Mbresa nga Shqipëria 2025
Duke ecur me autobuzin e TEG-ut, ikje-kthim, të shpaloset në lindje mali i Dajtit. Nuk e kisha vënë rè më parë, por më dukej se dikush e kishte pikturuar të gjithë malin, sidomos këtë të anës jugore, për tu dukur sa më i bukur nga larg! Disa zona vezullonin nga një gjelbërim i hapur e disa zona mbyteshin nga një e gjelbër e mbyllur. Ndonjë projekt i ‘të gjatit’, mendova, për tu tërhequr vëmëndjen turistëve, sepse ‘shqiptarët-derra’, kështu që kështu nuk kuptojnë gjë nga arti! Duke e vërejtur më vëmëndje për kohë të gjatë, kuptova që vezullimi i hapur i të gjelbërës ishin ato pjesë të malit ku drurët ishin prerë, ndërsa ato zona me kontrastin e mbyllur të jeshiles ishin ato pjesë mali me drurë të paprerë. Çudi, thashë, si nuk e kam vënë rè më parë këtë panoramë piktoreske! Vërtet do ketë të bëj me ndonjë projekt artisti prej ‘të gjati’, pyeta veten, apo do jenë prerje drurësh nga ndonjë firmë, e cila është thjesht e interesuar vetëm për dru e jo për art?
Në një parje të dytë të malit disa ditë më pas, m’u duk se zonat e ndriçuara ishin zmadhur në krahasim me zonat e errësuara! Pra, prerja e drurëve vazhdonte! (Stinë e përshtatshme, besa, për këtë punë!) Pamja piktoreske e kontrastit të dy të gjelbërave do të anonte përherë e më tepër nga ajo e ndriçuara, e hapura, derisa mos të kemi më këtë pamje piktoreske! (E ndoshta tani që shkruaj këto radhë, kjo pamje mund të mos ekzistojë më, sepse prerja e drurëve ka mbaruar!?) Në qoftë kështu, kuptohet se nuk kemi idera artistësh aty, por thjesht plane druri! Në qoftë kështu, a është menduar për mbjellje të reja pemësh? Nuk e di! Po të paktën ta dinin gazetarët e të na informonin! 5.7.2025
…………..***…………..
Si u nis, u bitis kjo punë! –Naplaby!
Arritjet dhe fitoret e mëdha nuk na u ndanë as përgjatë këtyre 35 vjetëve ‘‘demokraci’’, po njëlloj si atyre 45 vjetëve ‘‘demokraci popullore’’! Dhe, vetkuptueshëm, prej këtyre arritjeve kemi largimin e këtij populli nga ky vend lumturie, dje përmes arratisjeve, sot përmes largimit klandestin dhe dokumenteve të rreme, dje individë e grupe të vogla, sot masa të tëra popullsie! Rrugët e kurbetit i kanë degdisur shqiptarët në të katër cepet e botës, (meqë dhe bota u zbulua sëfundmi që është katrore dhe e sheshtë).
A ka ndonjë shpresë se, në vitet e ardhme, ky vend do ndreqet e do rregullohet? Si nuk ka!? Shpresa është ajo që vdes e fundit; më parë përcjell një popull budalla drejsh shuarjes e pastaj vdes vetë! Në këto 35 vjet demokraci, ky popull –në një shumicë dërrmuese të tij dhe nën parimin: gjej shesh e bëj përshesh– iu vërsul fushave të mbjella me kultura bujqësore socialiste, iu kërlesh vreshtave komuniste, iu përvesh arave me pemë shtetërore, morri dipllomën e shkollës së lartë pa bërë një klasë të mesme, morri tokën dhe e la dekada pa punuar, që ajo të merrte veten nga mundimi që kish hequr nën diktaturë, i zuri të gjitha sheshet e lojrave dhe sporteve me gjithfarë ngrehinash, ca me leje (kupto: me lekë nën dorë) e ca pa leje, (po sërish me lekë nën dorë), shkuli maqineritë e uzinave dhe fabrikave dhe i shiti për skrap, e po për dhjamë qeni i shiti të gjitha armatimet e tija, (kjo e fundit nën udhëzimet e miqve tanë të jashtëm, që na mbrojnë e lënë kokën për ne), e nga të gjitha këto zotësira ky popull –jo të gjithë, ata më të zotët– ngriti shtëpiat e bukura personale, dy e tre katshe, me kopshte Semiramide, me vreshta të reja rrushi, për verë e raki!.. O-ho-ho!..
