9d-e.demi

               Kamera e fshehtë       

Mbrëmë në youtube me doli një filmim me kamera të fshehtë, bërë moderatorit Enkel Demit në Torino të Italisë, pikërisht në restorantin që ai paska në bashkpronësi me një mikun e tij. Kujtova se filmimi ishte aktual, i këtij viti, ndaj u ndala në ‘të, mirpo jo, ky filmim i fshehtë është bërë vite më parë. Një kontroll i policisë administrative (dy zotërinj italianë) i ngul të dy ortakët shqiptarë në një tip salle-bodrumi të restorantit; sqarohemi, se ortaku i Enkel Demit është në dijeni të kamerës së fshehtë. Zyrtari kryesor gjen kleçkën e duhur: shkallët që të zbresin në atë bodrum nuk janë sipas standartit. Moderatori ynë ruan gjakftohtësinë, (tipi i Enkel Demit -nga sa e shohim në TV- është i tillë), por zotëria i policisë italiane nuk i ndahet. Një debat, i ruajtur me vështirsi me tone të qeta, duket se s’ka të ndalur. Akuza e kundërakuza zbrazen mbi tavolinë. S.d.q., “polici” italian arrin ta bëj moderatorin shqiptar të djersijë ca. Për më tepër ai ambient bodrumi nën tokë, duket sikur e rëndon ca situatën. Duket sikur një i pandehur merret në pyetje nga policia në një birucë nëntoksore. Asnjë fije rreze diellore, por vetëm ndriçimi artificial dhe i zbehtë i një a dy llampave. Minuta të tëra, ndoshta dhjetë … njëzetë… Kjo situatë tepër e sikletshme e bën moderatorin shqiptar të ngjitet lart e të dalë jashtë, mirpo edhe aty vazhdon kamera e fshehtë, ku një plot-point i ri hyn në skenën filmike, një qytetar italian që i kundërvihet shqiptarit, duke e akuzuar për zhurmë tiganësh deri natën vonë, gjithashtu ai e kërcënon të largohet drejt Shqipërisë me gomone, siç ka ardhur. Aty ortaku i Enkelit bën sikur zihet me italianin ndërsa i kalluri në lojë, moderatori ynë, hyn në mes ti ndajë. Kjo pjesë e zgjatur e filmimit ishte më e bukur, por më pak interesante për ndjesitë e mia. Ndaj do qëndroj tek pjesa e nëntokës.

Nuk e di pse tek ndjesitë e mia bodrumase takoheshin Abati Faria, Konte Monte Kristo, Spartaku, sa e sa personazhe e persona të dënuar, mes të cilve gjindem dhe unë… gjindem jo vetëm me ato kujtime të kohrave të shkuara rinore, ku kalova disa herë e për muaj të tërë hetime nëpër biruca nën tokë, por, nën të tilla situata boll të sikletshme, gjindem më shumë në këtë periudhë të sotme demokracie, e fundit ishte para një muaji e gjysëm në aeroportin e Hamburgut, ku i ndalur nga polici -fillimisht i rreptë e më pas i afrueshëm- më duhej t’përgjigjesha e t’firmosja disa letra, të cilat do kalonin tek prokuroria, e prej kësaj pres tani dënimet e radhës -një rutinë periodike tashmë kjo përgjatë 20 vjetve të fundit. Kjo amulli ndjesish do t’më ketë mbyllur mbrëmë rubinetin e adrenalinës, përderisa qëndrova serioz dhe i merakosur, tek shihja kamerën e fshehtë; a ndoshta këto sajime shqiptare janë paksa brutale dhe me pak humor, ose -ta themi me pak shaka prej Nonda Bulke- do jem bërë ca gjerman, (helbete, kaq dekada në Gjermani), sepse siç thotë me humor shkrimtari-humorist i shekullit të kaluar: një gjerman e një anglez nuk qeshin me ato gjëra që qesh një italian e një francez.

