9e-odisea

       Filmi i ri i Hollivudit dhe libri im 

Prej javësh vërshojnë si lumë nëpër studio televizive, në internet, nëpër rrugë, në shëtitore dhe kafenera të ndryshme, diskutimet mbi filmin e ri të Hollivudit, me historinë homerike të Uliksit (Odiseut). Edhe unë që shikoj pak ose aspak televizor, që flas pak ose aspak gjatë ditës e javës me njerëz, që nuk shkoj në kinema e nuk interesohem më për filma të rinj, edhe unë u përballa me këtë lumë diskutimesh, që nisnin qysh nga protesta për filmin, (më shurdhoi njëri këtu tek mëhalla, pse Helena ishte një artiste zezake në film, pse rolin e Akilit e luante një trans-seksuale e kthyer nga grua në burr), dhe vazhdonte ky lum diskutimesh në TV-shqiptare me episode xhirimesh dhe gjithfarë lavdërimesh për vetë regjizorin dhe të tjerë pjestarë të ekipit të xhirimit, për t’(mos)përfunduar ende ky lum diskutimesh –intervistash e shkrimesh– me faktin e përdorimit në film të muzikës baritore shqiptare, të luajtur me culë nga një artist shqiptar, -më falni që nuk ia kujtoj këtë moment emrin! E kisha pak të vështirë ta përballoja këtë lum proteste, diskutimesh e mahnitjesh, të një rangu popullor –do thoja, dhe kjo e kishte një shkak…

Punimi im i fundit historik (2025), ‘Odisea / Uliksi nr.2’, filloi të lëvizte nervozisht në vitrinën, ku e kisha vënë, duket donte të më thoshte: ej, pse nuk bëjnë edhe për mua kaq zhurmë e kaq reklamë!?.. Ç’dreqin ke, ia ktheva, qetësoju e mos u cmirzo nga suksesi i të tjerve, ti je krijesë shqiptare, krijesë muti, filmi është krijesë Hollivudi!.. Dhe nga televizori hidhesha në shkrimet e internetit, ku nisja të lexoja me zë, si për inat të librit tim: Odiseja i tashëm është tjetër nga ai që kemi parë deri më tani në filmat e tjerë, një Odise tjetër nga ai para fillimit të luftës, apo nga ai Odise tek muret e Trojës dhe tek kali i drunjtë!… Gërr-vërr, lëvizte sërish libri im në vitrinën ku e kisha vendosur! Më dukej sikur më thosh, a ndoshta më thosh me të vërtetë: o koqe kandari, po a nuk e lexon titullin tim, që ti vetë ma ke vënë, dhe i cili tregon se ky Odise i ‘Odisea’-s është tjetër nga ai i ‘Iliadës’!?! Këtë përfundim nuk e gjen tek asnjë studjues tjetër, më përplaseshin fjalët e librit tim. Vërtet ore, vërtet, i tundja unë kokën librit tim në vitrinë, duke vazhduar: por ai film Hollivudi meriton vërtet vëmëndjen e të gjithë ne shqiptarve, sepse ky film shoqërohet me muzikë baritore shqiptare, e luajtur me cylë dyare nga një artist i yni!.. Bëzh-gëzh-vëzh, sërish turfullonte libri im: More qelbanik, po a nuk tregon ti këtu tek faqet e mia, se ky udhëtim Odisean kryhet në bregdetin e Adriatikut, nisur nga Dalmatia e përfunduar në Itakën e njohur?!.. A nuk je ti ai që tregon këtu tek faqet e mia, se Shiba dhe Karidba pasin (shkojnë) mes Karaburunit dhe Sazanit?!. E sa e sa gjëra të tjera ke treguar mbi udhëtimin e Uliksit, që pasin vetëm në këtë tokën tënde shqiptare?!.. Uff, shfryja unë, vërtet mo, vërtet e tregoj këtë, por nuk them se Odiseu ishte shqiptar, nuk them se ishte grek, unë merrem me të vërtetat shkencore, që d.t.th. se n’ato kohra kishim të bënim me identifikime fetare të shoqërive dhe jo këto nacionale të sotme, siç i duan njerëzit ti shohin nëpër filma, apo ti lexojnë nëpër libra e shkrime!… Dhe vazhdoja të lexoja shkrime të tjera në internet, natyrisht me zë, që ta nxehja pak edhe librin tim: Filmi i ri ka mbyllje tjetër nga ai i vjetri, me Bekim Fehmiun, filmi i ri e degdis Odiseun larg Itakës, sëbashku me Penelopën!… Xhërr-zhërr, sërish libri im i nervozuar, more qyp derdeni, a nuk e kam edhe unë këtë fakt, biles ti e ke trajtuar gjerësisht atë profeci orakulli, të largimit të tij të vetmuar dhe pa Penelopën nga Itaka drejt steresë veri-lindore, menjëherë pas masakrës që do bënte dhe bëri!?.. Pse more humbameno, vazhdonte libri im gjithë nervozizëm dhe patos, përse gjithë kjo zhurmë për filmin, dhe mua më kanë lënë në harresë?!? Di gjë unë, mblidhja supet, pa ditur hë për hë si të vazhdoja. Pastaj, pasi mendohesha pak, hidhesha si të kisha gjetur çelsin e hedhur nga prifti në lumë: unë punën time e kam bërë, të kam njoftuar e të kam çuar nëpër disa media, por ato … ato kërkojnë parà për të dhënë lajme kulturore!… Bërrffshsh… dëgjoja turfullimën e librit tim të nervozuar, maskarenjtë, kërkojnë vërtet para!.. Dhe kështu zbulimet shqiptare i kalojnë të huajve! Sepse ato që ti ke zbuluar në studimet e tua dhe i ke hedhur në faqet e mia, tani dalin nëpër filmat e të huajve!… Ngrejta dorën për ta qetësuar librin. Nuk është ndonjë kopim tipik, vazhdoja, sepse filmi mbetet film, por të tjerë studjues të huaj dhe vendas kopjojnë vërtet kollaj dhe qetësisht nga ju punimet e mia, sepse ju librat e mij keni mbetur demostrativisht në hije!.. Nuk kam ç’të bëj më shumë, se ç’kam bërë!.. Apo të shkoj tu lëpij prapanicën atyre të mediave, se ndoshta atëhere e zbatojnë ligjin për informimin kulturor e shkencor të popullatës!… Libri im vari kokën i pikëlluar, duke murmëritur: jo-jo!.. M’u bë qejfi që u simbiozua me mua, m’u bë qejfi që ruajti dinjitetin, si unë. Ndërsa në mediat shqiptare vazhdonte zhurma mbi filmin e ri të Hollivudit, në TV, në internet, në rrugë e kudo! I qetë hapa një punim tjetër, një të sapo-nisur, i vetëdijshëm se filmin e ri do ta shoh pas disa vjetësh në televizor, i vetëdijshëm se edhe punimi i radhës do ketë fatin e punimeve të tjera të mëparme! Kjo është Shqipëria e mbetur me këtë shtet, me këtë media e këtë popull!.. 4.8.2026