E-ehh, tashmë këto karabinà rrinë më së shumti bosh, në rastin më të mirë me nga një a dy pleq brenda, sepse fëmijët e nipçet kanë ikur, … ikur larg, … në kurbet, në cepet e botës katrore! Kanë lënë gjithë këto të mira materiale, që –me zotësi– ngritën e bënë prindërit dhe gjyshërit e tyre! Çudi!.. U mungon diçka që nuk e gjejnë më mes të mirave materiale, ku kanë lindur e janë rritur!.. U mungojnë drejtësia, siguria, harmonia, pastërtia, rregulli, ligji dhe zbatimi i tij! Sa dalin nga dera shohin vetëm plehra të hedhura andej-këndej! Sa dalin në rrugë konfontrohen me aksident, sepse parkimi i pa-lejuar i një veture (dreqi e marrtë, një kafe s’të lenë ta pish rehat) nxjerr në rrugë biçikletaxhiun, që përplaset me motorraxhiun parakalues. Autobuzi nuk hyn dot në stacion, sepse një veturë i ka bllokuar rrugën! Në shkollë nuk e lënë të hyjë, se është me vonesë! Odisetë s’kanë të mbaruar, sepse prindërit dhe gjyshërit e tyre ecën me parimin: o Mete për vete!
Tashmë, ‘i gjati’ po zgjohet nga gjumi e po interesohet të rregullojë diçka! Pra të prishë diçka nga ato që rregulluan për bythën e tyre ata të zotët! I gjati po kujtohet të bëj shtet! Ky shtet po liron hapsirat e zaptuara mes pallateve nga gjithfarë ndërtimesh! Për mendimin tim: bravo i qoftë! Por problemi është: po atyre mureve të ngritura në kohë të demokracisë, që kanë ngushtuar trojtuarët në shumë zona të Tiranës, si do ia bëjmë!? Po atyre fushave të futbollit dhe shesheve të lojrave, të cilat janë zënë prej pallateve të reja, të ngrejtura me leje të bashkisë së Tiranës, (pra me leje edhe të atij vetë, kur ishte kryetar bashkie), si do ua bëjmë!? Sot nuk gjen më lagje a bllok në Tiranë me sheshe lojrash për fëmijë! Biles –ca më keq– vazhdojnë të jepen leje ndërtimi pallatesh, pa u respektuar ligji që detyron ndërtuesin të bëj edhe sheshin e lojrave për fëmijë! Po-po, ndodh edhe sot nën hundën e të gjatit! (Ai nuk është zgjuar plotësisht!) Ku do luajnë fëmijët? Apo do luajnë domino në shpi me gjyshin!? Po aspekti tjetër, ai lidhjes së fëmijve dhe të rinjve me atdheun e tyre, si do realizohet pa fusha lojrash, pa parqe të gjelbëruar, pa qendra fëmijësh e të rinjsh!..
Po këtë qendër Tirane, të cilën ky ‘i gjatë’, po edhe lali Eri (sot në hetuesi), donin ta kthenin në një pedonale (zonë këmbësorësh), si do ia bëjmë tani me gjithë ato kulla të larta!? Të gjitha këto mega-pallate kanë parkime veturash 2-3 kate, që do të thotë se qindra automjete do hyjnë e dalin prej këtyre gradaçielave! (Kanë nisur në fakt të hyjnë e të dalin prej muajsh, por kullat e pambaruara do ta rrisin këtë fluks veturash!) Ndërkohë, paralel me ‘to hyjnë e dalin në Sheshin Skënderbej qindra shëtitorë, të cilët qysh sot hedhin hapat e tyre ngjitur rrotave të veturave! Në t’ardhmen të gjithë këta shëtitorë do të duan këpucë hekuri (me gozhda anash do t’ishte më mirë), kokore në kokë, pse jo edhe sinjale tingëllues! A ndoshta nuk do të dalin më shëtitje në sheshin Skënderbej, se –në fund të fundit– ky shesh po kthehet në një kafaz zoologjik, i rrethuar me kulla, që kanë zvogëluar objektet e tjera në atë shesh dhe humbur kështu çdo lloj kondicioni ndërtesash!
Ne të pazotët e përkrahim të gjatin në aksionin e javëve të fundit, por çfarë janë këto ndërhyrje në krahasim me ato ku duhet ndërhyrë në këtë vend e popull!? Një pikë uji në oqean! Duket si shou i radhës! Këtë vend e popull nuk e rregullon dot një njeri i vetëm, aq më pak një njeri që kujtohet si kofini pas të vjelit, një njeri pa idealizmin më të vogël, një lekist, një njeri me ego skicofrenike, një njeri që e ka mëndjen më së shumti tek prezantimi i vetes në botë, se sa tek zgjidhja e qindra problemeve të këtij vendi, një njeri që –duket– ka frikë nga biznesmenët e mëdhenj shqiptarë, sepse –ndoshta– është i përlyer tek ‘ta!
