim në sa e sa dekada dhe ende aktual në Durrës, ti kalojë ashtu i gatshëm dhe -më duket- falas një projekti për ankorim jahktesh!?! Thellësia e detit në port është për anije të mëdha tregëtare dhe transporti pasagjerësh, ndërsa jahktet nuk kanë nevojë për atë thellësi, pasi pjesët e tyre nën det janë të vogla në krahasim me anijet që ankorojnë aktualisht aty! Përveç kësaj, ka dalë problemi i shpenzimeve të portit të ri në Porto Romano, të cilat duhet ti mbulojë buxheti i shtetit, të cilat teorikisht -më duket- se shkojnë tek 36 miliardë euro. Faktikisht mund të shkojnë edhe më shumë nga sa parashikohet tani; kjo do varet nga anët teknike, që ajo pjesë veri-perëndimore do prezantojë, një nga të cilat është sjellja e sasive më të mëdha të rërës drejt bregut.
Nuk e di ç’po i sjellin orientimet e ‘të gjatit’ të ardhmes së Shq., por di se deri tani nuk po i sjellin të mira! Lidhjet e tij të ngushta me Turqinë dhe Izraelin, dy vende me probleme të brendshme të mëdha, e ngarkojnë kot më së koti Shqipërinë. Shq. do mbajë marrdhënie të mira edhe me Amerikën, por orientimi i saj duhet të qëndrojë i qartë: BE-ja (EUja) dhe bashkë me ‘të, si i barabartë me vendet e tjera dhe jo si një shërbëtor!
Edhe ndërtimet brenda vendit në kohën e ‘të gjatit’ dhe me buxhetin e shtetit, po të mos llogaritim sheshet e qyteteve të ndryshme, që vërtet u rregulluan dhe u zbukuruan disi, gjithë të tjerat duken një regres. Duke filluar nga kullat, rrugët e shumta dhe disa tynele me mangësira, gjithashtu edhe ai korridor i gjatë në portin e Durrësit, në të cilin duhet të kalojnë emigrantët dhe turistët e zbritur nga tragetet. Duhet të ketë qenë viti 2017 ose 2019, kur, pas kaq vjetësh erdha me tren nga Hamburgu në Bari dhe dola me traget në Durrës. Kalova tek kontrolli i pashaportës dhe më duhej të ecja dy-tre qind metra në një tynel të rrethuar me tela e xhama (apo prej çikllasi), për të dalë tek disa pallate afër agjensisë së autobuzave nën një kontroll të dytë formal! Qëllova në atë rrugëtim thuajse i vetëm a me ndopak njerëz; s.d.q. me një farë angushie. Por mendo të jenë një shumicë njerëzish dhe fundi të bllokohet! Mendo ç’panik e llahtar mund të krijohet në atë korridor të izoluar! Si ka mundësi ta lejojnë këtë projekt, mendova kur dola! A nuk i kanë parashikuar situatat bllokuese? Ç’dalje emergjente kanë parashikuar?
Më duket se të gjitha projektet e ngritura në kohë të ‘të gjatit’ janë të tilla, bllokuese e asfikuese, të zymta e deprimuese! Përveç shesheve të qyteteve, siç thashë. Dhe tani, po kaq e zymtë dhe deprimuese po del edhe qendra e Tiranës! Dhe më keq vetë Sheshi ‘Skënderbej’, qëndrimi në të cilin mund të kthehet në frikë e makth, si të jesh në kafazin e një kopshti zoologjik të rrethuar me kulla të larta, që u rrinë qytetarve si shpata e Demokleut mbi kokëë! O Zot, ku e çon njeriun orientimi -vetëm- drejt lekut! Ai u pregatit fëmijve dhe nipçeve të tij hijen, errësirën, deprimimin! Në vend që tu pregatiste sheshet e gjelbërta gjithë dritë e diell, që do t’u jepte gëzimin, optimizmin, dashurinë, lirinë e shpirtit, e do ti bënin ta donin vendin e tyre e të qëndronin këtu! Por duket ky popull ka zgjedhur –në shumicë të tij– rrugën e lekut dhe pasurimit, duke sakrifikuar lirinë, gëzimin e të ardhmen e brezave pasues, ndaj dhe ‘i gjati’ duket në rregull në projektet e tija pa diell, të zymta e prej betoni! Troç muhabeti, ka gjetur kapaku tenxheren! Ky stan këtë bylmet do nxirrte! Ndaj vendi është si hani Bobos dhe pa mbrojtje ajrore, ndaj brezi i ri i ësht i zymtë e pa perspektivë! Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë! 11.4.2026