Telenovelat shqiptare në rozatemë të nxehtë
Të qe vetëm ai ‘i gjati‘ që më vodhi syzet e mia të leximit, ato ngjyrë blu të hapur, e m’i prishi me atë kokën e tij të madhe plot me kashtë, e bëja kabull, por dje pashë në lajmet televizive (hera e parë që e shihja) edhe atë zonjën kryespiune të Shq., me fytyrën e kremosur gjithë shkëlqim, duke kuptuar kështu kush ma kish vjedhur vazelinën që përdor për kallot e këmbëve! Shakaja e parë u konsumua spontanisht para nja një muaji, tek dikush m’i “ngatërroi“ syzet e mia me ato të ‘të gjatit‘ dhe prej meje mori përgjigjen e mësipërme shakatore, ndërsa shakaja e dytë do mbetet –besoj– këtu, thjesht si fantazi e imja humoristike, që më lindi tek po kërkoja vazolinën e s’po e gjeja.
Paçka se kjo histori e fundit me shkëmbim mesazesh midis kryespiunes Vlora … (s’po më kujtohet tani mbiemri) dhe njeriut të arrestuar të kryeministrisë –si ndërlidhës aferash korruptive– Agasit (këtij s’po i kujtoj dot emrin) mua më duket ende si një histori rozë e një telenovele të pafundme shqiptare, e cila nuk besoj se arrin deri aty sa të rrezikojë sigurinë kombëtare të Shq., siç disa patrizotë dhe specpalist trumbetojnë nëpër studiot televizive. Megjithë këtë përmasë të ngjyrës rozë të kësaj historie, mendoj se –po si në një telenovelë– mund kemi në prapaskenë mjaft historira kriminale, që ky milet as do ti shikojë–dëgjojë–flasë për ‘to, paçka se përvoja e përditshme i tregon me dhjetra raste krimi, ku pjesmarrja e shtetarve në ‘to është dalluar qartë, dhe mos interesimi për ‘to vetëm sa e shton rrezikun e një shoqërie prej kapjes së çdo aktiviteti nga lekistët e pafre, të korruptuarit pa skrupuj, kriminelët e papërgjegjshëm!
Nuk është ndonjë çudi, siç nuk ishte çudi as dje në Luftën e Ftohtë, siç nuk ishte çudi as në mesjetë me shtrigat dhe magjistarët, siç nuk ish çudi as në kohrat romake, ku pushteti –dikur fetar e më pas laik– përdor gjithfarë laskarësh për të diskretituar dhe izoluar fillimisht të piketuarit, pastaj përdor metodat e shpifjes dhe ngritjes së akuzave –përgjithsisht– të rreme, për të përfunduar tek gjykimi dhe dënimi i të piketuar-it/-ës. Në rastin e Agasit kemi një njeri që ende nuk është sqaruar mirë, ku e kishte borderonë, në cilin institucion a firmë, por dimë se bënte –de facto– lidhjet e qeverisë dhe shtetit me biznesin në afera të ndryshme. Po të kemi parasysh se Agasi, si nga emri ashtu dhe nga fytyra duket si turk apo me origjinë nga Turqia, problemi trashet ca më tepër. (A nuk e tha njëherë vetë ‘i gjati‘, se i kemi njerëzit e Erdoganit deri në kryeministri!?)
Natyrisht, në përzierjen e shtetarve me krimin nuk luan ndonjë rol të madhe lidhja e një zyrtari me nyje të një shteti tjetër, përkundrazi këto lidhje ruhen nga çdo shtet për interesa të tij, si pardje në Mesjetë, si dje në Luftën e Ftohtë, ashtu dhe sot në “demokraci“. Kjo dihet nga të gjithë. Por nuk e di pse kjo harrohet shpesh, paçka se është fenomen që nuk i mungon ditëve të sotme! Ashtu siç u harrua rasti i 21 janarit, i dalluar qartë (shiko filmimin në youtube), ku një burrë vret nga afër një demostrant, ashtu siç u harrua vdekja misterioze e gazetarit A.Stefani dhe ‘vetvrasja‘ e gazetarit tjetër, K.Myftarajt, apo heqja e zemrës së shqiptarit S.Sula në një spital spanjoll, e sa e sa raste misterioze e të hapura kriminale, që nuk do të kishin këtë hapsirë kaq të hapur publike, nëse ky milet do të ish ca më i interesuar dhe aktiv në jetën social-politike.
Kurrizi im i ka hequr dhe vazhdon ti heq kusuret e këtij bashkpunimi: shtet-laskar. Ashtu siç vazhdon të heq në kurriz edhe indiferentizmin e shoqërisë, medias, shtetit (qoftë gjermanë a shqiptarë). Ndaj edhe e di se çfarë flas, ndaj dhe jam deri diku i kujdesshëm për sigurimin e jetës, ndaj dhe vazhdoj të denoncoj këto marrdhënie kriminale që shfaqen në zyrtarë të ndryshëm, të çfardo rangu qofshin. Kjo është gjysma e së keqes, (për t’mos thënë çereku); e keqja më e madhe në këtë botë është pikërisht goditja që të jep ty kjo shoqëri, kjo media, ky shtet, tek përhap fjalë: vuan nga deliri i persekutimit, don të bjerë në sy për emër, kërkon tërheqje vëmëndje për të shitur librat e pa-vlerë, është tip grricsi! Ndonëse të katërt paragjykimet e mësipërme nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, biles çdonjëri përjashton të tjerët, sërish ato përhapen nga po të njëjtët laskarë, zyrtarë e njerëz të mediave, përhapen edhe nga gjithfarë ziliqarësh, çfarë tregon se ata e dinë tashmë pozicionin e tyre, atë të njerëzve të friksuar nga e vërteta, e të cilve u ka mbetur vetëm deviza: trillo sa të mundësh, se diçka do të mbetet!
Dhe kërrkush sheh se si laskarë të ndryshëm vihen në lëvizje të të trembin, të të afrohen me vetura me zhama të zinj, të të provokojnë për sherre banale, të të fusin në ngatërresa të paparashikueshme, të t’marrin kohën me budadallëqe, pse jo të kalojnë në aksione neutralizimi fizik. Dhe këto ndodhin më kollaj, kur në këto aksione janë përfshirë njerëz shtetërorë, aq më kollaj kur janë të shërbimeve informative, kur media është kapur nga qeveritarët dhe shtetarët, kur politikanët shtetarë–qeveritarë janë lidhur me biznesin si bytha me brekët. Këto ndodhin më kollaj edhe kur shoqëria ka shkuar drejt asocializimit dhe individualizmit, siç po ndodh prej vitesh me shoqërinë tonë në këtë vend me emrin Albani-a!
Pra, po të kemi parasysh se Shq. është bërë han pa porta dhe prej vitesh eksperimentet me ‘të janë rreshtuar si në një konvejer fabrike, gjithashtu shumica e bizneseve rrjedhin nga një e kaluar e pisët droge dhe korrupsioni, kam frikë se kjo histori rozë e tashme, Vlora-Agasi, mund të ketë në prapaskenë edhe histori krimesh –në tentativë apo të kryera! Por shpresoj të mos ketë, pra të mbetet vetëm një histori rozë, e cila ishte në fillime të saj. Në qoftë kështu, ajd se po ua bëjmë kabull, ajd për hajër të dalë!.. E të nisë kënga: për ty o djal‘, do fik radarët!… 25.9.2026