9a-biruca

         Paraburgimi dhe biruca 

Lajmi shqiptar i këtyre dy ditve të fundit ishte ai i ndryshimit të ligjit të paraburgimit nga parlamenti, duke e shkurtuar disi këtë sasi kohore. Duke parë, dëgjuar e lexuar mbi disa fenomene devolutive në paraburgi-min shqiptar të sotëm, duke qenë se e kam kaluar vetë këtë proçedurë juridike në kohën e rinisë, kam dashur gjithnjë të hedh shqetësimet e mia në letër mbi këtë problem. Diskutimet -ato pak që ndoqa mbrëmë në TV- rrihnin rreth anës financiare, pra asaj që harxhonte shteti në këtë drejtim, si dhe në ato alla-shqiptare të personalizimit të këtij ligji paraburgimi tek x-politikan a y- i arrestuar. Ajo që është kryesorja, shkatërrimi i njeriut dhe psiqikës së tij nga një paraburgim i gjatë në hapsira të ngushta, nuk pashë të diskutohej!

Diku aty para nja 7-8 a 9 vjetësh vajta tek spitali 5, ai psiqiatrik, të takoja ndonjë të njohur, meqë kisha vite pa vajtur. Nisa të ngjis shkallët dhe shoh ndryshime nga koha “socialiste”, hapsira është më e ngushtë, dritaret janë hequr, drita e jashtme e diellit mungon, janë shtuar dyert, ato të pavioneve duken hermetike, si të parashikojnë bombën atomike, frymëmarrja zë e më vështirsohet, zymtia më kapllon, nis e më duket vetja si në një labirinth pa rrugdalje, o Zot, them, jam në një burg mesjetar, apo ku!?

Një shok i kohës “socialiste”, të cilin e takoj ndonjëherë, kur vij në Shq., dhe i cili është marrë me pislliqe të vogla antiligjore, fallsifikime dokumentash më duket, (këshillat e mia për t’mos u marrë me të tilla gjëra, nga njëri vesh i hynin e nga tjetri i dilnin), më tregoi para disa vjetësh se paraburgimi ishte bërë shumë i keq, biruca të vogla, kohmbajtje e gjatë, një izolim shkatërrues, si model të keq më përmendi paraburgimin e Fush-Krujës, (duket e kishin mbajtur atje për ekspertizë mjeko-ligjore).

Në kohën e atëhershme “socialiste” kishim kohë boll për të diskutuar. Një nga temat ishte edhe kjo e paraburgimit, ku hynin edhe birucat e Koci Xoxes. Flitej se në ato biruca të vogla përfundoi vetë arkitekti i tyre, Koci. Dhe kuptohet, në të tilla kushte, biruca të vogla dhe kohmbajtje e gjatë në ‘to, (pa llogaritur edhe torturat pastaj), njeriu pranon jo vetëm që është agjent, por edhe se ka kryer vrasje! Si e si të shpëtojë nga ajo ngushtësi që i shkakton makth, frik, panik, terror, depresion, etj.! Dhe ku vdekja i duket flori para asaj situate, që nuk e di se sa mund ti zgjasë, sepse në atë gjëndje ai nuk beson më se ekziston një shtet ligjor! Nuk beson se ka të bëj me nënpunës që zbatojnë ligjet! Por beson se ka të bëj me kriminelë të rrezikshëm!

