9c-albania

Albania

Kemi zbritur në tokën e skipëtarve dhe … mrekullohemi nga klima, peisazhi, njerëzit. Një klimë subtropikale, një pejsazh si parajsa e Edenit, njerëz të dashur e mikpritës! Duket sikur vetë Zoti i ka dhuruar këtij vendi këtë diell dhe ujra të bollshme, duket sikur vetë Natyra ka ngritur folenë e saj në këtë vend, duket sikur vetë ëngjëjt e qiellit kanë lidhje shpirtërore me banorët e kësaj toke. Nga viti në vit sheh përmisime e zbukurime në fshat e në qytet. Fermerët janë të subvensionuar nga shteti, përsa i përket naftës që konsumojn traktorët dhe mjetet e tyre bujqësore, ndaj tek ‘ta sheh fytyra të kënaqura. Qytetet po zbukurohen nga viti në vit, sidomos përgjatë katër mandateve të kryeministrit aktual, i cili drejton jo vetëm jetën e vendit të tij, por drejton pjesërisht edhe botën e tejme përmes konferencave dhe intervistave të shumta që jep nëpër botë. Gradaçiela shumkatshe jo vetëm po e zbukurojnë kryeqytetin dhe vendin, Tiranën, por ato po i japin këtij qyteti edhe një status ndërkombëtar, çfarë shihet edhe në samitet e EU-s (BE-s) dhe gjithfarë konferencash ndërkombëtare që zhvillohen aty. Turistë të shumtë nga bota mbushin rrugët e Tiranës. Vitet e fundit po vërshojnë për të studjuar në universitetet e shumta private të Tiranës edhe mjaft të rinj nga bota. Çmimet e simestreve janë relativisht të përballueshme dhe leksionet janë bashkohore. Rinia e vendit shikon për një jetë më të mirë në vendet perëndimore, por dashuria e tyre për atdheun nuk humbet asnjëherë. Një pjesë e këtij kontigjenti kthehen pas disa viteve punë me kursimet e tyre, për të hapur biznese të ndryshme private në turizëm, mjeksi, teknollogjinë ushqimore, bujqësi, etj.. Dhe ky vend lulëzon e përparon dita-ditës. Ndaj dhe njerëzit ndjehen të lumtur në këtë vend. Ndaj dhe ne turistët e huaj ndjehemi mjaft të prekur nga mikpritja e tyre. Njerëz solidarë e me kulturë të gjërë. Pastërti dhe rregull ngado. Një popullsi për tu pasur zili, -në kuptimin e mirë të fjalës. Haleluja…

………….***………….

Kemi rënë në një batak të quajtur Albania, ku njerëzit vetquhen skipëtari! Sa dalim nga aeroporti na duket se hyjmë në një furrë buke, ku nxehtësia e diellit të përvëlon! Asnjë shatërvan me ujë për tu freskuar! Duke vajtur për tek autobuzi, që do na çojë në Tiranë, kryeqytetin e vendit, nuk na ndahen taksixhinjtë, si në Italinë e viteve ’50! Përjetimi i mëtejshëm është trafiku i rënduar, një fenomen që do na shoqërojë edhe në ditët në vazhdim! Si të mos mjaftonte kjo dukuri vdekje-prurëse, na duhej të prisnim të ndaluar para autostradës nja 10 minuta, sepse policia bllokoi rrugën tonë për shkak se do të kalonte vetura e kryeministrit të vendit! Tipi në fjalë s’ishte fare i panjohur nga ne, për faktin se shihet në çdo konferencë ndërkombëtare në botë, kjo edhe për shkak të gjatësisë së tij trupore, si dhe batutave të tij! Në hotel na pritën mirë, jo me atë buzëqeshje bio të viteve ’90, por me atë ngërdheshje të zhvatësve të parasë! (Për shkak se e njihnim deri diku gjuhën e vendit, (por nuk u dhamë të kuptonin gjë në këtë drejtim), na duhej të dëgjonim edhe ndonjë përçmim për ne të huajt!) Çmimet e hoteleve janë barazuar me ato të hoteleve në perëndim e në botë, paçka se shërbimi është më poshtë se i atyre! Fjetja na kaloi si mos më keq, pasi në darkë vonë dhe në mëngjez herët na buçisnin në rrëzë të veshit artopalantët e xhamive në gjuhën arabe, një kuisje prej të marrësh dhe të fortësh lagjeje, siç quhen në Albani ata që bëjnë me kokën e tyre gjëra të kundra-ligjshme dhe shteti nuk ka fuqi ti ndalojë! Këtyre u bashkoheshin uturimat e motorrave, fiksheziare të orës 12 të natës, ndonjë krismë e thatë, ndonjë zhurmë betoniere, pse jo edhe të bërtitura njerëzish ndonjëherë! Këto vazhdojnë prej vitesh dhe autoritetet shtetërore nuk veprojnë fare në këto raste! Ndonëse me ligj nuk lejohet asnjë prej këtyre lloj zhurmash! Përgjatë ditës përballesh me plehra të hedhura andej-këndej, me kazanë plehrash pa sistem, me erë të qelbur, me një smog të padurueshëm nga vetura me naftë, një pjesë e tyre me xhama të zinj komplet, si mafia dhe, si për ti vënë qershizën mbi tortë të gjitha këtyre, ti paguan me çmime të shtrenjta asortimentet e konsumit të përditshëm! Shumë prej tyre janë më të shtrenjta se tek ne në perëndim, disa janë sa tek ne, e disa pak më të lira! Fabrika dhe uzina nuk ka pothuajse fare ky vend, ato i kanë grabitur dhe shkatërruar vetë skipëtarët! Lulëzojnë në çdo cep pallati e rruge kafenetë dhe lokalet e ndryshme, sa të duket që hyjnitë e dembelizmit kanë ngritur rezidencën e tyre në këtë vend! Lokalet i sheh plot, skipëtarë të t’gjitha moshave por dhe të huaj! Të rinjtë emigrojnë në rreth 80% të tyre, kështu një shumicë femrash mbeten pa martuar, dhe një pjesë e tyre përfundojnë në tregun e kënaqsisë për turistët! Me një fjalë, ky popull patriot e atdhe-dashës shet motrat dhe kushurirat e veta tek të huajt! Gjithshka bëhet për lekë dhe vetëm për lekë! Firma të vogla prodhimi janë me pikatore! Kudo bëhen vetëm ndërtime banesash, 12 ÷ 20 katesh, ku më shumë se gjysma e apartamenteve rrinë bosh për vite dhe pa shitur! Tirana i përngjan një kaosi urban e arkitektonik të paparë në Europ! Edhe të huajt europianë blejnë apartamente më së shumti në qytete bregdetare, ndonëse edhe atje çmimet po shkojnë në stratosferë! Boshatisja e fshatrave dhe shpërbërja e familjes ka bërë të mos shohësh më fëmijë me shumicë, si dikur, por vetëm rallë dhe të zënë për dore nga prindërit e tyre, -nuk e dimë për ç’frikë!? Kjo mungesë brezi të ri po nxit shkollat e larta të ftojnë në auditorët e tyre gjithfarë studentësh nga bota! Shitja e vendit -nën devizën: Albania 1 euro- tek oligarkët e tek disa të huaj nën hyqmin e ‘të gjatit’, (si gjithnjë vetëm për pallate banimi dhe hotele), është akti simbolik i shpërbërjes së këtij kombi brenda një kohe mjaft të shkurtër e t’pandodhur gjetiu historikisht! Amen! 8.5.2026