Megjithatë e përgëzojm të gjatin që po zgjohet të bëj shtet, ndonse e dimë se ky vend nuk bëhet më atdhè e mëmëdhè! Ky vend s’ është kurrë i barabartë për bijtë e tij! Disa janë të mëmës e disa të njerkës! Popullsia e tij do vazhdojë rrjedhjen, megjithse –nga ana materiale e financiare– nuk u mungon gjë! Por dhe ata që po vijnë, duan të ikin! Skenar dreqi! Tragji-komedi! Të gjithë e shohin dhe nuk veprojnë! I ka qërruar e mira, thotë populli! Unë do shtoja: e mira materiale personale! E cila buçet: na pla… by…! 9÷10.9.2025
………..***…………
Florianit (Binajt)
Florian o xhan, Florian o shpirt artisti, ç’pate që të morri koka erë!?! Ku të kapi e ku të (n)xurri!? Që po don të ngjitësh shkallët e karrierës së politikës!.. O po pse, do më thuash ti, pse, nuk paskam të drejtë të kandidoj edhe unë për kryetar bashkie i Tiranës!? Ke o xhan, ke! Se qytetar je edhe ti dhe ligji nuk ta ndalon! Po a e di ku do përfundosh?!? Jo si qytetar e si politikan, more ditzi! Por si artist, që u ke hyrë njerëzve në zemra! E don t’u dalësh prej andej si bufon, si lolo, si delenxhi e i katranjosur! Të pashë mo Florian, të pashë, kur iu përgjigje tre gazetarve në një studio televizive! Bëre edhe shaka! Je i këndshëm, të të dëgjosh! Për humor! Edhe për kohën e sotme të shout, do thosha se mjafton aq sa the! Por të pyes: me ato llafe e ato shaka do e rregullosh situatën e Tiranës, mo flori?! Me specialistët që do dëgjosh për problemin e kullave?! Ë? Si iu përgjigje gazetarve, kur të pyetën për kullat!? U dhè po atë përgjigje që u jep edhe kryetari i partisë, ku aderove deri tani! Do pyesësh specialistët!?! Po thuaje më mirë troç, a derbardhë, thuaje që gjithshka do vazhdojë sipas programit të ‘të gjatit’! Ah mavria ti, kush ta shtiri në mëndje karrierën politike, që del aty në studio pa asnjë lloj programi për vendin, pa asnjë lloj ideje për kryeqytetin, pa asnjë lloj zgjidhje për këtë e atë problem! Ti e të tjerë dilni thjesht me vetëm dëshirën e mirë për të ndryshuar diçka, për të bërë gjëra të mira, se e shihni që entropia e këtij kryeqyteti (pse jo: edhe e vendit) është rritur sa s’mban më dhe pa derën e emigracionit do kish plasur copash Shqipërinë! A ndoshta ju nxjerrin ata lart, duke ju parë vetëm nga sytë e bukur dhe biografia politike!? Njëlloj si ti, edhe Adriatiku! Dhe nuk e dini çfarë do bëni dhe si do i kryeni ndryshimet! Prisni nga specialistët! Pika që s’ju bije mo florinj, që niseni vetëm nga dëshira e mirë dhe pa asnjë lloj ideje! Lëre po quan përvojë atë eksperiencë menaxheri në pallat! Ha-ha, hëm, siç the, edhe kur u nise për në studio, të morri komshiu në telefon dhe, pasi të uroi për kandidaturën, të bëri të ditur anshesorin e prishur!.. Nuk e di, bëre shaka me këtë eksperiencë, a e kishe me tër mend!?