Në fakt unë qesh, dhe qesh fort biles, kur shoh në televizor a në internet ‘kamerat e fshehta’. Por mbrëmë më kaloi para syve një moment nga jeta ime, m’u duk sikur isha unë në vend të personazhit të përzgjedhur për kamerën e fshehtë, me ndryshimin se, emisioni i mbrëmshëm vazhdoi nja 20 min., tek mua vazhdon pa ndërprerje prej 20 vjetesh, dhe do më shoqëroj deri në fund të jetës. Përveç kësaj, (e ndoshta kjo është ajo që më bëri të shkruaj tani), m’u duk se kishte në këtë emision diçka hyjnore, diçka danteske, … sepse ishte në një siklet bodrumi nëntoksor dhe trysnie shtetërore një njeri i medias, pikërisht një njeri i cili e ka detyrën më të parë të mbrojë ata që kalojnë për vite të tëra situata të tilla. Dhe këtu nuk e kam fjalën për njerëz të ngacmuar e të sikletosur nga autoriteti shtetëror ngaqë kërkojnë prona e pasuri, por për njerëz që kërkojnë mbrojtjen e jetës së njeriut, lirinë e fjalës, ruajtjen e dinjitetit njerëzor! Dhe, po të kemi parasysh, që jo rallë autoriteti shtetëror ndihmohet edhe nga gjithfarë kriminelësh ordinerë, kuptohet sa rëndësi ka mbrojtja e kësaj kategorie njerzish nga mediat, nga këta moderatorë. A ka ndihmuar ndonjë nga këta njerëz Enkel Demi në emisionin e tij? A është marrë ndonjëherë Enkel Demi me tema sociale? A ka mbërthyer prej brirësh E.Demi ndonjë dem-autoritet social-biznesmor-politik? Jo, mund të përgjigjet dikush, duke sqaruar më tej, se në emisionin e tij trajtohen kryesisht tema shkencore. Dakort, do të thonim, duke sqaruar edhe ne më tej, se librat e mij shkencorë janë lënë vite më parë për ‘të tek porta e televizionit ku ai drejtonte një emision të tij, (të paktën sipas fjalëve të rojes tek porta e jashtme), po kështu një libër letrar (me një letër të shkruar shpejt e shpejt me dorë) ia kam lënë si dhuratë ditën e librit (23 prill 2023) tek dy punonjës të bibl. së Kamzës, ku ai do prezantonte romanin e tij të fundit; (në atë letër përmëndja edhe librat e lëna për ‘të).

Nuk i prekin librat fare, më tha një i njohur para 2 javësh, pasi më pyeti nëse doja të dilja tek emisioni i E.Demit dhe pasi unë i thashë që ai do bënte mirë më parë ta pyeste mikun e tij, nëse i kish marrë a jo librat e mij! Natyrisht, ne nuk mund ti detyrojmë moderatorët ti shohin librat e dhuruar, biles unë i qëndroj gjithë jetën devizës: s’mund të vemë para përgjegjsisë dikë që s’ na ndihmon. Ne mund të vemë para përgjegjsisë atë që -në kundërshtim me ligjin- na pengon rrugën. Asnjë moderator televizioni më ka penguar mua të flas e të shkruaj. Pra?!.. S’kam asnjë të drejtë ti kërkoj llogari moderatorit të sipër-përmendur, për më tepër që ai dallon mbi të tjerët për qetësinë e drejtimit të emisionit të tij. Mirpo, dreqi e marrtë, edhe në atë ‘kamera të fsheht’ doli tema e dinjitetit njerëzor, tema e diskriminimit nacional, tema e ligjit. Ç’dinjitet të studjuesit shkencor mbrojnë moderatorët shqiptarë, ç’krenari kombëtare ruajnë këta punonjës mediash, ç’ligj të studimeve shkencore respektojnë E.Demi & Co. në rastin tim?! Apo shprehja: ‘oh, s’kemi ditur gjë’, i lan të gjitha! 25.5.2026