Kur aty më 7 tetor 1984 më suallën për ekspertizëm në Tiranë nga birucat e Sarandës dhe gazi po priste aty jashtë portës së madhe së institucionit, unë isha tërësisht pa dijeni ku më kishin sjellë e për çfarë. Ngaqë kisha dëgjuar tek Zëri i Amerikës, se në Shkollën e Bashkuar të Oficerve pregatiteshin njerëz nga shteti shqiptar, që dërgoheshin jashtë për të kryer vrasje, mendova njëherë se mos në atë vend pas atyre mureve të lartë, aty pranë morgut në oborrin e spitalit nr.2, shteti shqiptar eleminonte njerëz të rrezikshëm apo bënte eksperimente me ‘ta! E konsiderova veten të rrezikshëm për shtetarët e pashkollë, vetëm nëse më kishin gjet në shtëpi ca shkrime-analiza (në formë kritike) ndaj marksizmit shqiptar. Mos i kanë gjetur, thash me vete, dhe këta nuk njohin debat shkencor! Të dal nga gazi e t’ia fus vrapit drejt shpisë, që e kisha nja 1-2 km larg? E të lajmëroj që duan të më fusin diku! Kam kushurinj që janë të partisë dhe ata patjetër që do interesohen!.. Mirpo fakti, që gjatë arrestimit kisha përfunduar në biruca normale për nga madhësia, afërsisht 4 me 2 m., dhe hetuesia deri atë ditë ishte zhvilluar pa presione dhe dhunë, kjo më mbajti të rrija i qetë!

Nuk mund ta mohoj, koha e arrestimit tim koençidoi në një kohë, kur shteti shqiptar funksiononte me ligje, paçka se të ashpra dhe edhe të natyrës politike. (Jo më kot thuhej: jemi diktaturë e proletariatit!) Kjo formë ligjore kish nisur të vihej në funksion qysh në fund të viteve ’50. Mbas amnistisë së madhe të 1961-it, shteti ligjor -paçka se i ashpër- nisi të ndjehej. Nga dekada në dekadë respektoheshin rregullat e caktuara. Natyrisht jo kudo njëlloj, varej nga dega në degë e nga hetuesi në hetues! Unë nuk qëllova në atë kohë kur është arrestuar plaku im (1952?) dhe i cili torturohej në hetuesi, duke e futur në kazanin me ujë të ftohtë për orë të tëra. Nuk jam dënuar atë kohë, kur xhaxhai merrte 17 vjet burg për një parrullë antiqeveritare, dhe një kushuri i plakut vuante 20 vjetët e tij në burgun e Gjirokastrës, ku të burgosurit rrinin në guvat poshtë kalasë dhe buka u hidhej nga lart prej një vrime! (Historinë ku kam kaluar edhe vetë një natë në birucat e Gjirokastrës, me batanijen e lagur nga lagështia, e kam treguar, ndaj nuk po zgjatem në atë histori.)

Me ardhjen e demokracisë, kam menduar se disa elementë të paraburgimit janë përmisuar në Shq. Mirpo me ato që dëgjoj sot, më duket se nuk kemi përmisime! Vetë jam për kod penal të fortë, ku krimet ndaj jetës së njeriut të dënohen rëndë nga gjykatat! Por kushtet e mbajtjes së të pandehurve përgjatë proçeseve hetimore dhe të burgosurve nëpër burgje duhet të mos jenë çnjerëzore, siç më duket se janë ende –në hetuesi duket më shumë– dhe siç i shohim ende edhe në botën “moderne” perëndimore, -bie fjala ato kafazët e transportit të të para-burgosurve nga qelia në gjykatë e anasjelltas, apo qelitë e vogla e të tejmbushura, apo me dritare të vockla, apo disa metra nën tokë! Dhe ky kujdes duhet të përfshijë edhe kampet e emigrantëve, (të cilat duket se po bëhen rutinë edhe në Shq.), duke mos lejuar të tilla kontena, si në Gjadër, ku izolimi dhe hapsira e ngushtë e lëvizjes shkaktojnë trauma psiqike të pariparueshme në jetën e ardhme të emigrantit! Nëse një shtet nuk don ti mbajë emigrantët, kjo është e drejtë e padiskutueshme atij shteti, ndaj mund ti kthejë! Por për aq ditë, javë e muaj që i ka në tokën e tij, duhet tu krijojë kushtet më minimale njerëzore! 10.4.2026