Po thuaj shyqyr, o flori, ke lindur me këmishë, o qerrata! Shyqyr kush dreqin i prishi zgjedhjet e ardhme për bashkinë e Tiranës!? Për fatin tënd të madh mbete jashtë, o fatmbarë! Kot nuk thuhej në kohrat antike, hyjtë e qiellit i duan artistët më parë, duke filluar nga muzikantët (këngëtarët), pastaj humoristët, poetët, teatroxhinjtë (aktorët), shkrimtarët, akrobatët, e me radhë. Muzat janë në anën tënde, o pasha, ndryshe nuk do të vinte ky vendim i Gjykatës Kushtetuese për anullimin e dekretit të presidentit mbi zgjedhjet lokale në Tiranë! Po-po, qielli të ka ndihmuar, o derdimen! Mos kujto se të ndihmoi ankimi i Erjon Velias nga biruca për zgjedhjet! E hu, kujton ti se pyet i gjati për ligje e shtet! Ai është vetë Ali e vetë kadi! A nuk e mban mënd para disa vjetësh, si e bëri me dekretin e president Likes për zgjedhjet!? Kij kujdes, mo i panxën, se mos ‘i gjati’ e bën edhe kësaj radhe lojën e kaluar! Dhe futesh në zgjedhje! Se do të tregohesh i pafytyrë para ligjit! Do tregohesh çfarë karrieristi i paepur je! E rrezik të mos marrësh votat e premtuara! Ndaj kape fatin që të erdhi në dorë! Hiq dorë nga udha që nise para 1 jave! Mbetesh i nderuar, mbetesh në zemrat e njerëzve si humorist, mbetesh i pastër në ndërgjegjen tënde! Me politikë merru, se politika ka nevojë njerëz të humorit, jep mendime e bëj programe, por jo të marrësh përgjegjsinë e kryebashkiakut të kryeqytetit pa ditur ç’do bësh me ndërtimet, apo duke kujtuar se do lejosh vazhdimin e ndërtimeve dhe –krahas tyre– do u krijosh fëmijve kushtet për të lojtur! Dhe për pingpong s’ka më vend! Apo fantazon parkime shumëkatëshe mes pallateve të ngjit me njëri-tjetrin, e sipër tyre do bësh sheshe fëmijësh? Me ëndrra të tilla luajnë mijra të papunë, alkolistë e llogjexhinj rrugësh! Por, pa programe të qarta (si, ku, qysh) ato mbeten ëndrra, o çilimi!
O Flori floriu, lëri ëndrrat, sepse ky vend dhe ky kryeqytet do një kasap dhe xhelat si Ali Pashë Tepelena të ndreqet! Ky vend dhe ky kryeqytet do një gjakatar si Mehmet Shehu të rregullohet! Ky vend e ky kryeqytet do një diktator si Enver Hoxha të vihet në udu! E pas tyre të vinë ata specialistët, që përmende! Por që të jenë vërtet specialistë, se të jesh specialist në probleme ekonomike, juridike, urbanistike e arkitektonike, etj., duhet të jesh më parë edhe idealist e atdhetar, dhe jo vetëm servil i pushtetit, siç po i shohim! Vetëm me të tilla figura mund të respektohet ligji në këtë vend! Vetëm me diktat të tillë shtetëror, ku ligji është ligj dhe jo Maliq, të fortët e këtij vendi –që nuk mbarojnë kurrë– nuk do parkojnë në stacionet e autobuzve, nuk do bllokojnë rrugët me parkime dyshe, nuk do kalojnë me motorra e motopatina sa në rrugë makinash e sa n’atë të biçikletave, nuk do bllokojnë trojtuaret e këmbësorve me motorra, nuk do ngrenë kulla në qendër të Tiranës, e sa e sa fenomene të tjera kemi, pa përmendur të kaluarat, që i përmbledh shprehja: është bërë muti kapic! Ndaj të fola mo Florian djali, (ndonse ky shkrim e letër as ka për të të rënë në sy)! Të fola se po del i papregatitur në mejdan! Pa një idè e plan, pa diçka konkrete nga do fillosh e do vazhdosh! Ja ku e ke kullën pas Pall. të Kult., që po hedh themelet! Do e lejosh të ndërtohet apo do ta ndalosh? Këtu tek Selvia do ngrihet një kullë tjetër me 18 kate a më shumë, e po si të tjerat nuk do ketë shesh lojrash për fëmijë e as shesh pushimi për pleqtë! Por vetëm dyqane e banesa, se pak dyqane kemi këtu tek Selvia! E kupton mo Florian, sa pozicion jasht loje je me dëshirat që shpreh! Nuk kemi më nevojë për oratori patriotike, se i pamë patriotët shqiptarë të këtyre 30 vjetëve! Je i dashur, je simpatik e sharmant, por ky vend ka nevojë për duar të forta e mëndje largpamëse, që ky vend ti përkasi edhe atyre që s’kanë lindur akoma, e jo vetëm këtyre që janë rregulluar sot! Kuptove!? Unë të fola, se i dua artistët, o xhan, ti bëj si di vetë! 14.10.2025